Krijimi i bursës ALPEX, i hapet rruga tregut me shumicë të energjisë elektrike

25/11/2020 1:44 PM 0 komente

Me mbështetjen e IFC-së, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, Qeveria Shqiptare ka krijuar operatorin e bursës dhe tregut të energjisë elektrike në Shqipëri, ALPEX, që shënon një hap të mëtejshëm drejt integrimit të vendit në tregun pan-Evropian të energjisë dhe kontribuon në përmirësimin e klimës së investimeve në vend dhe tërheqjen e investimeve të huaja në sektorin e energjisë, sipas një njoftimi zyrtar të IFC.

Në partneritet me Ministrinë e Financave të Norvegjisë, IFC-ja i ka ofruar Qeverisë Shqiptare këshillime teknike dhe rregullatore që nga viti 2016, duke bërë të mundur krijimin e ALPEX-it, bursës së energjisë, e cila do të funksionoje si operatori i tregut të energjisë elektrike në Shqipëri. Bursa do të krijojë një treg të organizuar të energjisë elektrike në përputhje me detyrimet e Shqipërisë si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, i cili bën së bashku Bashkimin Evropian dhe fqinjët e tij në një treg të integruar pan-Evropian të energjisë. Bursa gjithashtu do të kontribuojë në uljen e mëtejshme të faturës së importit së energjisë elektrike në vend.

ALPEX u themelua në 23 tetor 2020 me synimin për të siguruar një platformë transparente dhe të besueshme ku shitësit dhe blerësit shesin dhe blejnë energji në një mënyrë të sigurtë sa i takon verifikimeve dhe shlyerjeve të transaksioneve të tyre. Duke koordinuar në një ankand të centralizuar ofertat orare dhe ofertat e shitjes dhe blerjes së energjisë, ALPEX do të nxjerrë në pah në mënyrë transparente çmimin për orë duke mundësuar që ky çmim të parashikohet dhe projektohet në avancë dhe të shërbejë për të tërhequr investime të reja dhe më të lira në sektorin e energjisë.

“Krijimi i një operatori tregu është një hap i madh në liberalizimin e tregut shqiptar të energjisë,” tha Znj. Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. “Ky është një sukses i madh për të gjithë aktorët e interesuar i cili do të kontribuojë në integrimin rajonal”.

ALPEX gjithashtu do të ndihmojë Shqipërinë të optimizojë rezervuarët e saj hidroenergjetikë. Ai është në pronësi të përbashkët të OST-së dhe KOSTT-it, operatorët e sistemit të transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe do të funksionojë si operator tregu si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Aksionarëve së bashku me krijimin e ALPEX-it përbëjnë dy momente të rëndësishme. Një treg transparent dhe konkurrues i energjisë elektrike do të tërheqë investime të reja në sektor, duke kontribuar kështu në një treg rajonal të integruar aq të nevojshëm për Ballkanin Perëndimor”,  tha Z. Ary Naïm, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore. “IFC-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në forcimin e tregut të energjisë në vend dhe ne jemi të lumtur të shohim hapat pozitivë të ndërmarra kohët e fundit.”, thuhet në njoftim

 

Rreth IFC-së

IFC-ja – anëtare e Grupit të Bankës Botërore – është institucioni më i madh global i zhvillimit që fokusohet në sektorin privat të tregjeve në zhvillim. Ne veprojmë në më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin financiar 2020, ne kemi investuar 22 miliardë dollarë në kompani private dhe institucione financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of