Intervistë me Edlira Konini, administratore e përgjithshme e Raiffeisen Invest
Edlira Konini, administratore e përgjithshme e Raiffeisen Invest, thotë në një intervistë për revistën “Monitor”, se efektet e krizës së COVID-19 në tërheqjet e investitorëve prej fondeve kanë qenë të kufizuara, madje të krahasueshme edhe me periudha të mëparshme.
Sipas saj, rënia e lehtë e vlerës neto të aseteve u përcaktua kryesisht nga frenimi i investimeve të reja në këto fonde. Megjithatë, në muajt e verës, Raiffeisen Invest raporton shtim të flukseve të reja hyrëse në fonde. Sipas saj, ligji i ri krijon hapësira për krijimin e fondeve të reja, me profil më të larmishëm investimi, ndërkohë që sugjeron se aplikimi i lehtësive fiskale mund të ndihmojë në rritjen e tregut.
Si është ndikuar tregu i fondeve të investimit nga kriza e lidhur me pandeminë e COVID-19? Cila ka qenë ecuria e vlerës së aseteve neto të fondeve nga muaji mars e në vazhdim? Keni pasur rënie të blerjes së kuotave, ose rritje të shitjes së tyre nga anëtarët?
Pandemia e COVID-19 krijoi një situatë të paprecedentë, që kapi në befasi gjithë globin dhe sektorët ekonomikë, përfshirë industrinë financiare. Në Shqipëri, tregu i fondeve të investimit, si pjesa më e rëndësishme e tregut financiar jobankar, i manifestoi efektet e pandemisë në formën e rritjes së nivelit të tërheqjeve nga fondet dhe kufizime në investime të reja.
Kjo situatë u vu re kryesisht në dy javët e fundit të muajit mars dhe vijoi edhe në periudhën prill – maj. Në fakt, ishte një reagim i pritshëm dhe i kuptueshëm, pasi investitorët përjetuan një shkallë të lartë pasigurie, e cila e kish burimin te pandemia në vetvete dhe pasojat social-ekonomike të saj, pa lidhje të drejtpërdrejtë me fondet e investimit.
Kudo në botë, investitorët preferojnë të rrisin likuiditetin ose të shkojnë drejt aseteve që konsiderohen “parajsa të sigurta”, deri në një normalizim të tregjeve. Ajo që ne vumë re ishte tendenca e investitorëve për t’u tërhequr nga fondet e investimit dhe për t’i mbajtur fondet e tyre të lira, në llogari rrjedhëse bankare.
Më duhet të theksoj se niveli i tërheqjeve në çdo rast mbeti brenda kufijve të normales dhe ishte madje i krahasueshëm me periudha të mëparshme. Për shembull, për fondet në Lek, totali i tërheqjeve gjatë muajit mars (i cili është muaji me tërheqjet më të larta) është i barabartë me mesataren mujore të tërheqjeve në vitin 2016 dhe shumë pranë asaj të vitit 2014. Gjatë muajve mars – maj, totali i aseteve nën administrim u tkurr me vetëm 4.5% dhe faktori kryesor, më shumë se niveli i tërheqjeve ishte stopimi i investimeve, çka solli në krijimin e flukseve neto negative.
Muajt e verës shënuan një rritje graduale të aseteve dhe në fund të gushtit, tkurrja regjistrohet në 1.96% krahasuar me një vit më parë, çka është tërësisht në linjë me parashikimet botërore në këtë industri, e cila në tërësi menaxhon rreth 104.4 trilionë dollarë e ku rënia e pritshme qëndron në shifrën e gati 2 trilionë dollarëve. Në këtë këndvështrim, mund të themi që pavarësisht se jemi ende një treg i vogël, dinamika dhe zhvillimet globale janë mjaft të ngjashme. Gjithashtu, dua të përmend që nëse i referohemi fundit të vitit 2019, Raiffeisen Invest ka një rritje prej +0.4% në nivel asetesh nën administrim.
Si e ka prekur situata e krijuar kthimin mesatar nga investimi në fondet tuaja?
Për sa i takon performancës, Fondet e Investimit në Lek (Prestigj dhe Vizion) – ku asetet janë tërësisht të investuara në tituj borxhi të qeverisë shqiptare – kanë vazhduar të ofrojnë një kthim vjetor pozitiv e mjaft të kënaqshëm, pavarësisht pandemisë. Madje, një tendencë në rënie e normave të interesit të bonove të thesarit dhe obligacioneve në tregun e brendshëm ka ndikuar pozitivisht në rritjen e performancës së tyre. Më konkretisht, fondet në Lek, përfshirë Fondin e Pensionit Vullnetar, më 31 gusht, kishin një performancë vjetore neto (pasi janë zbritur të gjitha tarifat) si vijon:
Raiffeisen Prestigj: +1.75% YoY
Raiffeisen Vizion: +3.55% YoY
Raiffeisen Pension: +4.74% YoY
I vetmi fond i cili pati një impakt negativ në performancë të lidhur tërësisht me pandeminë, ka qenë fondi në Euro, duke qenë se asetet e tij janë të investuara në obligacione të kompanive apo shteteve europiane. Siç e dimë, tregjet botërore, e më specifikisht ato europiane, amerikane dhe aziatike, pësuan rënie drastike në nivele që nuk ishin vërejtur që nga kriza financiare e vitit 2008. Konkretisht Indeksi STOXX600, i cili përfaqëson gati 90% të vlerës së tregut europian e për rrjedhojë dhe vetë ekonominë e kontinentit tonë, pësoi një rënie prej gati -36% në mars dhe sot vazhdon të rezultojë me një performancë negative -14% krahasuar me periudhën e para-pandemisë.
Edhe fondi ynë regjistroi nivele negative të performancës, e cila kulmoi në muajin maj, por jam e kënaqur të them që efektet negative pjesërisht janë rikuperuar, madje ata investitorë që investuan në Fond në periudhën e rënies së çmimit të kuotës (në fakt ishin të paktë), kanë pasur kthime tejet të kënaqshme në nivelin afro +2% për kthimin nga investimi 3-mujor.
Në muajt në vijim, ne presim që performanca të vazhdojë me një rritje të qëndrueshme, edhe pse më të ngadaltë, krahasuar me periudhën para COVID-19. Në gjykimin tonë, vazhdimi i mbështetjes së likuiditetit të tregut nga bankat qendrore, specifikisht Federal Reserve (FED) në Amerikë dhe European Central Bank (ECB) në Europë, kanë ndikim pozitiv për të gjitha asetet e fondit në euro. Programi i ECB për të blerë asete në bursat europiane vazhdon dhe, si rrjedhojë, kërkesa e rrjedhimisht çmimi i këtyre aseteve parashikohet nga ne të jetë i qëndrueshëm dhe në rritje në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.
A keni ndërmarrë ndryshime domethënëse në politikat e investimit pas shpërthimit të krizës?
Sigurisht! Raiffeisen Invest, nëpërmjet strukturave të saj të Menaxhimit të Portofolit, Menaxhimit të Riskut dhe Komitetit të Investimit, mori masa të menjëhershme për rishikimin e çdo politike investimi të fondeve nën administrim. Kryesisht, kjo u përqendrua në rritjen e nivelit të likuiditetit, aty ku ishte e nevojshme, si dhe ndërmarrjen e masave shtesë për menaxhimin e rrezikut.
Si rezultat i këtyre masave, ne ulëm duration mesatar të portofolave për të zvogëluar rrezikun dhe gjithashtu, rritëm cilësinë e aseteve, kryesisht te fondi në Euro. Lidhur me këtë të fundit, kriteret e përzgjedhjes së aseteve kanë në fokus instrumentet me Credit Rating të lartë, Yield stabël dhe qëndrueshmëri në modelin e biznesit për të paktën 5 vitet e ardhshme të kompanive ku investojmë. Hapa të ngjashëm, por të orientuar drejt karakteristikave më të ndryshme për shkak të natyrës së tyre po aplikohen dhe për obligacionet shtetërore që sigurisht paraqesin në vetvete një risk më të ulët.
Si do t’i ndikojë kjo krizë perspektivat e zhvillimit të tregut të fondeve të investimit në Shqipëri? Mund të sugjeroni ndërhyrje në nivel ligjor dhe rregullator që do t’i bënin fondet një alternativë më atraktive investimi për publikun shqiptar?
Kjo është një krizë globale dhe si çdo krizë e mëparshme do të ketë edhe një fund. Nuk mendoj se tregu i fondeve të investimit në Shqipëri është seriozisht i rrezikuar. Përkundrazi, siç e përmenda edhe më parë, në javët e fundit, Raiffeisen Invest ka vënë re një normalizim të situatës dhe rritje të investimeve në fonde.
Në muajin gusht, flukset hyrëse për fondet në Lek ishin sa dyfishi i mesatares mujore të vitit të shkuar, gjë që për ne është një tregues i rëndësishëm i besimit që investitori ka tek Raiffeisen Invest dhe fondet që ne menaxhojmë.
Fondet e investimit janë tashmë një alternativë atraktive investimi jashtë spektrit të produkteve bankare, jo vetëm në pikëpamje të raportit përfitueshmëri/rrezik, por edhe të likuiditetit që ofrojnë. Është një treg relativisht i ri, që ka ende shumë hapësirë për zhvillim.
Nga pikëpamja rregullatore, tashmë ne kemi një ligj të ri (Ligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”), i cili u miratua nga Parlamenti shqiptar në qershor të këtij viti dhe është në përputhje me direktivat e BE-së për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive në Tituj të Transferueshëm dhe Investimet Alternative. Gjej rastin të përgëzoj Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për hartimin e këtij Ligji, pasi përbën një hap të domosdoshëm në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve të investimit.
Ky ligj krijon hapësirë për lançimin e fondeve të reja të tipologjive nga më të ndryshmet, si dhe përforcon mbrojtjen e investitorit nëpërmjet kërkesave në rritje për profesionalizëm e transparencë. Gjithashtu, Autoriteti është duke plotësuar këtë kuadër ligjor me rregullore të reja, për licencimin e shoqërive administruese dhe fondeve, komunikimin me investitorin etj.
Pra, siç e përmenda, rregullimet ligjore janë duke përfunduar. Do të ishte interesante nëse interesat e përfituara nga investimi në fonde nuk do të ishin subjekt tatimi, gjë që do t’i bënte fondet edhe më shumë tërheqës për investitorin dhe do të kishte pa diskutim impakt në rritjen e tregut. Kjo mund të jetë një nga temat e diskutimit të ardhshëm me aktorët e tregut dhe Autoritetin për të konsideruar mundësitë dhe kushtet e një zhvillimi të tillë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.