Kryeministri Tsipras ndodhet sot në Bruksel, si përpjekje e arritjes së një marrëveshjeje, ndërsa mësohet se kreditorët kanë shprehur dyshimet e para për ofertën e re greke, ardhur të djelën në darke me propozime të reja, si nevojë emergjente për të zhbllokuar ndihmën e mbetur.
Komenti më i fundit i Tsipras se disa nga pikat e propozimeve të tij kanë qenë të panevojshme, ka ngritur shqetësimet rreth faktit se a mund të finalizohet një marrëveshje gjatë mbledhjes së sotme të krerëve të financave evropiane në Bruksel.
“ Refuzime njëra pas tjetrës apo rritja e masave shtrënguese në disa institucione nuk ka ndodhur më parë, as me Irlandën e as me Portugalinë”- ka deklaruar Tsipras. Kjo sipas kryeministrit grek ka dy mundësi: ose ata nuk duan të arrihet një marrëveshje ose ata po i shërbejnë sipas Tsipras, grupeve të ndryshme të interesit në Greqi.
Zyrtarët grek thanë se ai po i referohet FMN-së, pasi kërkesat e këtij të fundit janë tejet të mëdha krahasuar me ofertën greke, sidomos në pjesën e reformës së pensioneve, pikë e cila mbetet e “nxehtë” për grekët.
Tsipras ndodhet në Bruksel sot në një takim me FMN-në dhe BQE-në, përpara se ministrat e financave të mblidhen, që pritet mbrëmjen e sotme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.