Kriza ekonomike nuk mbërrin në aeroport

20/04/2015 12:26 PM 0 komente

Shqiptarët fluturojnë vetëm me “krahë” të huaj prej gati një viti e gjysmë. Ndryshimet drastike në tregun e fluturimeve në fund të vitit 2013 ristrukturuan tregun duke u dhënë hapësirë kompanive italiane. Çmimet e biletave nuk ndryshuan. Për një kosto më të ulët, agjencitë dhe drejtuesit e TIA-s i kërkojnë qeverisë të heqë tarifën e kalimit të kufirit, ndërsa shqiptarëve u sugjerohet të prenotojnë më herët. TIA, e gatshme të negociojë kontratën, ndërsa Ministria e Transporteve po ecën ngadalë

 

Nga Albana Muçaj

 

Nëse doni të largoheni nga zymtësia e klimës ekonomike (ku pagat nuk mjaftojnë dhe blerjet po bëhen një luks gjithnjë e më i madh) nuk ju sugjerojmë të ikni jashtë vendit, por thjesht të shkoni në Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza”. Një fluturim jashtë do të ishte i përkryer, por nëse e keni të pamundur dhe jo të domosdoshme, thjesht ndaluni në aeroport dhe shijoni zhurmën e ulje-ngritjeve të avionëve.

Në aeroportin e vetëm të Shqipërisë, viti i kaluar, mund të cilësohet më i miri për menaxhimin e tregut të fluturimeve në vend. Kompanitë bënë më pak fluturime, por pasagjerët e transportuar ishin më shumë se një vit më parë, gati në nivelet maksimale të shënuara në 2011-n.

Bilanci pozitiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës u mbyll me një rritje prej 3% të numrit të pasagjerëve që udhëtuan në 2014-n, krahasuar me një vit më parë (në vitin 2013, rritja ishte 5.5%)

Sipas të dhënave të TIA-s, të siguruara për “Monitor”, gjatë vitit të kaluar nga Rinasi fluturuan rreth 1.81 milionë pasagjerë. Ky bëhet viti i dytë radhazi me rritje, pas rënies së shënuar në 2012-n.

monitor 676.indd

Niveli gati rekord në historinë e shkurtër të fluturimeve tona, përbën ndryshim pozitiv vitin e kaluar për faktin se kompanitë, janë treguar më efektive, duke ulur shpenzimet për fluturime, përmes një administrimi më të mirë të flotave të tyre ajrore. Ndërsa numri i pasagjerëve mbetet pak larg rekordit të 2011-s, numri i fluturimeve është më i ulëti i tetë viteve të fundit, ose thjesht pak më i lartë se viti i parë i fluturimeve të administruara nga TIA.

Shifrat e konfirmuara nga Tirana International Airport për “Monitor” tregojnë se numri i fluturimeve ka zbritur në më pak se 18 mijë, duke shënuar një ulje prej më shumë se 10% krahasuar me një vit më parë.

Një numër më i ulët fluturimesh ka shënuar vetëm viti i parë i aktivitetit të TIA-s.

 monitor 676.indd

monitor 676.indd

Aktiviteti i fluturimeve “u shërua” shpejt pas tronditjes që krijoi largimi i kompanisë së vetme shqiptare Belle Air.

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, edhe nga përmbajtja statistikore, transporti u mbyll me rritje vjetore, duke lënë mënjanë efektin negativ që dha në sektorin e transportit, dhe në ekonominë në tërësi, largimi i papritur i kësaj kompanie. Pas uljeve deri në 25% të të gjithë sektorit krahasuar me një vit më parë, aktiviteti i transportit rezultoi me rritje 3% në tremujorin e fundit të 2014-s, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013-s, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave.

 

Tregun e marrin italianët

Më 24 nëntor të 2013-s, Belle Air la në baltë mbi 5 mijë pasagjerë që kishin blerë biletat e saj, duke shpallur falimentimin. Ajo u largua papritur pas 7 vitesh aktivitet dinamik, me dhjetëra fluturime në ditë, ajo arriti të merrte mbi gjysmën e tregut të fluturimeve.

Një hapësirë kaq e madhe (ndonëse kujtojmë se po flasim për tregun e një vendi të vogël) ndezi një konkurrencë të menjëhershme të kompanive. Emrat e parë që nxituan të merrnin përsipër transportin e pasagjerëve të mbetur në aeroport ishin italianë. Blu Panorama ofroi atëherë bileta nën çmimet mesatare, të cilat duhej t’i blinin ata që kishin humbur biletat e para.

Në këtë periudhë, edhe kompania që mban flamurin italian pasqyroi një strategji për zgjerimin e ofertës për pasagjerët shqiptarë.

Përpjekjet e tyre rezultuan lehtësisht të suksesshme.

Kompania e re në tregun tonë, Blu Panorana, arriti të marrë menjëherë, gati 20% të tregut, duke u renditur krah për krah me Alitalia, e cila, përmes tranzicionit të fundvitit 2013, arriti të dyfishojë aktivitetin në Shqipëri. Vitin e kaluar, ajo mori gati 20% të tregut, nga 10% që zinte në vitin 2010. Dyfishim të aktivitetit, siç shihet nga grafiku, shënoi edhe Air One.

Të tjera linja si Meridiana dhe Fly Albania përfituan duke u futur në treg, për të marrë “kockat” e mbetura të kompanisë Belle Air.

Pozicionimi i ri ndodhi që në muajin e parë pas ikjes së kompanisë shqiptare. Alitalia mundi të marrë numrin më të madh të rezervimeve, duke rritur me shpejtësi numrin e tyre gjatë periudhës dhjetor 2013 – janar 2014. Për këtë periudhë, ajo zuri peshën më të madhe në treg. Duhet të kujtojmë se shoqëria Alitalia operon edhe me Air One, që ushtron aktivitet si operator më vete, si një kompani “low cost” e këtij grupi. Thënë shqip, çmime më të ulëta se ajo e kompanisë kombëtare italiane, por jo në nivelet reale të “low cost”, një fakt i pamundur deri më tani në vend për shumë arsye. Të dyja kompanitë, siç thamë më sipër, dyfishuan aktivitetin.
Për vetëm dy muaj, Alitalia dhe Air One realizuan rreth 114 fluturime direkte, duke i rritur ato me 128% kundrejt muajve të mëparshëm, kur tregun e kryesonte Belle Air. Krahas destinacioneve të mëparshme, ato shtuan mbulimin edhe në qytete të tjera të Italisë.

Por, ajo që dha zhvillimin më të madh, edhe në menaxhimin efektiv të fluturimeve, vlerësohet të ketë qenë Blue Panorama. Erdhi në kohë rekord në tregun ajror dhe i mjaftuan dy muajt e parë të fluturimeve për të qenë optimiste për të ardhmen. Agjentët e udhëtimeve vlerësuan korrektësinë në orare (në mbi 90% të fluturimeve), ndërsa kapaciteti i pasagjerëve ishte mesatarisht 82%. Ky fakt është me rëndësi për t’u theksuar, pasi në historinë e fluturimeve shqiptare nuk mungojnë periudhat e fluturimeve me pak pasagjerë, të cilat automatikisht sillnin kosto të larta për kompanitë e bileta të larta për pasagjerët. Pak vlerësohet të ketë ndryshuar në çështjen shumë të diskutuar të çmimit të lartë, por agjentët e udhëtimeve (ekspertë në këtë fushë) lajmërojnë se kjo është një premisë e mirë, thënë ndryshe një fillim i mbarë në rrugën drejt uljes së çmimit.

monitor 676.indd

monitor 676.indd

 

Rritet edhe qarkullimi i mallrave

Pas rënies së shënuar për dy vite rresht, edhe transporti ajror i mallrave shënoi rritje. Sipas të dhënave të TIA-s, vitin e kaluar u përpunuan 2.32 mijë tonë mallra, ose 7.4% më shumë se një vit më parë.

Kjo rritje e qarkullimit të mallrave dhe pasagjerëve vlerësohet të ketë kompensuar në njëfarë mënyre, uljen e të ardhurave për TIA-n, nga ulja e numrit të fluturimeve. Kompania nuk ka publikuar ende xhiron vjetore për vitin e kaluar. Por, rimëkëmbja filloi të dukej që në 2013-n, kur xhiro vjetore e kompanisë arriti në 33 milionë euro, duke iu afruar nivelit më të lartë të xhiros që siguroi kur fluturimet dhe pasagjerët ishin në nivelin më të lartë të tyre, në 2011-n.

monitor 676.indd

monitor 676.indd

 

Çmimet nuk ndryshojnë

Pavarësisht ndryshimeve të mëdha në tregun e fluturimeve, për shpenzimet e konsumatorëve nuk ka ndryshuar asgjë. Ata vazhdojnë të paguajnë në të njëjtat nivele, për të njëjtat udhëtime.

Përfaqësues të agjencive të udhëtimit bëjnë të ditur se nuk ka pasur luhatje të çmimit pas ndryshimit të kompanive. Agjencitë e udhëtimit, në fakt, nuk prisnin ndonjë ulje të mundshme të çmimit, ndryshe nga shqiptarët që fluturojnë herë pas here. Mbizotërimi i më shumë se gjysmës së tregut nga një kompani, pati hapur dyshimet për një treg oligopol, ku çmimi paracaktohej, ndërsa çmimet e larta vazhdojnë t’u faturohen nga pasagjerët, Aeroportit të Tiranës, për shkak të shërbimit monopol të siguruar nga kontrata koncesionare me qeverinë shqiptare.

Gëzim Hajdini, drejtues i Union Travel, tregon se “çmimet e biletave janë po ato të mëparshmet. Kompanitë ndjekin politikat e tyre për vendosjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare”. Sipas tij, me prenotime të hershme, mund të sigurohen bileta të lira për shumë destinacione, por nëse vendosim të udhëtojmë papritur nuk duhet të presim të kursejmë.

Drejtuesit e agjencive të udhëtimit thonë se në vend kanë filluar të aplikohen prenotimet, disa muaj para udhëtimit, por në tërësi shqiptarët masivisht përdorin momentin e fundit për të marrë biletën e udhëtimit. Por, përveçse ta kërkojnë te vetja uljen e çmimit, konsumatorët, sipas agjencive të udhëtimit, duhet të kërkojnë lehtësi edhe nga qeveria. Ndryshe nga vendet e tjera fqinje, shqiptarë e të huaj që përdorin Aeroportin e Tiranës, paguajnë një taksë shkencore, siç e quajnë drejtuesit e agjencive të udhëtimit. Flitet për taksën e kalimit të kufirit, e cila duke kushtuar 10 euro, e rrit automatikisht biletën e udhëtimit me këtë vlerë.

Por, qeveria duket se nuk ka ndër mend të heqë dorë nga kjo taksë (pasi duhet të mendojë si ta zëvendësojë atë me të ardhura të tjera në buxhet). Në vend të kësaj, ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, dha një deklaratë pas ikjes së Belle Air, që faktet e sotme e hedhin poshtë. Ai u shpreh optimist për hapjen e tregut të fluturimeve. “Hyrja në treg e disa kompanive të reja të fluturimeve ka rritur ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe ka ulur kostot. Çmimi i biletave krahasuar me një vit më parë është ulur 50%”, tha ministri i Transporteve, në fillim të vitit të kaluar.

Fakt mbetet që çmimet e disa destinacioneve janë më të larta se ato të ofruara në vendet fqinje në Ballkan. Biletat për avionët nga Rinasi janë 20-30% më shtrenjtë se linjat ajrore nga Aeroporti i Prishtinës. Ndaj, një numër i madh shtetasish shqiptarë, i drejtohen këtij aeroporti. Për udhëtime turistike, agjencitë turistike përdorin po ashtu vendet fqinje, ku klientët i dërgojnë përmes transportit rrugor, për të filluar fluturimin jashtë.

 

TIA: Të hapur për të diskutuar koncesionin, ministria e ngathët

Nuk janë vetëm klientët e thjeshtë që ia atribuojnë çmimin e lartë të biletës, pasjes së një aeroporti të vetëm. Edhe institucionet, përfshirë Ministrinë e Transportit, flasin për një monopol që po “luftojnë” për ta hequr. Pse themi kështu?! Prej dy vitesh, ministri i Transportit, Haxhinasto, ka theksuar vazhdimisht, planet e tij për hapjen e një aeroporti të ri në Sarandë, për faktin se do të diskutohet me kompaninë TIA, koncesioni i së cilës, mban larg duart e shtetit.

Por drejtuesit e kompanisë e kanë pranuar se janë të hapur për diskutime, madje i kanë filluar ato prej dy vitesh. Në një intervistë, Ceo i TIA-s, Rolf Castro-Vasquez, është shprehur se, “për sa i përket së drejtës së ekskluzivitetit, dëshiroj të shpreh vullnetin tonë të vazhdueshëm për të diskutuar këtë çështje me qeverinë shqiptare, siç kemi bërë edhe me qeverinë e mëparshme. Negociatat kanë filluar. Tirana International Airport qëndron në anën e zhvillimit dhe të së ardhmes së transportit ajror në vend. Ne jemi të hapur”. Por kur kanë kaluar dy vite nga bisedimet, vetë pala shqiptare duket se nuk ka qenë aq e shkathët sa t’i japë drejtim çështjes, e të hapë realisht mundësinë e ndërtimit të një aeroporti të dytë.

Vetë kompania private bën të ditur se po pret hapat e qeverisë shqiptare për të ecur në realizimin e konkluzioneve. Në fakt, që në gjysmën e parë të vitit të kaluar, qeveria pritej të realizonte një marrëveshje me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit në drejtim të uljes së kostove dhe tarifat e shërbimeve për qytetarët. Ky fakt është pohuar nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i cili ka thënë se po zhvillohen bisedime edhe me koncesionarin e aeroportit të Kukësit për ta bërë efektiv, si dhe për ndërtimin e një aeroporti të ri në Jug të vendit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of