Gjatë këtij vitit shqiptarët kanë ulur ndjeshëm konsumin e birrës. Të dhënat për katërmujorin e parë të 2013-ës nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave konfirmojnë se janë importuar rreth 5.6 milionë litra birrë, rreth 40% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Shkaku kryesor që ka çuar në rënien e shpejtë të importeve të birrës është kriza ekonomike, e cila ka ulur ndjeshëm shpenzimet e shqiptarëve në mallra e produkte ‘të qejfit’, që nuk janë produkte bazë të konsumit të përditshëm. Kjo thellohet edhe nga ‘daljet’ më të pakta në bare e restorante, ku është edhe konsumi më i madh I këtij produkti.
Operatorët e tregut thonë se më të prekura nga kriza janë birrat e importit, që shiten me çmime më të larta. Në kushtet kur konsumatorët po drejtohen nga produktet me çmime të lira, ato janë orientuar më shumë nga birrat vendase që shiten me çmim më të lirë. Një fakt ‘ndihmës’ për birrat vendase është edhe zgjerimi i rrjetit të shitjes përmes restoranteve të mëdha apo të vogla që janë hapur nën ‘logon’ e tyre.
Burimi:Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.