Vala e rritjes së çmimeve do të sjellë pasoja afatgjata për ekonominë shqiptare.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të martën se ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe bilancet e sektorit publik, për një horizont të gjatë kohor. Sipas tij, rritja e inflacionit do të vendosë nën presion marzhet e fitimit të biznesit dhe do të rrisë kostot e shërbimit të borxhit.
Banka e Shqipërisë sugjeron që politikat ekonomike duhet të mbrojnë nga pasojat e goditjes shtresat më në nevojë të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë.
Ky objektiv duhet të përmbushet nëpërmjet një ndërhyrjeje të përkohshme dhe të kujdesshme të politikës fiskale, e cila, në çdo rast, duhet të synojë në maksimumin e mundshëm dhe të mos përkthehet në rritje të fortë të borxhit publik.
Guvernatori nënvizoi rrezikun që goditja fillestare e ofertës të transmetohet në kosto dhe të përkthehet në pritje për inflacion të lartë në të ardhmen, dikton nevojën e përshtatjes së qëndrimit të politikave ekonomike. Për këtë arsye, sipas tij, autoritetet publike duhet të ribalancojnë objektivin e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike me rrezikun e dëmtimit të stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.
“Në vizionin tonë, ekuilibri ekonomik dhe financiar është një parakusht i domosdoshëm për rritje të qëndrueshme. Në këtë kontekst, rritja gjatë muajit të kaluar e normës bazë të interesit sinjalizon vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend. Rikalibrimi i qëndrimit të politikës monetare synon të minimizojë pasojat që goditja e çmimeve do të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë.
Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se, edhe pas kësaj lëvizjeje, qëndrimi i politikës sonë monetare vijon të mbetet stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend. Paralelisht me autoritetet publike, edhe operatorët e sektorit privat duhet të marrin masa për minimizimin e pasojave të goditjes. Biznesi shqiptar duhet të rrisë vëmendjen ndaj kostove operacionale në përgjithësi dhe eficiencës energjetike në veçanti,” tha Sejko.
Duke komentuar raportin periodik të Tranzicionit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Guvernatori tha se ky dokument evidenton progres të mëtejshëm, ndonëse gradual, të reformave strukturore në Shqipëri dhe në vendet e rajonit. Duke u ndalur në gjetjet e raportit, Sejko u ndal në veçanti te digjitalizimi.
“Përballja me pandeminë përshpejtoi trendin e nisur të digjitalizimit të shumë aspekteve të jetës dhe të punës. Përfitimet nga digjitalizimi, në terma të rritjes së eficiencës e të produktivitetit, por edhe të rritjes së aksesit në financë, janë të mirëdokumentuara. Raporti vë në dukje se ky proces ishte edhe më i shpejtë në rajonin tonë, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë, në ruajtjen e vendeve të punës përgjatë pandemisë dhe në shtimin e tyre pas hapjes së ekonomive.
Banka e Shqipërisë ka vlerësuar dhe inkurajuar që herët aplikimin e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit në sistemin financiar. Në këtë drejtim, është punuar për nxitjen e përdorimit më të madh të teknologjisë në sistemin e pagesave, për përmirësimin dhe forcimin e kuadrit rregullator për institucionet e pagesave elektronike, si dhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe huamarrësit,” tha ai.
Për të nxitur më tej rritjen e aftësive teknologjike e për të përfituar nga dividendi teknologjik i lidhur me të, Banka e Shqipërisë sugjeron vijimin e reformave specifike që synojnë mbështetjen e digjitalizimit dhe të inovacionit teknologjik, si një instrument për rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë, me anë të forcimit të edukimit dhe aftësive digjitale, rritjes së infrastrukturës digjitale dhe të shërbimeve online, si dhe incentivizimin e kompanive për të investuar në teknologji të reja e për të shtuar trajnimin e forcës së punës; zhvillimin e mëtejshëm të tregut financiar dhe promovimin e tregut të kapitaleve, si një instrument për mbështetjen e bizneseve të reja e inovative, për diversifikimin e burimeve të financimit dhe për ndarjen e rrezikut financiar të sipërmarrësve dhe vijimin e reformave me synim rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e qeverisjes, adoptimin e politikave publike të gjelbra, rritjen e gjithëpërfshirjes në proceset ekonomike, forcimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe përshpejtimin e integrimit në tregjet rajonale e më gjerë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.