Në kontekstin e “presionit ndërkombëtar” dhe efektet e rënda të krizës së borxheve sovrane, jo vetëm të Greqisë, por dhe problematikës shqetësuese në Itali, Spanjë, Portugali, Irlandë, etj., të dobësimit të tregjeve financiare dhe mjaft bankave në Europë, të një rritjeje ekonomike edhe më të ulët se parashikimet “me rezerva” për Eurozonën, etj., duket se Europa ka filluar të projektojë ndryshimin e saj të madh
Nga ADRIAN CIVICI
Europa është në qendër të vëmendjes të mbarë botës. Nuk janë të pakët ata që mendojnë se Europa dhe projekti i saj nuk kanë të ardhme. Pafuqia e saj për t´i dhënë një zgjidhje të shpejtë e bindëse krizës greke dhe gjithë dyshimet për dobësitë e saj në menaxhimin e krizës së borxheve dhe qëndrueshmërinë e euros ka bërë që mbi Eurozonën dhe vetë BE-në të hidhen mjaft hije dyshimi. Të gjithë me sytë nga Europa po kërkojnë pa reshtur që ajo të ndryshojë “mënyrën e organizimit, funksionimit, vendimmarrjes, po kërkojnë një europianizim të mëtejshëm të saj” etj. SHBA, Kina, India, Brazili, Anglia, Japonia, Rusia, FMN, Banka Botërore, etj., po insistojnë me ngulm që qeveritë europiane të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krizën e borxheve sovrane dhe shëndoshjen e sistemit bankar e financiar të tyre, të japin një përgjigje të saktë e të besueshme për euron dhe të ardhmen e saj, të tregohen në lartësinë që kërkon autoriteti, roli dhe imazhi ndërkombëtar i Eurozonës dhe vetë BE-së.
Si rrallë ndonjëherë në historinë e takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, G20 apo OCDE, në rend të ditës nuk ishte problematika e vendeve të varfra, atyre në zhvillim apo vendeve me ekonomi emergjente, por vetë “çështja europiane” që ka krijuar jo pak frikë e ankth për të gjithë ekonominë dhe financat botërore. Vetë presidenti i BQE-së, Jean-Claude Trichet pohon se tashmë “kriza ka arritur një dimension sistemik… se tashmë tensionet mbi borxhet sovrane janë zhvendosur në ekonomitë më të rëndësishme të BE-së. Qeveritë kombëtare dhe institucionet europiane duhet të veprojnë shpejt, për të mos ta lënë situatën që të përkeqësohet edhe më shumë”.
Aq i domosdoshëm është bërë veprimi i përbashkët dhe i koordinuar i drejtuesve të lartë të qeverive europiane, sa para disa ditësh, një nga editorialet e gazetës “Le Monde” hapej me titullin shokues “Schuman zgjohu këta janë çmendur” duke ju referuar “baballarëve të Europës” Jean Monnet, Robert Schuman dhe Alcide De Gasperi, të cilët që në vitin 1952 nënvizonin se “sa më gjatë që Europa të rrijë e copëtuar, aq më e dobët dhe problematike do të jetë ajo….ne kemi krijuar bazat mbi të cilat duhet të ndërtohen Shtetet e Bashkuara të Europës…”.
Pikërisht në këtë kontekst “presioni ndërkombëtar” dhe efektet e rënda të krizës së borxheve sovrane, jo vetëm të “rastit shumë të rëndë grek”, por dhe problematikës shqetësuese në Itali, Spanjë, Portugali, Irlandë, etj., të dobësimit të tregjeve financiare dhe mjaft bankave në Europë, të një rritjeje ekonomike edhe më të ulët se parashikimet “me rezerva” për Eurozonën, etj., duket se Europa ka filluar të projektojë ndryshimin e saj të madh. Shumë nga presidentët e Komisionit Europian si Walter Hallstein, Sicco Mansholt, Jacques Delors, Jacques Santer, Romano Prodi, José Barroso e kanë evidentuar faktin se “kur Europa gjendet në krizë..ajo është e aftë të bëjë ndryshime të mëdha…aq sa të krijohet përshtypja se pa u gjendur përballë një krize, Europa është e destinuar të rrijë në stanjacion”. Në njëfarë mënyre, gjithë historia 60-vjeçare e BE duket se ka kaluar në logjikën “shkak-pasojë”, “problem i lindur-zgjidhje e gjetur në favor të konsolidimit të saj”. Kështu duket se po funksionon dhe këtë herë, duke provuar vërtetësinë e shkrimit simbolik kinez, sipas së cilit fjala krizë pasqyrohet me dy simbole: “atë të një të sëmuri dhe atë të një ilaçi”. Disa nga elementet themelorë mbi të cilën funksionon Europa duket se kanë filluar të ndryshojnë rrënjësisht, duke ju përgjigjur në sensin e duhur sfidave të krizës financiare dhe vetë globalizimit.
Ndryshimet
Elementi i parë që dëshmon ndryshime rrënjësore në funksionimin e BE-së është roli i ri që po merr Banka Qendrore Europiane. Në traktatet apo marrëveshjet fondamentale institucionale europiane, objektivi qendror i BQE është përkufizuar “ruajtja e stabilitetit të çmimeve”, ose kontrolli rigoroz i inflacionit. Ky objektiv u kushtëzua ndjeshëm nga “veto” gjermane në momentin kur Gjermania duhej të braktiste monedhën e saj markën, një monedhë e fortë dhe mjaft e stabilizuar, në emër të euros për të cilën Gjermania kërkonte që të ishte jashtë çdo konteksti inflacionist. Dhe, në gjithë aktivitetin e saj, BQE e respektoi me fanatizëm këtë “dogmë”, ndërkohë që homologet e saj në botë, veçanërisht Banka Federale Amerikane (Fed) kishte në fokusin e saj nivelin e punësimit dhe rritjen ekonomike. Por, kriza e borxhit sovran në Eurozonë bëri që BQE të dilte nga filozofia e saj e “ortodoksisë monetare” dhe të merrte rol të ri, më të gjerë dhe më efikas në luftën ndaj krizës së borxheve dhe stabilitetin ekonomik e financiar të Eurozonës. BQE, me qëllim që të ulte normat e interesit të bonove të thesarit, bleu në tregjet sekondare obligacionet spanjolle dhe italiane, pranoi obligacionet greke me risk shumë të lartë, garantoi kredi të konsiderueshme për bankat greke etj. Në këtë mënyrë, BQE tregon se po hyn në një dimension të ri, shumë më të gjerë se ai “tradicional” i deritashëm, duke i dhënë Eurozonës një “instrument” efektiv në absorbimin e krizës së borxheve dhe njëkohësisht, duke nxitur rritjen ekonomike, nivelin e punësimit dhe duke stimuluar një konvergjencë më të mirë ekonomike e financiare ndërmjet vendeve të BE-së.
Elementi i dytë thelbësor është krijimi i Fondit Europian të Stabilitetit Financiar (FESF), i konceptuar si “dora europiane kundër spekulimeve me borxhet dhe deficitet e vendeve anëtare”. FESF tashmë mund të blejë direkt bono thesari apo obligacione të vendeve anëtare në vështirësi buxhetore, si dhe mund të emetojë obligacione të garantuara nga shtetet anëtare të Eurozonës, duke shfrytëzuar me sukses vlerësimin e lartë prej AAA që kompanitë e vlerësimit i kanë dhënë asaj. Me miratimin e saj nga Parlamentet e vendeve anëtare dhe në kushtet kur buxheti i FESF është tashmë 440 miliardë euro, por me një perspektivë të qartë drejt 1000 miliardë euro, FESF dëshmon hapin e madh të Eurozonës drejt “solidaritetit financiar ndërmjet shteteve anëtare”, element që nuk ekzistonte në asnjë nga parimet mbi të cilat u ngrit BE. Në përgjigje të sfidave të krizës aktuale financiare dhe në kuadrin e transformimit të vetë BE, FESF pritet që brenda vitit 2013 të transformohet në “një mekanizëm europian të stabilitetit” duke i europianizuar edhe më shumë financat europiane dhe duke ndikuar pozitivisht në krijimin real të Europës monetare.
Një nga pikat më delikate të Eurozonës përballë krizës ishte lehtësia me të cilën shumë vende anëtare devijuan nga kriteret e Manstricht-it dhe Pakti Europian i Stabilitetit në lidhje me masën e borxhit publik, deficitit buxhetor etj., duke i dhënë rrugë shpërthimit të krizës aktuale, të cilën e reflekton më së miri rasti grek, italian, spanjoll, irlandez, etj. BE konstatoi se nuk kishte asnjë mekanizëm apo instrument për ndalimin apo ndëshkimin e këtyre devijimeve me shumë pasoja të rënda për gjithë Eurozonën. Këtu e ka zanafillën dhe ndryshimi i tretë i madh që po realizon BE-ja. Tashmë është drejt konsolidimit mekanizmi dhe politika e “disiplinimit buxhetor të vendeve anëtare”. Së fundi, Parlamenti Europian ka miratuar një paketë masash për “forcimin e paktit europian të stabilitetit” duke i shtuar masat kontrolluese dhe ndëshkuese për shkelësit e kritereve makroekonomike. Buxhetet e vendeve anëtare duhet të miratohen paraprakisht nga Komisioni Europian, përpara se të zbatohen nga vendet anëtare, ndërkohë që vendet e “padisiplinuara” do ndëshkohen në masën 0.2% të PBB për çdo devijim nga kriteret e përbashkëta ku më kryesoret janë “deficiti buxhetor në nivelin 3% dhe borxhi publik deri në 60% të PBB.
Në këtë këndvështrim, në rrugën e solidaritetit financiar duket se së shpejti Eurozona do të kalojë dhe një tjetër etapë të rëndësishme siç është ajo e emetimit të eurobondeve. Deri tani, vendet anëtare emetojnë individualisht bono thesari, duke reflektuar në përqindjet e tyre të interesit situatën ekonomike dhe buxhetore të tyre. Me fjalë të tjera, sa më në vështirësi që të jetë një vend, aq më e lartë është norma e interesit që ai paguan për borxhin që merr nëpërmjet bonove të thesarit që emeton. Krijimi i “eurobondit” si bono thesari apo obligacione europiane, do të garantohet kolektivisht nga të gjitha vendet e Eurozonës, do t´i krijojë mundësi vendeve në vështirësi që të plotësojnë deficitet e tyre me kosto më të ulët, duke qenë edhe më të mbrojtur ndaj riskut buxhetor e fiskal, si dhe duke pasur mundësi më të mëdha që të mbështesin rritjen e tyre ekonomike. Këtij ndryshimi substancial në funksionimin financiar e monetar të BE duket se do t´i shtohet edhe konkretizimi së shpejti i postit të “ministrit europian të Financave”, që do të garantojë edhe më shumë solidaritetin, koordinimin dhe disiplinën financiare europiane. Qeverisja ekonomike, financiare dhe monetare e Eurozonës dhe BE-së në përgjithësi duket se e përktheu saktë domosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve thelbësore, jo vetëm si ilaç antikrizë, por edhe si rrugë drejt një Europe më unitare dhe ndoshta në rrugën drejt federalizmit.
Kriza në këndvështrimin shqiptar
Duke e parë në këndvështrimin shqiptar, si vend që aspiron anëtarësimin në BE, i gjithë ky ndryshim në qeverisjen ekonomike e financiare europiane, nxjerr në plan të parë “sfidën ekonomike e financiare, disiplinën buxhetore e monetare” si kriteret më të rëndësishme të integrimit. Nëse realisht duhet një pakt kombëtar politik për integrimin në BE, ai duhet të dominohet nga çështjet e zhvillimit ekonomik, stabiliteti financiar e monetar, cilësia e biznesit dhe hapësirat e reja të rritjes ekonomike, nga standardet e konkurrueshmërisë dhe masivizimin e inovacioneve dhe ekonomisë së dijes. Me këto zhvillime që po ndodhin në Europë, kriteret ekonomike dhe konvergjenca ekonomike e financiare ndërmjet vendeve anëtare apo kandidatëve të rinj, do të jenë filtra shumë më fortë dhe më seleksionues se sa thjesht dialogu i brendshëm politik i çdo vendi, marrëveshjet politike për ndarjen e posteve apo pushteteve, funksionimi “normal” i Parlamenteve, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.