Ekonomia nuk po mund ta kthejë në mënyrë eficiente, investimin që shqiptarët po bëjnë për shkollimin. Për këtë arsye, të dyja, si popullata dhe ekonomia, janë kapur nga laku i pamundësisë dhe për këtë shkak, vendi ka rënë në kurthin e varfërisë afatgjatë.
Në ekonomi ka shumë pak fantazi dhe opsione për sipërmarrje të suksesshme. Njëri problem lidhet me korrupsionin e lartë dhe kapjen e tregjeve dhe, politikat ekonomike, edhe kur duken të duhurat, nuk arrijnë të transmetohen të plota për këtë shkak.
Problemi tjetër lidhet me nivelin e dijes që shqiptarët zotërojnë, për të orientuar përpjekjet e tyre drejt një mirëqenie më të lartë.
Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, Shqipëria zë vendin e parë në botë me numër rekord të bar-kafeve, në raport me popullsinë (1 kafene për 152 banorë). Megjithëse është një popullsi e re, e cila ka nevojë të punojë shumë, ky tregues është rritur me 6.3% krahasuar me një vit më parë, thotë INSTAT. A është ky tregues i një popullate “dembele” me temperament mesdhetar, që shijon orët e gjata me diell e ku kafenetë gëzojnë privilegjet e institucionit ku mund të debatosh ide, të zgjidhësh çështjet me shtetin apo t’i japësh frymë një projekti biznesi?
Nuk mendojmë kështu, për dy arsye.
Së pari, sepse kafenetë zënë sot 17.5% të bizneseve aktive, shifër relativisht e lartë, çka do të thotë se popullata e ka të vështirë të ketë akses apo mundësi të sipërmarrjeve të tjera dhe se hapësira për ide të reja, duket e ngushtë.
Së dyti, puna shpërblehet pak. Sipas Bankës Botërore, shqiptarët janë të dytët pas meksikanëve që punojnë më gjatë, rreth 2231 orë në vit, ose 467 orë pune më shumë se mesatarja e vendeve të OECD-së. Por kjo ndodh, sepse produktiviteti i prodhimit në Shqipëri, i matur nga Banka Botërore, është i ulët. Vlera bruto e shtuar për punonjës është 10 mijë dollarë në vit, më e ulëta edhe në rajon, ku mesatarja e Ballkanit është 15 mijë dollarë. Ky është një tipar i vendeve të pazhvilluara.
Kafetë e gjata dhe të shumta me orët e gjata të punës nuk lidhen. Ka të tjera shkaqe dhe pak zgjidhje afatgjata. Një prej tyre është arsimimi, por jo vetëm nga ana sasiore dhe cilësore, por sesi një diplomë i përgjigjet nevojave të tregut. Shqipëria, jo vetëm që nuk po e zgjidh këtë problem, por rrezikon të hyjë në një krizë të kapitalit human.
Të dhënat e fundit tregojnë se, shkalla e frekuentimit të shkollës ka rënë, ndërkohë që mbi 50% e popullatës është analfabet funksionalë. Aktualisht në arsimin e lartë, mbi 50% e kuotave janë për studime të shkencave sociale, arte etj. (lexo në brendësi). Kjo marrëdhënie e deformuar mes nevojës dhe arsimimit është krizë gjeneratash që zgjat dhe ndaj e ardhmja ka shumë pikëpyetje.
Kryeministri u tha në Korçë fermerëve të mos mbjellin më patate, por të orientohen nga tregjet dhe se zyrat e bujqësisë duhet të ndihmojnë për të qenë konkurrues. Por, kur pyetëm dekanin e Fakultetit Bujqësor në Korçë se si është cilësia e studentëve që nesër do t’i shërbejnë bujqësisë, ai uli kokën, mori frymë thellë për një çast dhe tha se “me kungujt e shkollës nuk rriten dot as mollët e as patatet e Korçës” (lexo në brendësi).
Mesazhi është i qartë, sasia dhe cilësia e arsimit të brezave me profile, për të cilat ka sot shumë nevojë ekonomia, është ulur dhe pyetja që shtrohet është: kush do ta udhëheqë përparimin ekonomik?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.