Nga Akademik, Prof.Dr. Anastas Angjeli
Kriza sanitare e COVID-19 apo kriza ekonomike? Apo të dyja bashkë? Karantinim apo hapje? Hapje graduale apo e menjëhershme? Njeriu apo ekonomia? Injektim i ekonomisë apo jo? Papunësi dhe varfëri, apo punësim dhe mirëqenie? Cilët janë faktorët ndërveprues mes pandemisë dhe krizës ekonomike? A ka një metodologji? Si dhe kur do të dilet nga kjo krizë?
Ndërsa pyetjet janë me dhjetëra e dhjetëra, pandemia e COVID-19, ka përfshirë gjithë globin dhe ka marrë shumë jetë njerëzish. Duke iu referuar të dhënave të OBSH, deri më 25 qershor 2020, numri i të infektuarve nga pandemia e koronavirusit arriti në 9.7 milionë, duke marrë jetën e 470.000 njerëzve. Dhe pas kësaj ekonomia, recesioni ekonomik dhe valët e tij goditën ekonominë europiane, eurozonën, dhe më pas ekonominë globale. Padyshim dhe ekonominë dhe financat e vendit tonë, e cila pritet të ketë një recesion 5%, një deficit mbi 8% dhe borxh publik rreth 80%.
Tregjet financiare u tronditën rëndë, bile edhe më rëndë se kriza financiare globale e vitit 2008. Qeveritë u “alarmuan” dhe “vrapuan” të miratojnë paketat e “ndihmës” apo të “shpëtimit”; duke injektuar mijëra e miliarda euro apo dollarë në ekonomitë e tyre. Grupimet e mëdha shtetërore si G7 apo G20, institucionet ekonomike financiare ndërkombëtare dhe Bankat Qendrore, filluan prodhimin “e recetave” për menaxhimin e situatës.
Tashmë, kriza ka ndodhur dhe po vazhdon, është bërë fakt
Përveç ndryshimeve në sjelljen njerëzore, që pandemia po sjell në të gjithë botën, diskutimet në mendimin ekonomik po fokusohen te ndryshimet ekonomike, që do të kushtëzojë kjo krizë. Këto ndryshime, përqendrohen kryesisht në instrumentet që po përdoren dhe do të përdoren për daljen nga kriza, politikat publike për ristrukturimin e ekonomisë, për modelet e biznesit, në rivlerësimin e riskut të biznesit, ekonominë dixhitale etj.
Koncepti i ri i rrezikut global përfshin si analizat për efektivitetin e politikave aktive të ndërhyrjes në ekonomi, por dhe të vlerësimit të risqeve, që ekonomia vë përpara investitorëve, si efekt të këtyre politikave ekonomike. Natyrisht, institucionet ndërkombëtare, po përdorin metodologji, bazuar në përvojat e menaxhimit të krizave të mëparshme dhe problematikat që po nxjerr kriza aktuale, po përdorin protokolle e metodologji për të analizuar dhe për t’u përballur me to.
Metodologjia e menaxhimit të riskut, sipas përvojave të mëparshme dhe pandemisë së pandërprerë
Pak para shpërthimit të pandemisë COVID-19, shumë studiues kanë debatuar gjatë për treguesin “Smart Bubble Risk Index”, i cili në vitin 2020 regjistron nivelin rekord të rrezikut global, duke u rritur për më shumë se 20%, në krahasim me nivelet e regjistruara në 2017. Ky indeks risku merrte parasysh ndikimin e të ashtuquajturave “flluska ekonomiko-financiare” në ekonominë globale, ndikimin e ndryshimit të klimës, sjelljet në katastrofat natyrale, epidemitë e pandemitë, luftërat rajonale, fenomenet e rënda të terrorizmit, etj.
Pandemia e COVID-19 risolli përsëri në debatin ekonomik botëror, problemin e matjes së riskut në forma të reja dhe në kushte të reja. Për këtë arsye, është e nevojshme të gjendet një zgjidhje alternative, me një qasje të re të administrimit të riskut, në mënyrë që të kufizohen efektet negative në strukturën socio-ekonomike. Për më tepër, masat e bashkërenduara janë thelbësore për të shmangur rrezikun e një krize të paparë ekonomike, që fillon me shëndetësinë, vazhdon me ekonominë dhe mbaron me varfërinë.
Statistikisht, këtij koncepti të riskut, i janë bashkuar kohët e fundit dhe modelet e parashikimit të tij, ku një vend të rëndësishëm zënë modelet e parashikimit të faktorëve që ndikojnë në zgjidhjen e pasojave ekonomike të pandemisë. Në aspektin metodologjik, sipas ndikimit faktorial, janë të njëjtat metoda dhe analiza faktoriale, që kanë përdorur OECD apo Banka Botërore në studimet dhe parashikimet e tyre.
Kjo metodologji bazohet në krahasimin e modeleve të politikave aktive të ndërhyrjes në ekonomi në efektin risk-benefit, duke analizuar veçoritë e zbatimit të tyre në vende të ndryshme, por, nëpërmjet studimit të ndikimit të faktorëve të njëjtë. Në thelb, në aspektin metodologjik, krahasohen format e njëjta të levave ekonomike, (në paketat e ndihmave) faktorët e njëjtë të ndikimit dhe devijimet reale nga pasojat e pritshme.
Injektim i ekonomisë apo jo?
Të gjitha vendet në kushtet e pandemisë ndërtuan masa (paketat e ndihmës) që të injektojnë në ekonomi shuma të mëdha monetare. Pothuajse në të gjitha vendet europiane, masat e politikave aktive kanë një produkt final, që të hedhin në treg një shumë parash që, sipas sistemit të multiplikatorit të përllogaritet nga 10-15% e PBB-së së tyre.
Aq e vërtetë është kjo, sa për herë të parë në historinë moderne të Europës së Bashkuar, u ndalua dhe ruajtja e parametrit të kompaktësisë ekonomike të deficitit dhe borxhit në vendet e CE. Krahas kësaj shume, organizmat ndërshtetërore ndërtuan sisteme për nxitjen e kredive apo “Fondeve të Humbura” për bizneset e vogla dhe të mesme në shuma kolosale. Me këtë synohet ruajtja e vendeve të punës, ngadalësimi i rënies ekonomike, por mbi të gjitha, zhvillimi i kontrolluar i ristrukturimit të ekonomisë.
Shumë specialistë mendojnë se kjo politikë pati sukses në dy krizat e mëparshme dhe riktheu ekonominë nga kahu i zhvillimit. Po cilat janë elementet e përbashkëta të kësaj krize me krizat paraardhëse? Çfarë na mëson kriza financiare e vitit 2008 me “Lehman Brothers” dhe ajo e borxheve shtetërore me në qendër Greqinë, Portugalinë, Qipron dhe Irlandën e vitit 2011?
Nëse kriza e vitit 2008 ishte një krizë në sistemin e kreditimit, e karakterizuar në mënyrë figurative grafike me germën V, pra rënie të shpejtë dhe rritje të shpejtë, ajo e vitit 2011 ishte në sistemin e germës U, pra rënie e një depresioni të gjatë rreth 3 vjet (Portugalia dhe Irlanda) deri në 6 vjet (Greqia), dhe pastaj një rritje me ritëm shumë gradual. Nëse e para, ishte një krizë tipike financiare, e dyta ishte një krizë borxhi.
Nëse e para u kapërcye duke emetuar shuma kolosale për të stimuluar kërkesën dhe për të garantuar besimin në tregun financiar, e dyta u përballua me financime shtetërore dhe me masa shumë shtrënguese, për të realizuar atë, që quhet deflacion brenda një shteti dhe rritje e konkurrueshmërisë së bizneseve të tij. Politika e ndjekur për të luftuar borxhin shtetëror solli në këto vende ndryshime të mëdha strukturore që ndoshta COVID-19 mund t’i vërë përsëri në rrezik.
Dallimi i gjendjes aktuale me dy krizat e para, qëndron në faktin se kriza e pandemisë solli dhe ulje të kërkesës dhe të ofertës njëkohësisht, duke goditur konsumin. Do të ketë gjithandej ofertë të kufizuar, për shkak të masave të izolimit dhe kërkesës të kufizuar. Pikërisht ky fakt, bind të gjithë drejtuesit e bizneseve të mëdha, që ndryshimet strukturore do të jenë kolosale. Kjo do të thotë se përveç urgjencës humanitare, ekzistojnë implikime ekonomike si për biznesin, ashtu edhe për punën dhe tregun e punës. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet se si ekonomia në përgjithësi dhe bizneset në veçanti, mund t’u përgjigjen këtyre sfidave, në mënyrë që të mbrojnë njerëzit e tyre dhe të jenë në gjendje të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetet në situata të pasigurisë.
Ku dallon pandemia nga krizat e tjera?
Dallimi i gjendjes aktuale me dy krizat e para, qëndron në faktin se kriza e pandemisë solli dhe ulje të kërkesës dhe të ofertës njëkohësisht, duke goditur konsumin. Do të ketë gjithandej ofertë të kufizuar, për shkak të masave të izolimit dhe kërkesës të kufizuar. Pikërisht ky fakt, bind të gjithë drejtuesit e bizneseve të mëdha, që ndryshimet strukturore do të jenë kolosale.
Reagimet e tregjeve sipas këndvështrimit makroekonomik
Ekipet e ekspertëve të OECD kanë bërë një analizë dhe krahasim të parë të këtyre masave. Ka analiza të masave dhe politikave të vendeve të ndryshme (anëtarë të OECD) mbi bazën e informacionit të disponueshëm, si dhe vëzhgime me detaje të mëtejshme, rreth politikave në secilin vend. Analiza e instrumenteve të përdorura dhe e modeleve të zbatuara evidenton se cilat janë instrumentet më të përdorura në përgjigje të pandemisë dhe efektet e pritshme të tyre.
Tregu i punës, përballja e beftë me ndryshime strukturore
Me rënien e prodhimit dhe kërkesës, shumë shoqëri përballen me sfida masive në pagimin e pagave, jo vetëm për punëtorët e sëmurë (të prekur nga COVID-19) edhe për ata që qëndruan jashtë aktiviteti për efekte të pandemisë. Qeveritë kanë marrë masa për të kontribuar në pagesat e pagave për punonjësit, përkohësisht pa punë ose me leje të sforcuar.
Qasjet e vendeve ndryshojnë shumë, duke pasur parasysh se në tregun e punës dhe të sigurisë sociale, institucionet janë të ndryshme, që do të thotë se masat e mundshme dhe të nevojshme mbështetëse ndryshojnë. Në disa raste, pagesa u drejtohet kompanive, për t’u mundësuar atyre, që të vazhdojnë të paguajnë pagat dhe shmangin pushimet nga puna. Në raste të tjera, qeveritë kontribuojnë direkt te të punësuarit, por duke bashkëvepruar me bankat dhe zyrat e punës.
Mundësitë për shkurtimin e përkohshëm të orarit të punës ose tepricën e punonjësve, janë një opsion për shumë shoqëri që të përballojnë përkohësisht ndikimin e pandemisë dhe pati në shumë vende ndërhyrje shtetërore në këtë drejtim. Shumë shtete për punonjësit që kaluan nga kontratat me kohë të plotë, në kontrata me kohë të pjesshme, financuan në nivele të ndryshme, si sigurimet shoqërore, ashtu dhe pjesë të pagës së humbur. Disa të tjerë, i kushtuan vëmendje dhe tregut informal të punës. Ekziston një ndryshim i madh në formën dhe masën e kontributeve financiare të qeverisë, në kostot që lidhen me pagat për shkak të papunësisë pjesore ose të përkohshme, etj.
Njeriu apo ekonomia?
Politika e ndërhyrjes shtetërore në tregun e punës, nëpërmjet financimit të pagave, (të plotë ose të pjesshëm) plotësimit të fondeve për asistencën sociale, trajnime për ripunësim në një treg pune që ndryshon me shpejtësi, etj., u shoqëruan dhe me rritjen e dukshme të formave të reja të punës, që në gjuhën e përditshme u quajtën “smart work”.
Këto forma të “zgjuara të punës” sollën diskutimin mbi aftësinë konkurruese dhe kostot e punës. Në shumë vende u evidentua tendenca për të tkurrur pagat dhe për të ulur orët e punës, apo zgjerimi i zhvillimit të “punës nga shtëpia” etj. Mendohej nga specialistët se diçka e tillë do të rriste rendimentin e punës dhe mbi të gjitha, shkallën e konkurrueshmërisë së tregut të punës. Pra, do të ketë rënie të kostos së punës. Sa e vërtetë është kjo aktualisht, vështirë me të dhënat që kemi në dispozicion të nxjerrim konkluzione. Pyetja kryesore këtu është: A do të sjellë kapërcimin e krizës ulja e kostove në tregun e punës?
Në ndihmë të biznesit të vogël dhe të mesëm, pothuajse të gjitha vendet, përfshi dhe vendin tonë, morën masa për shtyrjen e taksave, pagesat e sigurimeve shoqërore, pagesat e borxhit, pagesat e qirave dhe shërbimeve utilitare. Shumica e vendeve të OECD kanë vendosur masa që lejojnë SME-të të shtyjnë pagesat, në mënyrë që të shmangin më tej problemet e likuiditeteve të tyre.
Gjithashtu, kanë shpallur shtyrje të tilla në pagesën e taksave të korporatave dhe tatimeve të të ardhurave, ndërsa disa vende përfshijnë TVSH, sigurimet shoqërore dhe kontributet e pensioneve. Shtrirja dhe kohëzgjatja e masave të shtyrjes ndryshon në varësi të vendit, megjithëse në të gjithë vendet, intensiteti i masave të shtyrjes, të cilat në shumë raste ishin masat e para të reagimit ndaj krizës, është rritur. Politika e shtyrjeve është shtrirë gradualisht më tej në fusha të tjera.
Në disa vende, bankat tregtare, të mbështetura ndonjëherë nga qeveria, kanë shpallur një moratorium të përkohshëm për shlyerjen e borxheve dhe kanë ofruar kredi me garanci sovrane. Për më tepër, në disa vende, pagesa e faturave të shërbimeve, pagesa hipotekare dhe qirave nga bizneset e vogla dhe qytetarët, është shtyrë përkohësisht. Mendohej nga të gjithë që një politikë e tillë do të lehtësonte vështirësitë e shoqërive në drejtim të likuiditeteve dhe do të ulte përkohësisht kostot funksionale.
A do të sjellë kapërcimin e krizës ulja e përkohshme e kostove funksionale të shoqërive?
Në tabelën e mëposhtme, po paraqesim në mënyrë të përmbledhur politikat kryesore të vendeve të OECD-se, dhe cilat politika janë përdorur dhe në tregun shqiptar. Vëmë re se në tregun shqiptar janë përdorur 8 nga 16 masat konkrete të përdorura nga shumica e vendeve të OECD-së.
Për kushtet e Shqipërisë, për situatën financiare që ajo po kalon dhe për strukturën buxhetore që ka ndërtuar në buxhetin e këtij viti, nga shumë ekonomistë këto masa janë konsideruar të pamjaftueshme. (në pritje të ndryshimeve buxhetore në fund të qershorit). Kryesorja është të gjykojmë: A do ta rrisin këto masa konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare?
Studiuesit i kanë ndarë faktorët që ndikuan në daljen e bizneseve nga kriza në dy grupe; në faktorë, që lidhen me uljen e kostove dhe faktorë, që lidhen me ristrukturimin e shoqërive në aspektin e modeleve të biznesit dhe krijimin e tregjeve të reja.
Sipas vëzhgimeve, pothuajse të gjitha shoqëritë, që për daljen nga kriza përdorën uljen e kostove, patën një dalje të vështirë dhe një rritje të ngadaltë. Kjo do të thotë se në thelb, kriza e vitit 2008 nuk kapërcehej me teknikat klasike të krizave të superprodhimit, por me sistemet e ndryshimit të modeleve të biznesit. Këto konkluzione na çojnë në analizën që shumë organizata ndërkombëtare dhe në mënyrë të veçantë EBRD-ja dhe OEDE-ja, realizuan për faktorët që ndikojnë me thellësinë e krizës dhe në mundësitë e daljes së shpejtë prej saj. Le të shohim pak më nga afër këta faktorë.
Dalja nga kriza
Sipas vëzhgimeve, pothuajse të gjitha shoqëritë, që për daljen nga kriza përdorën uljen e kostove, patën një dalje të vështirë dhe një rritje të ngadaltë. Kjo do të thotë se në thelb, kriza e vitit 2008 nuk kapërcehej me teknikat klasike të krizave të superprodhimit, por me sistemet e ndryshimit të modeleve të biznesit
Faktorët që ndikojnë në kapërcimin sa më të shpejtë të krizës nga COVID-19
1- Dendësia e popullsisë konsiderohet një nga faktorët që ndikojnë në përhapjen dhe kohën e zgjatjes së epidemisë. Duke marrë parasysh këtë, përhapja e epidemive është me të vërtetë e lidhur ngushtë me dendësinë e popullsisë.
2- Vdekshmëria. Një faktor që ndikoi shumë në thellësinë e krizës dhe mbi të gjitha në paralizimin e ekonomisë ishte vdekshmëria.
3- Struktura Demografike është një faktor tjetër që ndikon në shkallën e krizës dhe thellësinë e saj. Struktura banuese e popullsisë dhe shpërndarja e sëmundjes nëpër qytete është e lidhur ngushtë me madhësinë e qyteteve. Vihet re se rritja e madhësisë së qyteteve nuk është proporcionale me rritjen e infeksioneve sipas numrit të popullsisë. Këtë e vërtetojnë dhe modelet matematikore të analizës së shkallës së infeksionit.
4- Elasticiteti i tregut të punës. Në vendet ku distancimi shoqëror ishte për një kohë relativisht më të shkurtër, rimëkëmbja pritet të jetë më e shpejtë, atje ku kufizimet e përkohshme në punë ishin më të gjata në kohë, krizat priten më të mëdha.
Nga ana tjetër, element i rëndësishëm ishte elasticiteti i marrëdhënieve të punësimit. Logjike është që sa më të mëdha qendrat e punësimit në aspektin e punonjësve aq më e madhe shkalla e mundësisë së infeksionit. Interesant është fakti që elasticiteti i tregut të punës kushtëzoi dhe një fenomen tjetër, atë të punës në distancë të lidhur me elementet e përdorimit të teknologjisë.
5- Një element tjetër i rëndësishëm, që ndikoi në pasojat ekonomike të pandemisë ishte struktura e ndërmarrjeve (firmave). Ky element ndikonte jo vetëm në përhapjen e virusit por shumë mendojnë se do të ndikojë dhe në kapërcimin e krizës.
6- Po në këtë drejtim ndikon dhe raporti i të punësuarve dhe të vetëpunësuarve. Dhe ky është faktor i rëndësishëm, që ndikoi në shkallën e infektimit, por, parashikohet të ndikojë edhe në kapërcimin e krizës, sepse tregon qëndrueshmërinë e bizneseve apo lehtësinë e ristrukturimit të tyre.
7- Faktori i fundit që ne morëm në konsideratë për kapërcimin e krizës ishte ndërhyrja e shtetit me financime të drejtpërdrejta në ekonomi.
Konkluzionet mund të nxirren duke përdorur të njëjtat faktorë që analizuam më lart, nivelin e politikave të ndërhyrjes në ekonomi, strukturën e ekonomisë shqiptare dhe disa tregues, që lidhen me nivelin e eksporteve dhe ristrukturimin e ekonomisë
1. Duke parë stabilitetin politik, rajonin që e rrethon, sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm, Shqipëria ka mundësi të vogla për kapërcimin e shpejtë të krizës.
2. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare për nga struktura e popullsisë, e llojit dhe modeleve të biznesit dhe shpërndarjes gjeografike të popullsisë, ka mundësi relativisht të ulëta për t’u prekur thellë nga kriza aktuale ekonomike.
3. Duke parë masën e ndikimit të politikave aktive të ndërhyrjes në ekonomi, strukturën e borxhit publik dhe nivelin e investimeve publike, ka probabilitet të lartë që për kapërcimin e krizës të duhet një kohë e gjatë.
4. Duke parë mundësinë e bankave për financime, nivelin e liberalizimit të ekonomisë, strukturën e ndërmarrjeve dhe kostot tatimore, Shqipëria ka mundësi të mëdha që duhen përdorur për kapërcimin e shpejtë të krizës.
5. Në funksion të këtyre, është e domosdoshme që të fillojë programi i rindërtimit të vendit, si mënyra kryesore e frenimit dhe kapërcimit të krizës. Prandaj rialokimi i fondeve buxhetore në buxhetin e këtij viti drejt sektorëve më të prekur nga kriza, është emergjent. Kjo duhet të bazohet me një plan zhvillimi afatgjatë për dekadën e tretë të këtij shekulli.
Mendoj, se po të zbatojmë protokollet dhe metodologjitë që rekomandojnë organizatat ndërkombëtare, për ekonomitë e vendit tonë, dhe të shfrytëzojmë praktikat inovative të vendeve të zhvilluara, viti i ardhshëm do të jetë përsëri me ritme pozitive të rritjes së ekonomisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.