Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka paralajmëruar se kriza energjetike ka gjasa të zgjasë deri në muajin prill të 2022-s.
Është paralajmëruar edhe se faturat do të jenë më të shtrenjta. Kurse, Kuvendi është duke e mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme
Deputetet e Kuvendit të Kosovës sot janë mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës – shqyrtimin e vendimit të Qeverisë për masat e emergjencës në kufizimin e energjisë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka arsyetuar vendimin e Qeverisë duke shtuar se ky vendim që mund të marrë Kuvendi nuk nënkupton që masat kufizuese do të merren menjëherë.
“S’do të thotë se merren masa kufizuese menjëherë, por i mundëson Qeverisë marrjen e masave që kanë të bëjnë në vendosjen e kufizimeve në furnizim për konsumatorë ose vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë”, ka thënë ajo duke shtuar se vendimet do të dalin në bazë të rekomandimeve të Komitetit teknik që parashihet të formohet me vendim.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e ka cilësuar të vonuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për furnizim me energji elektrike.
“Kemi para nesh një vendim shumë të vonuar. Do të duhej të ishte i planifikuar që në vjeshtën e hershme e do të na shoqëronte me një arsyetim më të thuktë për sfidat e rrethanat që ne sot të pajtoheshim apo jo për një krizë emergjente. Kërkuam që vendi ta shpallë mbi bazën e fakteve dhe veprimeve që janë ndërmarrë paraprakisht”, ka thënë ai.
Sipas tij, rënia e bllokut B2 ka qenë e paralajmëruar dhe se shteti ka dështuar të organizohet për këtë çështje.
Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar populiste dhe të paditur Qeverinë që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, për menaxhim të krizës me energji elektrike.
Në seancën e parlamentit ai ka thënë se Kosova është vonuar gjashtë muaj për të shpallur gjendjen emergjente.
“Të tjerët kanë vepruar shpejt. Kanë bërë zgjidhje. Të gjitha i furnizojnë qytetarët me energji. Kosova s’mund ta bëjë dhe bëhet lajm ndërkombëtarë. Prandaj këtu kriza është e veçantë. S’bëhen lajm ndërkombëtarë të tjerët, por Kosova sepse të tjerët gjendjen e emergjencës e kanë shpallur në tetor edhe kur çmimet ishin më lirë e kriza më e lehtë. Ne sot jemi në dhjetor, katër ditë para përfunduar viti e tek sot gjashtë muaj pasi ka nisur kriza, e tre muaj pasi tjerët shpallën emergjencën, ne nisëm të dëgjojmë masat e Qeverisë, me gjashtë muaj vonesë. Është menaxhim krize, s’mund të kesh rezultat të mirë. Qeveria jonë populiste siç është verës kur tjerët merreshin me problemet e energjisë, kjo Qeveri shpërndante parulla se e ka zhvillimin më të madh në Evropë sa që po arrin edhe Kroacinë. Kryeministri që i ka krejt, na thotë se ajo s’blihet se s’konservohet në frigorifer. Për këtë janë fajtor krejt, secili përveç tij. Po flet me popullizëm. Është më shumë se padituri. Është krizë. Çmimi kontraktohet”.
Sipas tij, qytetarët nga Qeveria Kurti s’duhet të presin ndryshime për energjinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se GP i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dy javë më parë ka kërkuar një debat parlamentar.
Sipas tij ata që dy muaj e gjysmë e kanë adresuar këtë çështje. Ai ka thënë se Qeveria me qëllim ta zbehë një debat përmbajtjesor, duke sjellë sot një vendim që nuk ka asnjë ndikim te qytetarët.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka quajtur të pakuptimta të gjitha akuzat që erdhën nga partitë opozitare në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Ajo ka mohuar deklaratat se ka bërë presion në KEK, apo se s’ka pasur planifikim më të mirë.
Ka deklaruar se s’ka asnjë shtet në Evropë që krizën e ka tejkaluar me blerje të mëhershme të energjisë, e ka thënë se shteti nuk e cakton çmimin e rrymës.
Sipas saj, kur kanë nisur të shpenzohen 20 milionë eurot që Qeveria ndau për KEK-un, ka nisur ndalja e reduktimeve.
Në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, në shqyrtimin e Planit e Performancës së ZRRE-së për vitin 2022, kryesuesi i Bordit të kësaj zyre, Ymer Fejzullahu, ka thënë se ndër planet e institucionit janë rritja e konkurrencës dhe integrimi i tregut. E ka konsideruar sfiduese periudhën e ardhshme.
Teksa ka folur për liberalizimin e tregut, ai ka thënë se kjo nuk mund të bëhet pa funksionalizimin e Fondit të konsumatorëve në nevoje.
Për paralajmërimet se do të ketë shtrenjtim të çmimit të rrymës, Fejzullahu ka thënë se sipas vlerësimeve ndërkombëtare, çmimi s’do të bjerë deri në prill dhe nëse nuk mbulohet nga buxheti i Kosovës, ajo do të mbulohet nga konsumatorët.
“Sipas vlerësimeve shihet që çmimet e energjisë nuk do të bien deri në prill dhe për këtë mendojmë se kjo krizë do të vazhdojë. Nëse nuk mbulohet nga buxheti i Kosovës, atëherë kjo duhet të mbulohet nga konsumatorët, për shkak se rreth 1 milion euro është kostoja e importit, kosto e papërballueshme për neve dhe konsumatorit”, tha ai.
Si pasojë e ngritjes së çmimit të rrymës në botë dhe mbingarkesës në vend gjatë dimrit, ditëve të fundit në Kosovë ka pasur reduktime të energjisë elektrike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.