Monedha dixhitale e planifikuar e Facebook ka kaluar disa muaj vërtet të vështirë. Më 18 qershor, Facebook bëri publike planet mbi Libra-n, një monedhë dhe një sistem i ri pagesash që do të hidhet në treg në vitin 2020.
E quajtur “Zuck Buck” nga kongresmeni amerikan, Brad Sherman, plani ishte që të përfshinte një ndërthurje midis sipërmarrësve të guximshëm dhe teknologjisë që qëndronte në themel të kriptomonedhave, e cila mendohej dhe shpresohej se do të trondiste sistemet financiare të botës.
Paratë do të lëviznin me një shpejtësi të madhe dhe përtej kufijve. Libra do të përmirësonte jetën në shtetet e pasura dhe do ta revolucionarizonte atë në vendet e varfra, ku shërbimet themelore financiare janë të shtrenjta dhe të pakta. Në fund, siç thekson Facebook, rreth 1.7 miliardë njerëz nuk kanë akses në një llogari bankare. Përveç zgjerimit të mëtejshëm të perandorisë së Facebook, Libra do ta integronte këtë të fundit edhe në sistemin financiar.
Në katër muajt më pas, Libra kaloi kohë jo të mira. Shumë prej firmave partnere të saj humbën besimin dhe nuk kishin më guxim për të vazhduar më tej. Që në fillim, politikanët dhe rregullatorët në të gjithë botën nuk shprehën mbështetje për të. Më 23 tetor, Mark Zuckerberg, CEO i Facebook, kaloi disa orë duke qëndruar vetën në Uashington DC, duke hamendësuar disa prej pyetjeve më armiqësore që mund t’i bëheshin nga politikanët amerikanë në Komitetin e Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve.
Një prej problemeve kryesore, të cilin e pranoi dhe vetë z. Zuckerberg, është Facebook. Maxine Waters, demokratja kaliforniane e cila drejton Komitetin, filloi procedurat, duke theksuar të gjitha akuzat në drejtim të tij. Ai ka qenë subjekt i hetimeve antitrust në 47 shtete, Rusia e ka përdorur atë për të manipuluar zgjedhjet amerikane, dhe është gjobitur me 5 miliardë dollarë për mashtrimin që u bëri përdoruesve të rrjetit të tij. Nydia Velázquez, një demokrate nga Nju Jorku, e akuzoi Zuckerberg-un se ai i gënjeu rregullatorët europianë për bashkimin e të dhënave të përdoruesve të WhatsApp, një shërbim mesazhesh i blerë nga Facebook në 2014, me ato të pjesës tjetër të kompanisë. Pas fakteve që sollëm në kujtesë, pse dhe mbi të gjitha a mund t’i besohet firmës në fjalë, me një të kaluar të tillë, diçka kaq e rëndësishme sa një monedhë? – ishte pyetja e kongresmenes.
Z. Zuckerberg theksoi se Libra nuk do të administrohet nga Facebook, por nga Shoqata e Libra-s, një organ i pavarur që përfshin kompani të tjera në Zvicër. Por edhe kjo Shoqatë nuk është më ajo që u mendua se do të ishte në fillim. Nga 28 anëtarët kryesorë të saj, një e treta e tyre janë larguar. PayPal, firma e pagesave online, u largua prej saj më 4 tetor.
Një javë më vonë, eBay, Mastercard, Mercado Pago, Stripe dhe Visa, kompani për pagesa u larguan prej saj, njësoj siç veproi edhe kompania e udhëtimeve Booking Holdings. Firma holandeze, PayU, është firma e vetme e pagesave pjesë e kësaj Shoqate. Anëtarët e tjerë përfshijnë kompanitë Uber dhe Lyft, disa kompani telekomunikacioni si Iliad dhe Vodafone, një grup sipërmarrësish kapitalistë dhe disa organizata bamirësie. Shefi i departamentit të produkteve të Shoqatës, Simon Morris, u largua prej saj në gusht të këtij viti.
Pyetje të tjera lidheshin me privatësinë e përdoruesve të Libra-s dhe tërheqjen e mundshme të Libra-s ndaj pastrimit të parave. Z. Zuckerberg premtoi se Libra nuk do të fillonte funksionimin e saj deri në momentin që ai të marrë lejen dhe miratimin e rregullatorëve financiarë të Amerikës. Por për një monedhë me ambicie globale, miratimi i amerikanëve nuk do të jetë i mjaftueshëm. Franca, Gjermania dhe Italia kanë thënë se mund ta bllokojnë Libra-n; edhe India e cila ka më shumë se gjysmë miliard përdorues të internetit, ka qenë jo entuziaste në këtë drejtim.
Sipas Facebook, në dallim nga shumica e kriptomonedhave, Libra do të mbështetet nga një shportë asetesh, përfshirë këtu monedhat dhe obligacionet e qeverisë. Në një raport të G7, një organizatë me shtete të pasura, u citua se, nëse Libra do të miratohet gjerësisht, ajo mund të përbënte një rrezik për sistemin financiar global dhe nuk duhet të miratohet deri në momentin që të gjithë të binden mbi sigurinë e saj. Edhe fakti se Libra është etiketuar si një kriptomonedhë (mënyra sesi ajo do të funksionojë me saktësi mbetet ende e paqartë) nuk është në avantazh të saj, sepse rregullatorët janë të vetëdijshëm për reputacionin negativ të kriptomonedhave. Megjithatë, të menduarit pozitiv është në rend të ditës, të paktën në publik. Z. Zuckerberg e mbrojti deri në fund Libra-n dhe foli gjerësisht për vlerën e inovacionit dhe potencialin e saj për të përhapur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën./ The Economist
Paypal, eBay, Mastercard, Booking dhe Visa largohen nga projekti Libra i FB
Sipas Forumit Ekonomik Botëror, blockchain nuk është një teknologji magjike për sigurinë dhe t’i besosh është shumë e vështirë. Çështja është që as nuk mund të neglizhohet, pasi deri në 10 % të Produktit të Brendshëm Bruto do të jetë në sistemet blockchain deri në 2025. Nga identifikimi i produkteve, rekordet mjekësore, regjistri i pronave, gradët shkencore dhe kontratat e sigurimit, blockchain po funksionon aktualisht.
Por është tjetër risk përdorimi i kriptomonedhave bazuar në teknologjinë blockchain. Ish-kryetari i Rezervës Federale, Alan Greenspan, tha këtë javë se nuk ka nevojë që bankat qendrore të emetojnë valuta dixhitale, ndërkohë që projekti më i famshëm në këtë fushë, Libra i Facebook, po humbet partnerët njëri pas tjetrit.
Nga 28 anëtarët kryesorë të saj, një e treta e tyre janë larguar. PayPal, firma e pagesave online, u largua prej saj më 4 tetor. Një javë më vonë, eBay, Mastercard, Mercado Pago, Stripe dhe Visa, kompani për pagesa u larguan nga prej saj, njësoj siç veproi edhe kompania e udhëtimeve, Booking Holdings. Kompania holandeze, PayU, është firma e vetme e pagesave pjesë e kësaj Shoqate. Anëtarët e tjerë përfshijnë kompanitë Uber dhe Lyft, disa kompani telekomunikacioni si Iliad dhe Vodafone, një grup sipërmarrësish kapitalistë dhe disa organizata bamirësie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.