Karantina dhe më pas masat kufizuese që zgjatën deri në qershor kanë prekur rëndë biznesin çka është reflektuar në një rënie të dukshme të konsumit të energjisë. Ky konsum ka rënë me të paktën 23 për qind. Të dhënat e Institutit të Statistikave për bilancin e energjisë elektrike në tremujorin e dytë tregojnë se me familjarët ka ndodhur krejt e kundërta. Konsumi është rritur me të paktën 19 për qind.
“Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2020, u ul me 8,7 % duke arritur vlerën 1.334 GËh nga 1.461 GËh që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2019. Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuuan me -13,4 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +4,7 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë” vlerëson INSTAT.
Prodhimi i energjisë në rënie
Viti 2020 cilësohet si një vit aspak pozitiv sa i takon situatës hidrike në vend. prodhimi i energjisë ka shënuar rënie në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, energjia elektrike në dispozicion u ul me 9,6 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.188 GWh nga 1.280 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2019, duke shënuar një rënie të prodhimit me 7,1 %. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 48,1 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 51,1 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e dytë të vitit 2020, arriti vlerën 681 GWh nga 683 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 0,2 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 224 GWh nga 142 GWh duke shënuar një rritje me 57,9 %.
Hidrocentralet publike, në tremujorin e dytë të vitit 2020, prodhuan 572 GWh nga 484 GWh të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2019, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 18,2 %. Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 607 GWh nga 790 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 23,2 %.
Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e dytë të vitit 2020, ka pësuar një rritje me 15,5 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019.
Humbjet në rrjet arritën vlerën 311 GWh nga 359 GWh duke shënuar kështu një rënie me 13,4 %. Humbjet në transmetim kanë rënë me 13,4 % ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 13,5 %. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 12,9 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 14,5 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019” thuhet në raportin e INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.