Merrni kazmën dhe lopatën!
Erdhi pranvera! Erdhi momenti të nisni të mbjellat, në ballkonin apo kopshtin tuaj. Edhe në kohë izolimi, le t’i përvishemi punës. Ata që tashmë mbjellin perimet e tyre do t’ju thonë se të mbjellësh është një ilaç kundër mërzisë e për t’ju larguar stresin! Më poshtë gjeni katër këshilla praktike nga Pascal Garrigues, shef kuzhine në Monte-Carlo Beach, për të krijuar kopshtin tuaj me perime.
Këshilla nr. 1- Vendosja dhe plani
Pascal Garrigues: Zgjidhni vendin me më shumë diell në kopshtin tuaj, mbi një sipërfaqe të sheshtë ose me një pjerrtësi të lehtë, pranë shtëpisë, afër një rubineti uji për t’i ujitur, dhe lehtësisht e arritshme. Bimët, që të rriten, kanë nevojë për minimalisht 6 orë diell në ditë. Pasi të keni zgjedhur vendin e përshtatshëm, merrni një laps e një letër dhe vizatoni planimetrinë e hapësirës suaj. Unë krijova shirita 1,2 metra të ngritura dhe të kufizuara me dërrasa, në mënyrë që të bëja dy rreshta me perime. Perimet vendosen në korridore 60 cm, për të krijuar një hapësirë kalimi dhe mirëmbajtjeje. Më pas zgjidhni llojin dhe sasinë e perimeve që do të mbillni. Në fakt, perimet duhet të mbillen me një distancë prej 70 cm dhe të lihen rreth 50 deri në 60 cm hapësirë midis dy rreshtave.
Këshilla nr. 2- Përgatitja e tokës dhe ujitja
Idealja është të ktheni tokën në vjeshtë. Duhet ta përziejmë me material organik, humus pylli, kompost ose pleh kali. Në pranverë, krihni tokën përpara mbjelljes. Një tokë e pasur me humus dhe e lehtë do të zhvillojë rrënjët dhe do t’ju sigurojë një vjelje më të mirë. Për vaditje, kam zgjedhur sistemin me pika, pasi kursen sasinë e ujit dhe mund të programohet. Kjo gjë ju lehtëson jetën dhe do të bëjë të mundur një vaditje të përditshme dhe të rregullt.
Këshilla nr. 3 – Çfarë të rrisim, të sezonit
Mbillni shumëllojshmëri gjatë gjithë stinëve për të korrur perime gjithë vitin. Për një korrje në pranverë, në fillim të vjeshtës mbillni bathë dhe bizele, ndërsa në nëntor luleshtrydhe. Në fillim të marsit, është koha për të mbjellë sallatë, perimet me gjethe jeshile, spinaq, panxhar dhe qepë të njoma. Në fillim të majit, në momentin që toka ka arritur 15 gradë ngrohtësi, mund të mbillni çdo gjë, domate, kungull, patëllxhan, speca, pjepër, bishtaja. Borzilokun mbilleni mes rreshtave të domateve, pasi nuk i nevojitet dritë e fortë dhe në këtë mënyrë do të jetë i mbrojtur nga insektet. Në fund të gushtit, mbillni lakër dhe presh që t’i mblidhni në dimër; dhe artiçok për t’i shijuar në fund të marsit dhe fillim të prillit.
Këshilla nr 4. – Mirëmbajtje dhe plehërim
Ekzistojnë dy lloje plehërimi: organik, shpesh është kashtë, ose kimik, gjethe plastike ose shtrese gjeotekstile. Zbulova mbjelljen me agrofibër, kjo shmang rritjen e barërave të këqija dhe ruan freskinë e tokës. Nuk ka asgjë edhe nëse vendos të plehërosh por do duhet të presësh barërat e këqija dhe të vadisësh më shpesh.
Është e nevojshme të plehërojmë tokën rregullisht, në mënyrë që të jetë në gjendje të ushqejë bimët. Përzgjidhni një pleh organik, i cili do të ketë një efekt më të gjatë dhe të rregullt sesa një pleh kimik, i cili nuk do të sjellë lëndë organike dhe do të degradojë tokën.
Më pas, për të mbështetur perimet në mënyrë që të rriten drejt, unë përdor kallamishte që i mbledh afër shtëpisë sime. Ato duhet të futen në tokë përpara se të mbjellim bimën. Gjithmonë vadisni rrënjën dhe jo gjethet për të shmangur zhvillimin e sëmundjeve. Mbikëqyrni të mbjellat tuaja, porsa të shfaqen insektet e padëshiruara, duhet t’i shpëtoni prej tyre. Unë përgatis një insekticid me bazë uji të sapunit të zi dhe vaj kolze, të cilin e spërkas në bimët e infektuara. Pas 30 minutash duhet ta spërkasim me ujë të pastër në mënyrë që insektet e ngordhura të bien në tokë.
Po sikur të mos keni një kopsht?
Gjithashtu është e mundur të mbillni perime në ballkonin tuaj! Ekzistojnë kit-e të gatshme, zakonisht janë korniza druri katrore, të veshura me kanavacë rezistente ndaj ujit. Për zbatimin, vendosni në fund të vazos, pozzolan, zhavorr me gurë vullkanikë, të cilat do të sigurojnë kullimin e ujit vaditës. Mbushni vazon me të paktën 30 cm me përzierje vegjetale toke dhe humusi.
Bëni zgjedhjen tuaj! Mund të mbillni gjithçka, luleshtrydhe, bimë aromatike, domate, patëllxhan, sallatë. Ashtu si dhe për kopshtin me perime në tokë të hapur, bëni një plan. Bimët që ngjiten nga toka si domate dhe patëllxhanë do të mbillen në pjesën e pasme të vazos, në mënyrë që të mos pengojnë dritën për bimët më të ulëta.
Gjatë mbjelljes, vendosni pak pleh organik në fund të gropës, do të ushqejë bimët gjatë rritjes së tyre. Gjithashtu shikoni lagështinë e substratit tuaj … vaditja e shpeshtë është thelbësore. Ju mund të zgjidhni një sistem vaditjeje me pika të programuar.
Nëse mendoni se mund të kujdeseni përditë për to, filloni aventurën!
Është radha juaj!