Shkolla nuk po jep rezultat. BB merr nismën: Duhen mësues të suksesshëm
Bota po përballet me një krizë të të mësuarit. Ndërsa vendet kanë rritur dukshëm aksesin në arsim, të qenët në shkollë jo gjithmonë prodhon dije.
Në mbarë botën, qindra miliona fëmijë arrijnë moshën madhore pa përfituar aftësitë më themelore, siç është llogaritja e saktë e ndryshimit ndërmjet dy numrave, leximi i udhëzimeve të mjekut ose i orarit të autobusit. Imagjinoni këta fëmijë kur të bëhen prindër se si mund të përmbushin edukimin e fëmijëve të tyre.
Një hulumtim më i fundit i Bankës Botërore tregon se produktiviteti i 56% të fëmijëve të botës do të jetë më pak se gjysma e asaj që mund të ishte, nëse ata kishin formim arsimor të mirë dhe gjithashtu shëndet të plotë.
Arsimi ndikon pozitivisht në kapitalin njerëzor, nga i cili përfitojnë individët dhe shoqëritë. Për individët, arsimi ngre vetëvlerësimin dhe rrit mundësitë për punësim dhe të ardhura. Ai e ndihmon një vend në forcimin e institucioneve brenda shoqërive, nxit rritjen ekonomike afatgjatë, redukton varfërinë dhe nxit inovacionin.
Kriza globale e arsimit
Një nga arsyet kryesore pse kriza e mësimit vazhdon është se shumë sisteme edukimi në të gjithë vendet në zhvillim kanë pak informacion se kush po mëson dhe kush jo. Si rezultat, ndryshimi për të përmirësuar situatën është i vështirë. Banka Botërore sugjeron se shkollat dhe mësuesit duhet t’i përgatisin studentët me aftësi të paktën në lexim dhe shkrim. Nxënësit duhet të jenë në gjendje të interpretojnë informacione, të formojnë mendime, të jenë krijues, të komunikojnë mirë, të bashkëpunojnë dhe të jenë elastike.
BB ndryshon fokusin për arsimin: Ndryshimin e bën një mësues i mirë
Të kesh një infrastrukturë të mirë shkollore, mundësi për të shpenzuar për arsimin nuk mjafton të nxitësh dijen te të rinjtë. Përvoja ka treguar se kjo arrihet duke pasur një mësues të mirë. Banka Botërore ka njoftuar së fundmi një fokus të ri mbi zhvillimin e arsimit në të gjithë globin; ”Të ndihmojmë mësuesit në të gjitha nivelet të bëhen më efektivë, për të çuar arsimin përpara”, u njoftua në një deklaratë zyrtare të selisë së BB në Uashington së fundmi.
Përvoja ka treguar se kriza e arsimit është, në thelbin e saj, një krizë mësimore. Nxënësit që duan të mësojnë kanë nevojë për një mësues të mirë, por shumë sisteme edukimi i kushtojnë pak vëmendje asaj që mësuesit e dinë dhe çfarë bëjnë ata në klasë.
Por ka raste që në vende ku sistemet arsimore janë të dobëta, ekzistojnë mësues që shkëlqejnë me aftësitë e tyre.
Një mësues i tillë punon në shkollën e Kenitra-s në Marok. Ajo përdor mjete krijuese për të siguruar që çdo fëmijë mëson, merr pjesë dhe kënaqet. Në klasën e saj, çdo shkronjë në alfabet është e lidhur me tingujt e një kafshe dhe një lëvizje dore. Në këtë mënyrë, ajo mund t’i identifikojë lehtësisht studentët që nuk e kuptojnë materialin dhe në këtë mënyrë përshtat ritmin e mësimit për t’i ndihmuar ata që nxënë më pak. Fëmijët janë të angazhuar dhe të vëmendshëm dhe nuk kanë frikë të bëjnë gabime. Ky është një mësues i cili dëshiron të sigurojë që të gjithë fëmijët të mësojnë.
“Duke pasur parasysh rolin thelbësor që ata luajnë, trajtimi i krizës së të mësuarit kërkon mbështetjen e mësuesve, të cilët janë më të rëndësishmit për spektrin e madh të nxënësve që marrin dije”, citon Banka Botërore.
Por që mësuesit të shndërrohen në heronj kanë nevojë për ndihmë, duhet të ndihen të motivuar dhe të pajisen me atë që kanë nevojë për të dhënë mësim në mënyrë efektive.
Për të mbështetur vendet në reformimin e profesionit të mësimdhënies, Banka Botërore po prezanton “Mësues të suksesshëm, studentë të suksesshëm”. Kjo platformë globale për mësuesit adreson sfidat kryesore për t’i bërë të gjithë mësuesit të efektshëm, duke e bërë mësimin një profesion të respektueshëm dhe atraktiv, me politika efektive të personelit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.