Justifikimet ishin të bollshme kur Kristian Demokratët e qendrës së djathtë të Gjermanisë (CDU) pësuan dy nga humbjet më të thella të zgjedhjeve lokale në mars.
Partia po garonte kundër partive të tjera popullore në shtetin Baden-Württemberg i udhëhequr nga Partia e Gjelbër dhe në Rhineland-Palatinate, drejtuar nga Social Demokratët (SPD), shkruan The Economist. Krerët e shtetit të CDU-së kishin zgjedhur kandidatë të dobët. Armin Laschet, lideri i partisë, kishte thënë para votave se zgjedhjet e shtetit kanë karakter unik. Ndërsa politika kombëtare është një çështje krejt tjetër.
E vërtetë. Por nuk mund të maskohet pakënaqësia që është përhapur në partinë qeverisëse të Gjermanisë. Si për t’i përkeqësuar punët, rezultatet e zgjedhjeve kontribuan në përhapjen e idesë se partia CDU e ka humbur rrugën e vet. Gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, pas të cilave kancelarja Angela Merkel do të tërhiqet, partia që ka drejtuar Gjermaninë për mbi 15 vjet, po përballet papritmas me mundësinë që ajo mund të largohet nga qeveria në të njëjtën kohë si kancelarja.
Duke mos qenë një parti shumë pjellore në ide, në pjesën më të madhe të epokës Merkel, CDU është mbështetur në dy cilësi të tjera për tërheqjen e saj elektorale. Njëra është kompetenca. Të katër qeveritë e drejtuara nga zonja Merkel e udhëhoqën Gjermaninë përmes një sërë krizash nga të cilat vendi doli thuajse i paprekur. Papunësia dhe borxhi mbetën në nivele të ulëta dhe eksporti dukej i fuqishëm. Shteti kaloi prova të ndërlikuara si një fluks i madh emigrantësh në vitet 2015-16. Menaxhimi efikas i CDU-së dhe në veçanti i zonjës Merkel, i shkëputi shumë votues nga problemet e politikës.
Mënyra efikase me të cilën qeveria e përballoi fazën e parë të pandemisë, e përforcoi këtë ide. Mbështetja publike për zonjën Merkel dhe partinë e saj u rrit, edhe pse mbështetja për partinë partnere në koalicion, SDP-në, mbeti në vend (shih grafikun 1). Megjithatë, situata është duke u bërë më e lëkundur, ndërkohë që Gjermania po hyn në valën e tretë të Covid-19. Vaksinimi është i ngadaltë. Një plan për të lehtësuar masat bllokuese të vendosura në fillim të marsit, edhe pse rastet e regjistruara po rriteshin, është çorientuar krejt; sepse sapo vendi u rihap, disa pjesë të Gjermanisë po mbyllen përsëri. Dëshpërimi i bizneseve është rritur nga vonesat burokratike në shpërndarjen e ndihmave.
Për më tepër, anëtarët e parlamentit të partisë CDU dhe partisë së saj motër në Bavari, Unionit Social Kristian (CSU), janë rrethuar nga një sërë skandalesh me akuzat se kanë mbushur xhepat përmes marrëveshjeve për sigurimin e maskave. Kjo ka lënë një shije të keqe, ka dëmtuar imazhin e partisë dhe mund të vazhdojë për më gjatë. Plot 88% e votuesve janë të pakënaqur me shpërndarjen e vaksinave. Numri i personave që thonë se koalicioni CDU/CSU është më i përshtatshëm për të menaxhuar problemet e Gjermanisë, ka rënë. Brenda disa javësh “bonusi nga Covid” që i dha avantazh partisë në sondazhe, pothuajse është zhdukur.
Tërheqja tjetër e madhe e epokës Merkel për votuesit, ishte qëndrueshmëria. CDU/CSU ka udhëhequr qeveritë e koalicionit gjerman për 51 nga 71 vitet e pasluftës të republikës, duke ruajtur mbështetjen edhe kur fragmentimi politik zhyti partinë SPD, rivalin e saj tradicional. Kishte kohë që dukej se Gjermania do të shkonte drejt një koalicioni të udhëhequr nga CDU/CSU me të Gjelbrit, pas zgjedhjeve të shtatorit.
Por ndërsa njerëzit po largohen nga CDU, ose siç e quan ajo veten “partia e fundit e popullit”, nocioni i një qeverie pa konservatorët është bërë më i mundshëm. Një koalicion “me ngjyrat e semaforit” nga SPD, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë liberalë (FDP), është kthyer në temën e ditës, megjithëse mbetet i pamundur në nivelin federal. Por sapo partia të mos duket më e pathyeshme, më shumë votues do të tundohen nga alternativa.
Për një pjesë të kësaj situate, është fajtor zoti Laschet, i cili ka qenë në krye të CDU-së për gati dy muaj. Prioriteti i tij i menjëhershëm ishte të bashkonte krahët e një partie të ndarë midis centrizmit të tij dhe konservatorizmit më të fortë të Friedrich Merz, të cilin ai e mposhti me një rezultat të ngushtë në janar. Por deri tani, zoti Laschet ka dështuar në mënyrë të konsiderueshme për të siguruar udhëheqjen në partinë e tij. Ai u tregua i ngathët në përgjigjen ndaj skandaleve të korrupsionit.
I shpërfilli ankesat se nuk po tregohej aktiv pas zgjedhjeve të shtetit me një argument të dobët se ishte detyra e sekretarit të përgjithshëm të CDU-së të përgjigjej. Dhe megjithëse imazhi i tij si një njeri i moderuar përshtatet me opinionin publik, ai nuk ka treguar asnjë interes për të ofruar një vizion për Gjermaninë pas Merkelit. “Shpjegimi i vetëm që unë mund të shoh është se ai nuk ka asnjë ide”, thotë një anëtar i dëshpëruar i parlamentit nga partia CDU. Edhe përkrahësit janë të zemëruar.
Në një pikë, në shtatë javët midis Pashkëve dhe Rrëshajave (në fund të fundit, janë Kristian Demokratë) zoti Laschet dhe Markus Söder, udhëheqësi i CSU-së dhe kryeministri i Bavarisë, do të vendosin se cili prej tyre do të drejtojë dy partitë në zgjedhje. Zoti Söder është një politikan i mençur i cili ka ndërtuar një reputacion kombëtar, ndërsa këmbëngul se ambiciet e tij nuk shkojnë përtej kufijve të shtetit të vet.
Megjithatë, edhe pse vetëm 16% e votuesve të CDU-së mbështesin zotin Laschet për kandidaturën, edhe deputetët e irrituar të CDU-së mendojnë se lideri i tyre ndoshta do të marrë miratimin. Disa pyesin në heshtje pse zoti Söder do të dëshironte të ndërronte një pozitë të rehatshme në Mynih për stresin e udhëheqjes së një partie të demoralizuar në një zgjedhje të pasigurt.
Në të vërtetë, fushata e fundit e epokës Merkel pritet të jetë më e gjalla. Të Gjelbrit, pothuajse e sigurt se do të hyjnë në qeveri në një koalicion ose një tjetër, janë plot me ide. FDP, që po shijon një rimëkëmbje modeste, ka gjetur më në fund një zë të veçantë në pandemi. Edhe SPD-ja për një kohë të gjatë një parti e vdekur, ka rizbuluar një shije për pushtet, e nxitur nga perspektiva e daljes së konservatorëve në opozitë. Blloqet tradicionale të votuesve janë prishur. “Edhe nëse shkruajmë manifestin më të mirë në botë, nuk do të jetë e lehtë për ne”, thotë Katja Leikert, një anëtare e CDU-së.
Megjithatë, pavarësisht pengesave, koalicioni CDU/CSU është ende kandidati kryesor që pritet të udhëheqë qeverinë e ardhshme të Gjermanisë. Optimistët shpresojnë për një fushatë verore ku një parti e ribashkuar në pushtet shfrytëzon gjendjen e mirë shpirtërore të publikut, të frymëzuar nga një fushatë vaksinimi e suksesshme dhe një ekonomi në rimëkëmbje. Zoti Laschet mbetet favoriti për të pasuar zonjën Merkel në krye të ekonomisë më të madhe në BE. Por shanset e tij do të ishin shumë më të mira nëse do të ishte në gjendje të shpjegonte pse e meriton punën.
Përktheu: Lira Muça