Kreditimi i ekonomisë ka ecur me ritëm të ngadaltë edhe në muajin shkurt.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re kishte vlerën e 14.4 miliardë lekëve, në rënie me 25% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar.
Edhe bilanci i dymujorit 2020 ngelet në rënie, me një vlerë kredie prej 25.8 miliardë lekësh, 21% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Pas një ecurie përgjithësisht të mirë në gjysmën e dytë të vitit 2020, këtë vit kredia e re po shfaqet më e frenuar, por duke pasur parasysh se krahasimi vjetor ndërtohet me një periudhë kur ekonomia ende nuk ishte prekur nga efektet e krizës. Rënia e kredisë së re gjatë këtyre dy muajve ka ardhur kryesisht për shkak të volumeve më të ulëta në segmentin e biznesit, ndërsa për individët kreditimi ngelet i qëndrueshëm, në vlera të ngjashme me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, kredia e re, sidomos për bizneset përfshin edhe rifinancimet apo shitjet e kredive mes bankave të ndryshme, ndaj jo gjithmonë ajo jep një ide të qartë të flukseve të reja të financimit që hyjnë në ekonomi.
Në fakt, pavarësisht rënies së kredisë së re, për muajin shkurt teprica e kredisë për ekonominë u rrit krahasuar me Janarin. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli kishte vlerën e 608.1 miliardë lekëve, në rritje mujore me 1.8 miliardë lekë. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë ngelet në rritje vjetore pozitive, me rreth 5.1% më shumë, por me ritme të ngadalësuara krahasuar me muajin e kaluar.
Në terma të tepricës së kredisë, gjatë Shkurtit portofoli u zgjerua si për ndërmarrjet private, ashtu edhe për individët. Një rënie u shënua vetëm në segmentin e kredisë për kompanitë publike dhe për korporatat e tjera financiare.
Po ta krahasojmë vlerën e portofolit krahasuar me një vit më parë, në segmentin e individëve rritja është në nivelin 6.1%, ndërsa për bizneset private 8.6%. Ndikim negativ japin sidomos kreditë për kompanitë publike, që pothuajse janë përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.
Në analizën e fundit, Banka e Shqipërisë ngelet sidoqoftë optimiste për ecurinë e kreditimit të ekonomisë. Pas mbledhjes së fundit të këshillit të Mbikëqyrjes, javën e kaluar, Guvernatori Sejko tha se kushtet monetare stimuluese kanë mbështetur rritjen e kredisë bankare, e cila ka vijuar të jetë një burim i qëndrueshëm financimi për familjet dhe kompanitë shqiptare. Sipas tij, vëllimi i kredisë bankare vetëm për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.1% në muajin shkurt.
Zgjerimi i kredisë ka qenë relativisht i balancuar, në drejtim të strukturës së monedhave, në drejtim të përfituesve biznese apo individë, si dhe në drejtim të destinacionit për financimin e investimeve apo mbulimin e kapitalit qarkullues. Guvernatori nënvizoi se sinjale inkurajuese në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare vazhdojnë të vijnë nga zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë, që tashmë përbën gjysmën e portofolit total të kredisë për ekonominë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.