Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) është gjendur në një situatë të vështirë muajve të fundit lidhur me humbjet që i shkaktohen nga disbalancat e larta që vijnë nga parashikimet dhe më pas kontraktimet me diferenca të larta të flukseve të energjisë.
Në një dokument që i drejtohet Entit Rregullator të Energjisë(ERE) OST nënvizon se për shkak te situatës se krijuar nga kriza energjetike në gjithë Europen, e cila ka prekur edhe Shqipërinë, janë vërejtur problematika edhe ne tregun e balancimit te energjisë elektrike dhe në disa raste disbalancat e krijuara tejkalojnë garancinë e depozituar nga Palët Përgjegjëse të Balancimit (PPB) përkatëse dhe si rrjedhoje rrisin mundësinë që OST të ekspozohet ndaj risqeve të mëdha financiare.
“Ne këto kushte, për të garantuar përmbushjen e detyrimeve të parashikuara në Rregullat e Balancimit dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energjinë elektrike të konsumatorëve, OST gjykon se do të ishte me vend dhe e domosdoshme edhe për shkak të rritjes se çmimeve të tregut të balancimit, reflektimin e këtyre parashikimeve në lidhje me garancinë në tregun e balancimit:
- OST ka të drejtën të kërkojë garanci financiare nga palët përgjegjëse për balancim. OST do të shfrytëzojë këtë të drejte pa diskriminim dhe mbi parimin e proporcionalitetit.
- Niveli i kërkuar i garancisë financiare për çdo palë përgjegjëse për balancim duhet të jetë sa ekspozimi i përgjithshëm neto i faturimeve të muajit paraardhës plus 20%. Ekspozimi mujor financiar për çdo palë përgjegjëse të balancimit llogaritet si diferencë e arkëtimeve dhe pagesave të pritshme të llogaritura. Në çdo rast vlera minimale e garancisë financiare duhet të jetë 10 milion ALL.
- Për palët përgjegjëse të balancimit të porsaregjistruara për të cilat nuk ka të dhëna për të llogaritur ekspozimin historik nga disbalancat, OST duhet të aplikojë vlerën fikse për garanci financiare që është 10 milion ALL.
- Kur gjatë muajit rezulton se ekspozimi financiar nga disbalancat përbën 70% të vlerës së garancisë:
OST ka të drejtë të kërkojë menjëherë përditësim e garancisë. Garancia duhet përditësuar brenda 10 ditëve kalendarike nga kërkesa e OST drejtuar PPB për përditësimi.
Përjashtimisht nga parashikimet e nenit 5.8 “Faturimi dhe Shlyerja për PPB”, në çdo rast, OST do t’i kërkojë PPB të paguaje, brenda afatit të përcaktuar nga OST, vlerën e këtij ekspozimi” thuhet në shkresën e OST.
Kjo e fundit sjell në vëmendje edhe shembuj për dëmin që i është shkarkuar nga disbalancat në një vlerë minimale dhe një maksimale.
“Rasti I: Viera minimale e llogaritur me të dhënat faktike të deritanishme të PPB-se shembull nr I, ka rezultuar 5.07 milionë lekë Lekë, ndërkohë sipas propozimit te OST, ne çdo rast vlera minimale e garancisë financiare duhet të jetë 10 milionë lekë.
Rasti II: Vlera maksimale e llogaritur me të dhënat faktike të deritanishme të PPB-së shembull nr 2, ka rezultuar 156.4 milionë lekë” thuhet në dokument.
OST ka kërkuar që ERE të shtyjë edhe afatin për përmbushjen e parashikimeve të rregullave të tregut shqiptar të balancimit të energjisë pasi për shkak të pezullimit të investimeve nga gjendja e emergjencës e ka pasur të pamundur të plotësojë platformën elektronike ndaj afati i ri kërkohet të jetë 30 qershori 2022./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.