Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të vazhdojnë edhe sot takimin, për të tretën ditë radhazi në përpjekje për të arritur marrëveshjen finale për bashkëqeverisje. Kurti e Mustafa janë takuar edhe të hënën dhe të martën.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa do të ulen në tavolinën e bisedimeve për të tretën ditë me radhë.
Ata do t’i vazhdojnë edhe sot pasdite negociatat për formimin e Qeverisë së re.
Kurti dje gjatë ditës ka thënë se janë në cep të marrëveshjes, ndërkaq takimi i tyre nuk ishte vendimtar për të mbetur që gjithçka të bisedohet sot.
Në mbrëmje është raportuar se të dy palët kanë rënë dakord, mirëpo gjithçka pritet të qartësohet gjatë ditës së sotme.
Lidhur me mundësinë e arritjes së marrëveshjes së koalicionit, nga të dyja këto parti janë shprehur optimistë derisa kanë dhënë indikacione për intensifikim takimesh e përafrim të marrëveshjes.
Pas diskutimeve triorëshe, të mërkurën dy subjektet kanë dhënë nga një deklaratë të shkurtër dhe të koordinuar.
Fillimisht zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka folur para mediave duke thënë se “ka lëvizje në përpjekjen për arritjen e marrëveshjes”, teksa ka paralajmëruar takimin e radhës.
Pak minuta më vonë është deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.
“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim. Takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër (sot, e enjte)”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Thaçi në heshtje pas përfundimit të ‘48 orëshit’
Të hënën Presidenti Hashim Thaçi e ka pritur në takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për t’u konsultuar rreth mandatimit të kandidatit për kryeministër.
Në këtë takim pak minutash, ndër të tjera Thaçi i ka dhënë Kurtit një afat 48 orësh që subjekti i tij ta dërgojë emrin e mandatarit në Presidencë.
Ky afat tashmë ka kaluar dhe nuk ka pasur ndonjë deklarim të ri të Thaçit, ndonëse dje Arbëria Nagavci nga VV ka thënë se “emrin e mandatarit te Presidenti do ta dërgojmë në ditët në vijim”.
Në anën tjetër Vetëvendosje dhe LDK kanë zhvilluar takimet e tyre si tentativë për ta finalizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje në mes tyre. Ata do të takohen edhe sot pasdite, siç kanë bërë edhe në dy ditët e kaluara.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte mbetur e “befasuar” dhe e quajti të njëanshëm veprimin e Vetëvendosjes në seancën e 26 dhjetorit, edhe pse të gjithë 28 deputetët e kësaj partie votuan për kandidatin e propozuar të VV-së. Pas këtij veprimi, për LDK-në të gjitha marrëveshjet e deritashme me VV-në kanë rënë në ujë.
Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetutës të Republikës së Kosovës të vitit 2014, në rolin si iniciues, presidenti i Republikës ka mandat, por edhe obligim kushtetues në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, që t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në kuvend.
Kjo Gjykatë ka theksuar po ashtu që “presidenti i Republikës nuk e ka diskrecionin të refuzojë caktimin e kandidatit të propozuar për kryeministër”.
Ndarja e posteve mes VV dhe LDK
E gjatë natës së mbrëmshme është raportuar se sipas të gjitha gjasave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur pajtueshmëri për të bashkëqeverisur. Sipas raportimeve kështu janë ndarë edhe ministritë.
LDK do t’i ketë 6 ministri:
Ministria e Jashtme, e Integrimit Evropian dhe Diasporës
Ministria e Brendshme, e Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal
Ministria e Arsimit dhe Kulturës
Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Vetëvendosje do t’i ketë 4 ministri:
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Financave dhe Transfereve
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë
Ministria e Shëndetësisë dhe Sportit
LDK-ja do ta ketë të drejtën për ta propozuar kandidatin për Presidentin e Kosovës, i cili do të përkrahet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!
Glauk Konjufca do të mbetet Kryetar i Parlamentit. Vjosa Osmani do të mund të zgjidhet Ministre e Punëve të Jashtme ose Zëvendëskryeministre e parë. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.