Intervistë me Arton Lena, drejtor i përgjithshëm i WVP FUND MANAGEMENT TIRANA
WVP FUND MANAGEMENT TIRANA është e vetmja shoqëri që administron fonde të cilat investojnë instrumente financiare me rrezik relativisht të lartë, siç janë aksionet. Drejtori i Përgjithshëm, Arton Lena, thotë për revistën “Monitor” se për momentin, kriptovalutat nuk janë një alternativë për fondet e investimit, edhe për shkak të pengesave ligjore.
Sipas tij, për momentin, kriptovalutat janë më shumë spekulim, sesa investim i mirëfilltë, por në të ardhmen, mund të merret në konsideratë mundësia e ngritjes së fondeve të investimit të dedikuara për këto asete. Ligji që hyri në fuqi në shtator 2020, sipas tij, krijon më shumë shanse për përfitime për bizneset, të cilat do të jenë në shërbim të teknologjisë blockchain dhe kriptovalutave, sesa tak ata që do të investojnë në kriptovaluta.
Mendoni se kriptovalutat sot mund të jenë një investim i mirë? A do ta këshillonit si alternativë investimi për investitorët e vegjël?
Mendoj se secili duhet të niset nga parimi që të investojë në atë që njeh më mirë. Duke pasur parasysh faktin që kriptovalutat kanë një historik të shkurtër në krahasim me instrumentet e tjera financiare dhe shumica kanë njohuri të kufizuara mbi investimin e tyre, mendoj se duhet investuar aq sa keni njohuri mbi to. Mund të jetë një investim i mirë, por duhet të jetë një investim i matur, me një përqindje të vogël të aseteve të përqendruara aty.
Investitori i vogël, nëse do të investojë dhe të marrë pjesë në tregun e kriptovalutave, në fillim duhet të investojë në njohurinë dhe edukatën mbi kriptovalutat dhe pastaj të nisë të investojë me një shumë të vogël parash, të cilat edhe nëse i humb, nuk do ta dëmtojnë. Dhe, deri tani, flasim më shumë për një spekulim, se sa investim.
Cilat janë avantazhet dhe rreziqet kryesore të lidhura me investimin në kriptovaluta?
Rreziqet më të mëdha janë volatiliteti i madh i çmimeve të kriptovalutave dhe gama e madhe e kriptovalutave, të cilat dalin çdo ditë në treg. Përsëri do të kthehem në atë që thashë më lart dhe që e kam si parim: rreziku më i madh është rreziku i mosinformimit, rreziku i investimit në kriptomonedha duke mos pasur asnjë njohuri dhe strategji investimi.
Rrezik tjetër mund të jetë investimi me borxh (leveraged investments) të cilat mundësojnë kompanitë komisionere, ku nëse çmimi e kriptomonedhës lëviz në drejtimin e kundërt, mundeni shumë shpejt të humbni kapitalin e investuar. Avantazhet janë lehtësia e investimit në kriptomonedha, sepse të duhet vetëm një llogari online dhe shansi për të përfituar nga rritja e çmimit të kriptovalutave.
Besoni se fondet e investimit në Shqipëri duhet ta marrin në konsideratë investimin në kriptovaluta?
Në radhë të parë, kemi ende kufizime ligjore. Jo vetëm në Shqipëri, por gati në të gjithë botën, legjislacioni nuk e lejon investimin në kriptovaluta për fondet e investimeve të hapura. Kjo sepse kripotvalutat nuk janë ende të rregulluara dhe nuk klasifikohen si instrumente financiare. Ndoshta një fond alternativ, i cili investon në kriptovaluata, do të ishte interesant, por këtu duhet të jemi shumë të qartë në strategjinë e fondit, nëse do të investohet apo tregtohet me kriptovaluta, dhe sidomos duhet që investitorët të jenë të vetëdijshëm për rrezikun.
Si e parashikoni ecurinë afatgjatë të kriptovalutave në tregje? Mendoni se bumi tyre do të vazhdojë apo mund të ketë një flluskë?
Nuk mund të jap ndonjë parashikim, pasi këtu kemi shumë faktorë që duhet të marrin në konsideratë. E para, jo të gjitha kriptovalutat janë të njëjta dhe nuk mund të thuhet që nëse njëra do të vazhdojë rritjen, do të rriten edhe të tjerat. Kemi pastaj edhe faktorin e rregullimit. Në Kinë, një ndër tregjet më të mëdha në botë, i ndaluan të gjitha kriptovalutat dhe tregtimin e tyre, ndërkohë Banka Qendrore e Kinës po përgatitet të nxjerrë në qarkullim monedhën e vet dixhitale.
Amerika dhe BE janë po ashtu në procese të ngjashme. Ajo çfarë është e qartë nga e gjithë kjo zhurmë e kriptovalutave është se teknologjia blockchain solli një ndryshim rrënjësor në uljen e kostove të transaksioneve dhe këtu jemi në fazën fillestare. Do ta krahasoja këtë teknologji me atë të internetit, në vitet ‘90.
Mendoni se ligji i ri “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” do të ketë impakt në rritjen e tregtimit të kriptovalutave në Shqipëri dhe në tërësi, në zhvillimin e tregut financiar shqiptar?
Mendoj se ligji është një avantazh që i jep Shqipërisë për t’u pozicionuar si pionier në zhvillimin e industrisë blokchain. Kjo gjë më bën optimist se mund të kapim valën e bumit të kësaj industrie dhe shikoj shanse për bizneset shqiptare të përfitojnë. Ato që do të ndërtojnë biznese të cilat, do të jenë në shërbim të teknologjisë blockchain dhe kriptovalutave, do të kenë shansin të pasurohen më shumë se ato që do të investojnë në kriptovaluta.
Po bëj një paralele të “Gold Rush” (“ethet” e arit) të viteve 1850 në Amerikë, ku të gjithë vraponin në Kaliforni për të gërmuar ar. Shumë pak veta patën sukses për të gjetur ar dhe u pasuruan prej tij. Por të gjithë ata që e kuptuan shansin dhe filluan të shesin vegla për të gërmuar arin, krijuan pasuri për vete dhe familjet e tyre.
Për sa i përket zhvillimit të tregut financiar shqiptar, këtu duhet të veprohet me kujdes. Sepse nëse fillohet dhe spekulohet me kriptovaluta dhe disa njerëz pasurohen shpejt, të tjerë humbin kapitalin dhe më shumë. Duhet të krijojmë kulturë të planifikimeve financiare në një afat më të gjatë. Duhet të tentojmë te krijimi i pasurisë, duke investuar në instrumente financiare, ose biznese të qëndrueshme, që krijojnë pasuri në një periudhë të mesme ose të gjatë kohore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.