Intervistë me Ergys Verdho, Administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) duket se ka përshpejtuar ritmin e investimeve që lidhen me projekte të reja, ku dominojnë ato të energjisë diellore. Administratori i KESH, Ergys Verdho, pohon për “Monitor” se përveç impiantit në funksion mbi digën e Qyrsaqit, janë edhe tre projekte të tjera në faza të ndryshme, ku më i fundit është ai me kapacitet 50 MWp për të cilin po negociohet me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Z. Verdho nënvizon se TEC Vlora është një tjetër projekt për të cilin është shtuar vëmendja. Kompania do të fokusohet me investime në mirëmbajtjen e aseteve aktuale dhe rritjen e kapaciteteve të gjenerimit për më shumë siguri në furnizimin me energji të vendit.
Viti 2022 ishte një nga më të vështirët për sektorin e energjisë kur kriza e nisur në vitin 2021 arriti kulmin. Cilat ishin sfidat me të cilat u përball KESH, edhe si kompania e ngarkuar me sigurimin e sasisë së energjisë së nevojshme për konsum në vend, një detyrim që nuk e kishte më herët?
Viti 2022 cilësohet si një vit specifik dhe i vështirë, ku aktiviteti operacional i Korporatës u përball me sfida të vështira, për shkak të rritjes globale të çmimeve të energjisë dhe gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji.
Vetë detyrimi i ngarkuar për shoqërinë përbënte një sfidë, e cila shoqërohej me të gjithë ndikimet si natyrore, edhe të aktorëve jashtë vendit.
Viti 2022 ishte i vështirë në aspektin hidrik, i cili i shoqëruar me situatën atipike të tregjeve të energjisë, për shkak të faktorëve gjeopolitikë në Europë, solli për KESH sh.a. rrezikun e ekspozimit të menjëhershëm në kosto të shtuara dhe të paparashikueshme.
Sfidat e vitit 2022 ishin të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe kryesisht u përmblodhën në atë të sigurimit të energjisë elektrike me kosto optimale, për të realizuar furnizimin me energji brenda vendit, pa ndikuar në prekjen e çmimit fundor për konsumatorët.
Sa ishin në sasi dhe vlerë importet në vitin 2022 dhe çmimi mesatar me të cilin u sigurua energjia? Sa ndihen efektet sot?
Sasia e energjisë e importuar në vitin 2022 ishte 1,467,734 MWh, me çmim mesatar importi 305.48 Euro/MWh.
Në lidhje me situatën e vitit 2023, nga ana e KESH sh.a. vlerësohet se vetë shoqëria, për shkak të prurjeve hidrike të fund të vitit 2022 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, është në një situatë me ekspozim të ulur ndaj krizës energjetike.
Ekzistenca në tregje e dinamikave të mëdha sa i përket çmimit të energjisë, me çmime në orët pik deri në 427 Euro/MWh, por edhe mungesa e vërejtur në stabilitetin e çmimeve, nënkupton që kriza vijon.
Kjo edhe ndikon në veprimtarinë e shoqërisë, kryesisht e varur nga prurjet hidrike.
Megjithatë duhet të theksojmë se në raport me vitin 2022, masat e marra deri më tani, kryesisht për rritjen e kapaciteteve alternative të gjenerimit hidrik, përbëjnë element të shtuar në përballimin e situatave të ngjashme me ato të vitit 2022.
Cilat janë detyrimet e KESH në lidhje me huatë e miratuara me garanci shtetërore për shkak të krizës së energjisë? Po borxhet mes kompanive të energjisë?
Situata hidrike e fillimvitit (gjashtëmujori i parë i 2023), dhe në tërësi parashikimet për një ecuri janë ndjeshëm më pozitive krahasuar me vitin e vështirë 2022.
Ka efekte pozitive edhe në likuiditete, duke përmirësuar situatën e aktiveve qarkulluese të “Llogarive të Arkëtueshme dhe të Tjera” dhe të “Llogaritë e Pagueshme dhe të Tjera”, dhe uljes së vlerës së tyre.
Si rrjedhojë e mbështetjes buxhetore gjatë vitit 2022, shoqëria ka tërhequr në formën e huasë afatmesme nga buxheti i shtetit një vlerë prej rreth 68 milionë eurosh, ripagimi i së cilës fillon gjatë vitit të ardhshëm.
Pjesa tjetër e mbështetjes buxhetore për KESH sh.a. është alokuar në formën e injektimit kapital.
Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë shënon një standard të ri të operimit dhe transparencës së këtij sektori, duke sjellë edhe rritjen disponueshmërisë së likuiditetit.
Sa u përket detyrimeve brenda sektorit, sqarojmë se për shkak të vjetërsisë së tyre, ato janë ristrukturuar me marrëveshje, e cila është në fuqi aktualisht.
Kriza nuk pati vetëm të humbur, por edhe të fituar. Të tillë janë prodhuesit e pavarur, të cilët paguan një taksë të jashtëzakonshme, por sidomos tregtarët e energjisë, fitimet e të cilëve shënuan rekord. Cila është arsyeja që kjo hallkë, e cila mund të favorizonte KESH në transaksionet e drejtpërdrejta të energjisë, shërben si ndërmjetës, duke rritur kostot? A mund të shmanget dhe nëse jo, pse?
Modelet e tregjeve të energjisë bazohen në tregtimin e lirë të produktit energjetik dhe Republika e Shqipërisë, në kuadër të procesit të integrimit në BE, aplikon një model tregu, të bazuar në veprimtarinë e tregtimit të energjisë.
Ekzistenca e tregtarëve në tregun e energjisë elektrike është e pashmangshme për shkak të modelit.
Një model tregu i përqendruar me ligj është i pazbatueshëm, pasi bie ndesh edhe me rregullimet ligjore ndaj subjekteve të cilët janë në të njëjtën kohë edhe prodhues, edhe tregtarë.
Sipas ligjit “Për Sektorin e Energjisë”, zbatohen parashikimet për të drejtën e vendosjes së detyrimit për shërbim publik, sipas kritereve dhe kushteve ligjore.
Energjia elektrike është një produkt, mall, me karakteristikën e veçantë që është i pamagazinueshëm si mallrat e tjerë, ndaj qarkullimi i energjisë kryesisht nga importi, kërkon përfshirjen e palëve që realizojnë menaxhimin e portofolave energjetikë me flukse të ndryshme.
KESH ka sot në TRIPORT termocentralet lundrues, të cilët u morën me qira si formë sigurie në kushtet e krizës. A mendoni se në kushtet që jemi sot, kjo është ende një siguri për vendin apo një shpenzim i nxituar, kur pasojat e krizës duket sikur janë zbehur?
Impianti termik lundrues është një aset, i cili synon rritjen e sigurisë së furnizimit me energji brenda vendit, bazuar në politikën e diversifikimit të teknologjisë gjeneruese.
Një investim i tillë përbën një mjet për menaxhimin e rrezikut në situata si ajo e vitit 2022, duke mundësuar në të njëjtën kohë edhe rritjen e kapacitetit gjenerues të shoqërisë publike.
Kësaj të fundit i është ngarkuar detyrimi për shërbim publik, duke sjellë uljen e ekspozimit të mundshëm në tregjet e energjisë elektrike.
KESH ka njoftuar se do të zhvillojë rehabilitime në Fierzë. Cilat janë ndikimet që do të ketë ky projekt në prodhimin e energjisë në vend gjatë këtij procesi dhe cilat janë disa nga projektet e tjera të rëndësishme të investimeve që keni në planet tuaja?
Nëpërmjet një financimi nga KFW, në kuadër të projekteve për rritjen e sigurisë së digave në Shqipëri, shoqëria KESh sh.a. është duke aplikuar strategjinë e saj të mirëmbajtjes dhe rijetësimit të aseteve ekzistuese gjeneruese, me qëllim rritjen e eficiencës dhe jetëgjatësisë së këtyre aseteve.
Përpos ndikimit në rritjen e jetëgjatësisë së veprave, çka përbën qëllimin kryesor, parashikohet që nga ndërhyrjet rehabilituese të përmirësohen edhe kapacitetet teknologjike të cilat do të mundësojnë rritje të eficiencës në prodhim, si në aspektin e përdorimit të ujit, edhe atë të rritjes së gjenerimit vjetor.
Projektet e shoqërisë KESH sh.a. janë fokusuar në drejtimet kryesore:
1. Rehabilitim dhe mirëmbajtje e kapaciteteve aktuale gjeneruese hidrike
2. Diversifikim i portofolit gjenerues me kapacitete gjeneruese nga burimet e rinovueshme
3. Rritja e kapaciteteve gjeneruese për sigurinë e furnizimit
4. Rritja e kapaciteteve teknike dhe profesionale për optimizimin e gjenerimit të portofolave gjeneruese me teknologji të ndryshme.
Ndër projektet me prioritet mund të përmendim projektet në instalimet e impianteve fotovoltaike në Vaun e Dejës, përfshirë atë lundrues, TEC Lundrues, rehabilitimi i HEC-it të Fierzës dhe mbyllja e fazës së parë të projektit të HEC-it të Skavicës.
Në çfarë faze janë planet tuaja për projektin fotovoltaik që po mbështetet nga BERZH, për të cilin u hap një procedurë gare pak kohë më parë. A mendoni t’i zgjeroni përtej Zadejës dhe Qyrsaqit kapacitetet fotovoltaike të KESH?
Aktualisht, shoqëria KESh sh.a. ka në funksion impiantin fotovoltaik në trupin e digës së Qyrsaqit, me kapacitet të instaluar 5.12 MWp dhe është në fazën e projektimit dhe ndërtimit të impiantit fotovoltaik në trupin e digës Zadejë, me kapacitet të instaluar 8.19 MWp.
Nëpërmjet shoqërisë bijë të projektit SENA sh.a., në bashkëpunim me BERZH, po zhvillohet projekti i Impiantit Fotovoltaik lundrues, në liqenin e HEC Vau i Dejës.
Projekti është në fazën e dytë të prokurimit të kontraktorit për zbatimin, e cila pritet të përfundojë brenda vitit 2023.
Një projekt tjetër i shoqërisë, aktualisht në studim, në bashkëpunim me BERZH është edhe instalimi i një impianti me kapacitet gjenerues deri në 50 MWp.
Procesi është në fazën e shqyrtimit për financim dhe grante.
Projekti i vënies në funksion të TEC Vlora është gjithashtu në prioritetet e shoqërisë dhe po koordinohet me projektet e mundshme që lidhen me furnizimin me gaz natyror të kësaj njësie.
Sfidat
Viti 2022 ishte i vështirë në aspektin hidrik, i cili i shoqëruar me situatën atipike të tregjeve të energjisë, për shkak të faktorëve gjeopolitikë në Europë, solli për KESH sh.a. rrezikun e ekspozimit të menjëhershëm në kosto të shtuara dhe të paparashikueshme. Sfidat e vitit 2022 ishin të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe kryesisht u përmblodhën në atë të sigurimit të energjisë elektrike me kosto optimale, për të realizuar furnizimin me energji brenda vendit, pa ndikuar në prekjen e çmimit fundor për konsumatorët.
LEXONI EDHE: 200 VIP-at e 2022. Shumë xhiro për asgjë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.