Kompanitë më të mëdha në vend të prodhimit, eksportit dhe tregtimit, pohojnë se për shkak të krizës nga koronavirusi ndikimet, po ndihen edhe te punësimi dhe te pagesat e punonjësve. Kompania Balfin pohon se nuk ka asnjë shkurtim të vendeve të punës, por për më pak se 30% të punonjësve ka pasur një rishikim të përkohshëm të pagesave. Kompanitë call center, ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, vazhdojnë me 20% të fuqisë punëtore në zyra, pjesa tjetër punojnë nga shtëpia. Prodhuesit e këpucëve dhe përpunuesit e peshkut po shohin mundësinë e nxjerrjes së punonjësve në asistencë, nëse nuk do t’u mundësohet ndihmë nga shteti me paketën e zgjeruar.
Nga Dorina Azo
Rritja e papunësisë në vendin tonë, për shkak të Covid-19, është tashmë në shifra të larta. (Ministrja e Financave, Anila Denaj pohoi për mediat se pas dy muajsh, numri i të papunëve pritet të shkojë në 60.000, për shkak të mbylljes si dhe ngërçit të krijuar në sektorët e ekonomisë).
Qeveria shqiptare ka miratuar një paketë të dytë ndihme, që përfshin 66 mijë persona dhe rreth 100 mijë biznese, me një numër total përfituesish prej 176 mijë personash. Ka kompani që tashmë, për shkak të reduktimit të punës, kanë filluar edhe mbylljen e aktivitetit, siç ka biznese që për shkak të profilit të punës dhe urdhrit ndalues të punës nga qeveria, çojnë pashmangshmërisht në shtimin e radhëve të të papunëve.
Por, si po reagojnë punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Sa po i prekin pagat apo po shkurtojnë punonjësit për t’u përballur me rënien e të ardhurave nga shitjet, apo eksportet. Monitor ka intervistuar disa prej tyre.
Si kompani individuale, në listën e punëdhënësve më të mëdhenj mbizotërojnë ndërmarrjet e call center dhe prodhimit të këpucëve. Punëdhënës të mëdhenj janë dhe bankat, spitalet private, ndërmarrjet e naftës, dhe më pas vijon ndërtimi. Ndërsa si grupe, më i madhi punësues në vend është Balfin.
Balfin, rishikohen përkohësisht pagat për 30% të stafit
Grupi BALFIN, punëdhënësi më i madh në vend, përmes kompanive të tij në fushën e minierave, tregtisë, ndërtimit, shërbimeve etj, pohon për “Monitor” se pavarësisht situatës, asnjë punonjës nuk e ka humbur vendin e punës gjatë krizës, edhe pse, më pak se 30% të totalit prej 5800 punonjësish të këtij grupi, janë prekur nga rishikimi i përkohshëm i pagesave. Drejtori i komunikimit të kompanisë, zoti Gimi Fjolla, tha se masat janë të përkohshme dhe kompania ka gati protokollet për rinisjen e punës.
“Të gjitha shoqëritë e Grupit BALFIN, njësoj si dhe pjesa tjetër e ekonomisë shqiptare, janë ndikuar në nivele të ndryshme nga kriza e krijuar nga përhapja e COVID-19. Asnjëra nga shoqëritë e grupit BALFIN nuk ka mundur të krijojë dot imunitet prej kësaj krize. Për t’iu përgjigjur krizës, grupi BALFIN ka marrë disa vendime, duke u fokusuar në dy objektiva kryesore: ruajtjen e vendeve të punës për punonjësit e të gjitha shoqërive të grupit dhe shmangien e mbylljes të atyre shoqërive të grupit që janë prekur më shumë nga kriza. Deri më tani, të gjitha shoqëritë e grupit BALFIN nuk kanë mbyllur asnjë vend pune, as në ato shoqëri ku aktiviteti është ndërprerë plotësisht.
Në ato shoqëri, ku aktiviteti është mbyllur përkohësisht, apo ka pasur ndërprerje të pjesshme të aktivitetit, ka pasur rishikim të përkohshëm të pagesave, sipas planit të riorganizimit të orëve të punës. Edhe ata punonjës që aktualisht nuk po punojnë, vijojnë të paguhen, sipas rishikimit. Në nivel grupi, nga rreth 5.800 punonjës në të gjitha shoqëritë e grupit, këto masa prekin më pak se 30% të tyre. Masat janë të përkohshme dhe do të varen nga zhvillimi i krizës dhe vendimeve të qeverisë. Për Grupin BALFIN është shumë i rëndësishëm shëndeti i punonjësve dhe mundësimi i një burimi financiar të qëndrueshëm për të gjithë punonjësit gjatë dhe pas krizës. Grupi BALFIN ka gati plane dhe protokolle të detajuara për rihapjen e shoqërive, të cilat kanë ndërprerë plotësisht apo pjesërisht aktivitetin.”
Në kompanitë call center, situata me të punësuarit paraqitet pothuajse e njëjtë. Kompanitë më të mëdha call center në vend, për shkak të pandemisë kanë zgjedhur të mbijetojnë nëpërmjet punës në shtëpi.
Përfaqësues të kompanisë “Alba Call” thanë për “Monitor” se 80% e stafit po punon nga shtëpia, ndërsa pjesa tjetër po punojnë në zyra me masa strikte sigurie. Sipas të dhënave, deri në vitin 2018, në këtë kompani numri i të punësuarve ishte 1.750.
Në total, numri i të punësuarve në fund të 2019-s, në këtë sektor është 22 mijë persona, me rënie prej 12%, krahasuar me vitin 2015.
“Albania Marketing Servise” (Teleperfomanca) sipas të dhënave për vitin 2018 ka pasur 2.257 të punësuar. Diego Pisa, administrator i Teleperfomancës, pohoi më herët për “Monitor” se aktualisht 80% e stafit po punojnë nga shtëpia. “Kompania po vazhdon të punojë, në përpjekje për të mbajtur në maksimum punësimin në një vend ku mundësitë për të rinjtë janë të pakta.
Në të gjithë botën, ndikimet e koronavirusit kanë qenë shkatërruese edhe nga një këndvështrim ekonomik dhe në këtë skenar, ne kemi qenë në gjendje të garantojmë pothuajse për të gjithë punonjësit tanë mundësinë për të punuar nga shtëpia ose zyra, duke ofruar më të mirën në vendet e punës, pagat mbi mesataren e vendit, sigurimet shëndetësore për të punësuarit, mundësitë e rritjes në një kontekst ndërkombëtar”, u përgjigj zoti Pisa.
Agron Shehaj, përfaqësuesi i kompanisë call center “Intercom Data Service” me 1.625 të punësuar, u shpreh për “Monitor” se me fillimin e pandemisë të gjithë punonjësit po punojnë nga shtëpia. Zoti Shehaj parashikon rritje të papunësisë për sektorin, sidomos për kompanitë e vogla, të cilat nuk kanë infrastrukturë për vazhdimin e punës nga shtëpia.
Lorenc Goga, drejtuesi i kompanisë Facile.it, tha më herët për “Monitor” se rreth 10% e totalit të punonjësve punojnë nga shtëpia. Në kompani janë të punësuar 450 persona, por për shkak të specifikës së punës dhe moscenimit të të dhënave të sigurisë, Goga sqaroi se vetëm 40 punonjës po punojnë në shtëpia.
“Nga shtëpia po punojnë një pjesë e vogël e punonjësve, aty ku nuk kemi problem me të dhënat e klientëve. Pjesa më e madhe e punonjësve nuk mund të punojnë nga shtëpia, sidomos në këtë periudhë kur po punohet me fushatën e blerjeve nëpërmjet kartave të kreditit. Kjo është edhe arsyeja pse punonjësit janë të detyruar të punojnë në zyrë, ku ambientet janë të certifikuara për kryerjen e këtyre transaksioneve”, thotë Goga.
Sipas përfaqësuesit të kompanisë Facile.it, pjesa tjetër, rreth 30% e punonjësve, e kanë të pamundur të vijnë në punë. Për këtë, kategori zoti Goga thotë se ardhja në punë është e pamundur, pasi ata jetojnë në qytete të tjera, si dhe 100 punonjëse janë nëna me fëmijë.
Industria e tekstileve e këpucëve është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me rreth 55 mijë persona, ose 12% të totalit. Sidomos sipërmarrjet e këpucëve, mbizotërojnë në listë.
Shpresa Koçiraj, përfaqësuese e kompanisë “Albaco Shoes”, punëdhënësi i pestë më i madh në vend, shprehet se nga 1 prilli ka rinisur puna me kapacitet më të lartë të fuqisë punëtore, nga 10% që u paraqitën në punë në javët e para të pandemisë. “Aktualisht kemi në punë 80% të punëtorëve, kurse pjesa tjetër e ka të pamundur të vijë për shkak të mbylljes së kopshteve dhe shkollave. Janë nëna me fëmijë dhe janë të detyruara të qëndrojnë në shtëpi. Deri tani nga puna nuk kemi larguar asnjë punonjës”, shprehet znj. Koçiraj. Kompania “Albaco Shoes” është ndër punëdhënësit më të mëdhenj në sektorin e prodhimit të këpucëve me 2.182 të punësuar.
Kompania “Donianna”, me një numër për 655 të punësuar, për shkak të pandemisë dhe përkeqësimit të situatës në prodhim, ka mbyllur punën që në javët e para të muajit mars. Përfaqësuesja e kompanisë, Donika Mici tha se për pagesat e muajit mars do të pritet se si do të zbatohet paketa e zgjeruar e qeverisë për biznesin e madh dhe më pas do të merret vendimi. Zonja Mici thotë se në rast se pagesat e punonjësve nuk do të përfshihen në paketën e ndihmës të qeverisë, do të shikohet mundësia e nxjerrjes në asistencë të tyre.
Mici më herët për “Monitor” shpjegoi se pas përkeqësimit të situatës në Itali, u kërkoi menjëherë, punonjësve të cilët kishin pasur kontakte fizike me shtetas në këtë vend, si dhe kush nuk ndihej mirë fizikisht, apo në gjendje ankthi, të mos paraqitej në punë. “Situata e pandemisë dhe mënyra sesi përhapet virusi të krijon pasiguri, çka unë zgjedh më shumë që punonjësit t’i dërgoj në shtëpi, sesa t’i mbaj në fabrikë. Jam e prerë në këtë drejtim, pasi më intereson më tepër shëndeti dhe jeta e punonjësve”, shprehet Mici.
“Kurum” ndërpreu punën për 3 javë
Përfaqësuesi i kompanisë “Kurum” u shpreh se deri tani, asnjë nga punonjësit nuk është hequr nga puna. Sipas të dhënave në kompaninë “Kurum”, janë 522 të punësuar. “Në tre javë që në fabrikë u ndërpre prodhimi, u shfrytëzua leja e zakonshme për t’i paguar punonjësit. Aktualisht fabrika u rindez (pas 3 javë të ndërprerjes të prodhimit, “Kurum” rinisi punën në 15 prill) dhe punëtorët po punojnë me turne. Sipas Kodit të Punës, asnjë biznes nuk mund të shkurtojë punonjësit sot për nesër se iu ndërpre puna.
Në një kontratë pa afat, çdo punëdhënës duhet t’i japë 3 muaj më parë paralajmërim punonjësit ose 3 muaj pagë para se ta heqë nga lista e sigurimeve. Në qoftë se do të aplikohej prishja e kontratës kolektive dhe individuale të punës, do të kishim penalitete ndaj punonjësve. Për momentin, po i mbajmë në punë, por me shumë vështirësi. Parashikohet që këtë vit të jemi me humbje, edhe të ardhurat nuk mund të realizohen më shumë se gjysma e xhiros të vitit të kaluar”, tha drejtori i financave i “Kurum”, Arif Shkalla.
Ai shton se qeveria duhet të ndërhyjë për të subvencionuar kompanitë që edhe pse nën kosto, po sforcohen për të paguar punonjësit. Kostoja për pagesat e punonjësve është 600 mijë euro në muaj. “Aktualisht, magazinën e kemi të mbushur me hekur dhe mund të mos prodhojmë për dy muaj, por kjo do të sillte shkurtim të punonjësve. Ne po e mbajmë fabrikën në punë, pavarësisht kostove të humbjes. Nuk kemi leverdi financiare të prodhojmë, po punojmë që t’i mbajmë punëtorët në punë, por nga shteti nuk kemi asnjë subvencionim.
Kurse kompanitë që i kanë hequr, shteti do t’i paguajë punonjësit 40 mijë lekë. Biznesit të madh duhet t’i lehtësojë barrën e taksave dhe me mirëkuptimin e bankave, të shtyhet afati i ristrukturimit të kredive, pasi xhiroja ka rënë dhe nuk po shitet.” Sipërmarrja e prodhimit të çimentos “Antea Cement”, sipas përfaqësuesve të saj nuk ka pasur asnjë shkurtim. Për sa i përket administratës, puna ka vijuar nga shtëpia. Edhe pagesa e punonjësve ka qenë e plotë.
Përpunuesit e peshkut kërkojnë 70% subvencion të pagave nga shteti
Në sektorin e përpunimit të peshkut, sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë janë të punësuar rreth 3 mijë punonjës dhe kryesisht janë gra. Një ndër punëdhënësit më të mëdhenj të industrisë, përfaqësuesi i kompanisë “Mare Adriatik”, z. Mark Babani thotë se nga kriza është prekur edhe punësimi. Babani shpjegoi më herët se për shkak të mungesës së lëndës të parë dhe mbylljes të restoranteve në Itali dhe Spanjë u detyrua të mbyllte fabrikën e përpunimit të açuges në Tiranë. Sipas tij, nga mesi u muajit mars 100 punonjës të fabrikës janë në shtëpi dhe kompania nuk ka mundësi financiare për pagesat e muajit prill. Në total, numri i të punësuarve në kompaninë e përpunimit të peshkut “Mare Adriatik” është 458 të punësuar në fabrikën e Vaut të Dejës dhe Tiranës.
“Janë bllokuar tregjet, është bllokuar gjithçka. Po ashtu, edhe restorantet ku konsumohej më shumë açuge janë mbyllur. Unë kam dy ndërmarrje, një në Tiranë dhe një në Vaun e Dejës, me rreth 400 punonjës. Për ne aseti më i çmueshëm janë punëtorët. Prej 3 vjetësh kemi investuar për trajnimin e tyre dhe janë specializuar në këtë industri. Në punë aktualisht janë 300 punëtorë të cilët po i mbaj me pagë minimale, me qëllim që të mos krijohen probleme sociale. Pra po mbijetojmë. Ne nuk mundemi të mbajmë në punë të gjithë punonjësit me pagë minimale. Për punonjësit, pagat janë paguar për muajin mars dhe për muajin prill nuk jam në gjendje t’ua paguaj pagat e 400 punonjësve që nuk do të punojnë”, thotë përfaqësuesi i kompanisë.
Zoti Babani propozon që për të papunët duhet të ngrihet një grup ekspertësh me përfaqësues të Ministrisë të Financave, Kryeministrisë, Ministrisë së Bujqësisë dhe AIDA-s për të vlerësuar situatën në çdo ndërmarrje, për të arritur një përfundim për ndërhyrje. “Nëse shteti ndërhyn për 60 deri 70% të pagës të punonjësve, nga ne do t’u paguhet 30% e pagës dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Sigurisht puna do të ndahet në ditë, me qëllim që të punësohen të gjithë punonjësit. Në të kundërt, ne jemi të detyruar t’i heqim punonjësit nga puna, duke mbajtur vetëm një numër të vogël.
Kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, ndryshe nga ajo çka ndodhur në sektorët e tjerë nuk ka prekur prodhimin për industrinë e përpunimit të qumështit, por edhe fuqinë punëtore në këtë sektor.
Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë “Lufra” tha për “Monitor” se puna vijon me 90% të kapacitetit përpunues. “Me nisjen e pandemisë, pati një rënie 10% të shitjeve nga mbyllja e bareve dhe byrektoreve, ku furnizimi ishte i orientuar me dhallë. Por kjo rënie u kompensua menjëherë nga shitja e produktit të kosit nga supermaketet e dyqanet e cila ka qenë me rritje në krahasim me një periudhë normale”, shprehet Ndreka. Në kompaninë Lufra janë 241 të punësuar dhe sipas përfaqësuesit të saj, aktualisht nuk janë prekur pagesat për fuqinë punëtore.
Edhe në kompaninë tjetër të përpunimit të qumështit, Erzeni, situata e punësimit paraqitet e njëjtë. Përfaqësuesi i kësaj kompanie ku janë të punësuar 231 punonjës, Sajmir Begaj tha më herët për “Monitor” se ndikimi negativ po has në vështirësi për krijimin e rezervave. Kjo periudhë nga industria konsiderohet piku i prodhimit të qumështit, dhe për shkak të natyrës së procesit të përpunimit që ndjek kompania parashikohen vështirësi.
“Ne nuk po mundemi të magazinojmë për të shitur mjaftueshëm në periudhën kur prodhimi i qumështit nuk është i lartë. Rezervat në këtë kohë duhet të krijohen për t’i pasur në gatishmëri kur prodhimi i qumështit nga lopët të jetë i ulët, por kjo në këtë periudhë është e pamundur. Në verë prodhimi i qumështit bie, ndërkohë që shitjet rriten”, sqaron Begaj.
Për sa u takon çmimeve, zoti Begaj thotë se në këtë periudhë pandemie nuk do të ketë ndryshim të tyre, por pas kalimit të krizës do të shihet mundësia e një rritje tjetër të çmimit, pasi me këto kost, prodhimi është i pamundur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.