Flet Anduel Çekrezi, përfaqësues i “EuroElektra sh.p.k.”
Kriza e energjisë, që mori vëmendjen kryesore nga shtatori e në vazhdim, zgjoi interesin e bizneseve për të gjetur mënyra alternative për të ulur kostot. Anduel Çekrezi, përfaqësues i kompanisë “EuroElektra sh.p.k.”, shprehet se ky interes i përfshiu fillimisht të gjithë, por më pas u ndal kryesisht te biznesi i madh dhe i mesëm, të cilët po shkojnë me shpejtësi drejt diversifikimit.
Sipas Çekrezit, interesi nuk është vetëm në Shqipëri, ndaj nuk mund të përjashtohet një skenar ku kostot e instalimeve të rriten, pasi kërkesa globale mund të mos plotësohet nga kapaciteti aktual i prodhimit, ku një rol kyç luajnë lëndët e para dhe Kina.
Prej disa javësh, epiqendra ka qenë kriza e energjisë, e cila ka marrë përmasa globale, për shkak të një sërë faktorëve. Kjo ka rritur vëmendjen për fotovoltaikët dhe për diversifikimin. Ju si kompani, a shihni rritje të interesit për instalimet fotovoltaike së fundmi?
Interesi për impiantet fotovoltaike ka qenë konstant deri përpara nisjes së krizës energjetike, e cila rriti vëmendjen, duke nxjerrë në dritë dy skenarë. Në rastin më të mirë, atë të përballjes me kosto të larta të energjisë elektrike, pra rritje të çmimit; në rastin më të keq, me mungesë të saj dhe, për rrjedhojë, shtoi kërkesën për këto impiante në mënyrë të menjëhershme.
Në ditët e para, kërkesa ishte më e lartë nga të gjitha kategoritë e konsumatorëve, por me kalimin e ditëve, kur edhe qeveria sqaroi se nuk do të ketë rritje për qytetarët dhe biznesin e vogël, kërkesa u fokusua nga bizneset e mesme dhe ato të mëdha.
Interesi i lartë për Kompaninë EuroElektra do të thotë më shumë mundësi për të punuar, por nga ana tjetër, përballemi me një kërkesë ku nuk e kemi kohën e mjaftueshme për ta përpunuar të gjithën. Në fakt, kjo vjen edhe si pasojë se shumica e bizneseve nuk e kanë menduar mirë se duhej të kishin diversifikuar burimet e energjisë elektrike më parë se të arrinte kjo situatë dhe sot nuk do të ishin nën presionin e rritjes së çmimit të energjisë, por edhe të rritjes së çmimit të impianteve fotovoltaike për shkak të kërkesës.
Cila është kategoria që ka më shumë interes? A janë bizneset e mëdha, apo ato të mesme e të vogla? Po familjaret?
Sigurisht, duke marrë parasysh përvojat e mëparshme, interesin më të madh për këto impiante të prodhimit të energjisë nga dielli apo fotovoltaike e kanë pasur bizneset e mëdha, gjithmonë në kategorinë e vetëkonsumit. Këto biznese kanë mundësi më të mëdha për të investuar, por gjithashtu përballen dhe me kosto më të lartë të energjisë.
Në anën tjetër, ka interes edhe nga bizneset e mesme dhe të vogla, por në disa raste këto nuk e kanë të mundur të vetëprodhojnë, pasi shpeshherë e kryejnë aktivitetin e tyre në godina të papërshtatshme për të instaluar impiantin fotovoltaik, pra nuk kanë një sipërfaqe çatie apo tarrace ku të vendosen panelet. Pastaj mund të përmendim familjarët.
Kërkesa e tyre vazhdon të jetë e njëjtë dhe pa ndonjë ndikim të madh te situata për shumë arsye. Fokusi ynë si kompani është tek impiantet për bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat janë në presionin e rritjes së çmimit të energjisë, sipas deklaratave të fundit nga qeveria.
Ka një rritje të kostos që erdhi si reflektim i post-pandemisë sa i takon transportit. A e ka prekur sektorin e fotovoltaikëve, e lidhur ngushtë me logjistikën, transportin dhe vonesat?
Siç e përmendët në pyetjen tuaj, rritja e kostove për impiantet fotovoltaike nisi që në fillim të vitit 2021, periudhë në të cilën edhe pse kërkesa për këto impiante nuk ishte aq e lartë, u përballëm me një tjetër problem, atë të mungesës së kontejnerëve dhe të anijeve të transportit kryesisht nga Kina, të cilat kishin ndaluar procesin e punës gjatë pandemisë.
Kjo u bë shkak për rritjen e çmimeve, ku një kontejner nga 5000 $, duke iu referuar periudhës para pandemisë ka shkuar sot deri në 20.000 $, 6 herë më shumë. Gjithashtu u rrit edhe koha e dorëzimit të mallrave, duke sjellë vonesa në dorëzime apo furnizimin e tregut me materiale.
Duhet thënë se lëndët e para për prodhimin e paneleve fotovoltaike janë të gjitha në Kinë dhe nuk janë më shumë se disa kompani që prodhojnë lëndën e parë si lingota e silicit dhe më pas furnizojnë kompanitë zinxhir, të cilat i përpunojnë bazuar në patentat teknologjike të tyre dhe nxjerrin panelin fotovoltaik që ne shohim.
Ju theksuat se Kina është një nga prodhuesit kryesorë të paneleve. Kërkesa e lartë rrezikon të krijojë një “hendek” mes prodhimin. A do të ndikohet Shqipëria?
Rritja e çmimit të energjisë, mungesa e lëndëve të para në tregun kinez, si dhe kostoja e shtuar e transporteve në sektorin e fotovoltaikëve ka rezultuar në një rritje që shkon deri në 35% më shumë sesa ishte në fillimin e vitit aktual.
Për shkak të situatës së krijuar në këtë sektor në Kinë, disa vende të BE apo SHBA po marrin seriozisht në konsideratë rihapjen e fabrikave të prodhimit të qelizave fotovoltaike edhe pse kjo thjesht do të ndikonte në zbutjen e efektit, pasi do të vazhdonte të ishte gjithmonë i varur nga lënda e parë siç është lingota e silicit, e cila prodhohet në Kinë.
Në kontekstin shqiptar, kjo do të prodhojë kostot e veta, pasi për rrjedhojë do të rriten çmimet e furnizimit të impianteve fotovoltaike. I gjithë ky zinxhir vonesash dhe rritjesh në kosto, automatikisht do të na përballë me rritjen e çmimit të paneleve fotovoltaike dhe vonesa në dorëzimin e tyre.
Që nga viti 2017, në vendin tonë ka hyrë në fuqi ligji për burimet e rinovueshme, por mungojnë disa hallka të rëndësishme që ta bëjnë tërësisht tërheqës dhe funksional atë, siç është rasti i tepricave. Në çfarë faze janë negociatat me autoritetet që do t’i bënte të leverdishme investimet, pasi kthimi bëhet në një kohë më të shpejtë?
Në kategorinë e prodhimit të energjisë për shitje, ky ligj solli risi dhe hapi rrugën e impianteve të para fotovoltaike 2 MW nga dielli, të cilat janë kryesisht në Fier, Lushnjë dhe në Korçë. Gjithashtu, bazuar në këtë ligj janë dhënë apo janë organizuar disa ankande, siç ishte ai i Akërnisë, i cili nuk gjeti zhvillim, apo siç janë dy të fundit në Karavasta dhe Spitallë, nga kompania Volitalia, që janë në proces dhe nuk dihet ende se kur do të fillojnë nga operimi.
Në kategorinë e vetëprodhimit që ky ligj parashikon pati një ngërç, pasi mungonte udhëzimi që i hapte rrugën instalimit të këtyre impianteve, ku me daljen e udhëzimit janë instaluar impiantet e para dhe vazhdojnë të instalohen edhe sot me një kapacitet deri në 500 kWp. Në këtë ligj parashikohet edhe shitje e tepricës së energjisë e cila është më e madhe se konsumi mujor.
Ne si grup interesi kemi kërkuar vazhdimisht plotësimin e kuadrit ligjor siç është dhe tarifa, por ende nuk kemi një vendim pozitiv për këtë çështje. Sigurisht që kemi propozuar dhe disa ndryshime në ligjin aktual dhe jemi në pritje të reflektimit të këtyre ndryshimeve.
Si mund të nxitet me instrumente dhe politika konkrete orientimi drejt impianteve fotovoltaike për bizneset dhe familjarët nga përvojat që njihni edhe për vende të tjera?
Ka shumë instrumente në dorë, por në thelb mbetet demokratizimi i sektorit pra një liberalizim më i madh për lejimin e prodhimit, por edhe të vetëprodhimit të energjisë nga dielli.
Në segmentin e prodhimit mund të lejohen më tepër instalimet e kapaciteteve pa masa mbështetëse nga shteti, por në treg të lirë, ku ndërkohë të merren masa të menjëhershme për krijimin apo operimin e bursës shqiptare të energjisë. Në segmentin e vetëprodhimit duhet më tepër mbështetje nga shteti, pasi duhet të krijojë kushtet që qytetarët apo bizneset ta vetëprodhojnë atë dhe ta përdorin për nevojat e tyre.
Ne kemi bërë propozime konkrete sesi mund të ndihmohet biznesi në këtë rast, i cili është i pari që do të preket, duke i dhënë mundësinë për ta prodhuar vetë këtë energji. Këto propozime konsistojnë në rritje të lejimit të kapacitetit instalues, mbi 500 kWp që është sot, nxjerrjes së tarifës për tepricës, si dhe mbi matjen neto vjetore.
Impiantet deri në 500 kWp janë të dedikuara vetëm për vetëkonsum dhe shihen si një praktikë nga e cila biznesi mund të përfitojë. Por, nga kontaktet që ne kemi me një pjesë të mirë të tyre, ata shprehen se 500 kWp është sasi e vogël, ndërkohë që ka edhe burokraci, gjë që i frenon të bëjnë investimin. Ju e hasni këtë problematikë?
Kjo është një nga pikat që ne kemi kërkuar të ndryshohet dhe të liberalizohet sipas nevojës së biznesit, duke respektuar kushtet teknike apo thënë ndryshe, që çdo biznes të instalojë sa totali i fuqisë së kontraktuar, bazuar në konsumin e tij.
Kjo është një kërkesë e drejtë nga ana e bizneseve, të cilët janë konsumatorë të mëdhenj dhe do të jenë po këta që do të mbajnë barrën e rritjes së çmimeve nga tarifat e rregulluara apo qoftë dhe ato në treg të lirë. Mendoj se është e drejtë dhe logjike që përpara se t’ua shesim energjinë sa tregu apo kushtet na e diktojnë, t’ju japim mundësinë ta kursejnë energjinë, duke ju mundësuar politika rregulluese, të cilat e bëjnë të mundur këtë gjë.
Si e shihni sot funksionimin e tregut, nëse flasim për plotësimin me hallka nga financimi tek ofrimi i projekteve dhe instalimi i tyre. A janë plotësuar të gjitha këto? Po informimi i publikut për përfitimet që mund të merren nga shfrytëzimi i energjisë diellore?
Në përgjithësi, mund të themi se tregu funksionon, pasi kërkesa është një faktor matës që e vërteton këtë gjë. Duhet thënë se vitet e fundit, niveli i informimit të publikut mbi përfitimet në këto investime është përmirësuar ndjeshëm, edhe me kontributin që kanë dhënë dhe vetë kompanitë zbatuese.
Kompania jonë ka një staf të specializuar në këtë sektor dhe të gatshëm për të ndjekur çdo hallkë të nevojshme për instalimin e impianteve fotovoltaike që nga projekt-propozimet e para deri në finalizimin e tij dhe gjithashtu e aftë për të asistuar në mirëmbajtjen e nevojshme që klienti mund të kërkojë mbas instalimit.
Sektori bankar ka tashmë disa oferta në treg për këto lloj investimesh, ku janë disa banka të nivelit të dytë që financojnë këto impiante me 100% të vlerës së investimit dhe me norma konkurruese deri në 3%. E vetmja gjë që mbetet e paplotësuar është kuadri rregullues nga ana procedurale, si dhe mbështetja me tarifa apo matje neto vjetore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.