Partitë e reja të krahut të djathtë nuk janë një evolucion i mëtejshëm i konservatorizmit, ato janë më shumë një shpërfillje e ideve të saj kryesore
Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë, i ka cilësuar idetë liberale si “të vjetruara”. Ai jo vetëm u shpreh për Financial Times se liberalizmi është i gjithi një parodi që lidhet kryesisht me emigracionin, multikulturalizmin dhe politikën gjinore, por ai zgjodhi edhe objektivin e gabuar, shkruan The Economist. Ideja më e kërcënuar në Perëndim është konservatorizmi. Në sistemet dypartiake, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe (gjerësisht) në Britani, partitë e krahut të djathë janë në pushtet.
Në shtetet me më shumë se dy parti, si në Gjermani dhe në Spanjë, qendra e krahut të djathtë po shkatërrohet, apo po shpërbëhet në shtete si Franca dhe Italia. Dhe në shtete si Hungaria, me një traditë të shkurtër të demokracisë, partitë e qendrës së djathtë kanë kaluar direkt në populiste, pa e provuar fare konservatorizmin. Konservatorizmi është më shumë një dispozitë sesa një filozofi. Filozofi Michael Oakeshott e shpjegon atë më mirë: “Të jesh konservator do të thotë të zgjedhësh të njohurën ndaj së panjohurës, përpjekjen ndaj mospërpjekjes, faktet ndaj misterit, faktet aktuale ndaj atyre që mund të ndodhin në të ardhmen dhe të ardhmen e afërt ndaj asaj të largët. Ashtu si liberalizmi klasik, konservatorizmi është fryt i Iluminizmit.
Liberalët thonë se rendi shoqëror shfaqet në mënyrë spontane nga individët që veprojnë lirisht, ndërsa konservatorët besojnë se rendi shoqëror krijohet i pari, në bazë të të cilit më pas individët veprojnë lirisht. Për ta është shumë i rëndësishëm autoriteti i familjes, rëndësia e kishës, traditës dhe shoqërive vendase. Rreziku kryesor që po i kanoset konservatorizmit është nga partitë e krahut të djathtë. Edhe partitë e reja të krahut të djathtë nuk janë një evolucion i mëtejshëm i konservatorizmit, ato janë më shumë një shpërfillje e ideve të saj kryesore. “Uzurpatorët e rinj” janë të acaruar dhe të pakënaqur. Ata janë pesimistë dhe reaksionarë.
Ata e shohin botën dhe i referohen asaj nëpërmjet fjalëve që tha dikur Presidenti Donald Trump “një kasaphanë e vërtetë”. Kjo reflektohet edhe në faktin sesi ato po shkatërrojnë traditat konservatore, njëra pas tjetrës.
Konservatorizmi është pragmatik ndërsa e djathta e re është e zellshme dhe më ideologjike. Edhe pse Australia pa kalon periudha shumë të vështira si pasojë e thatësirave të shumta dhe zjarreve që bien herë pas here, aty e djathta e re fitoi zgjedhjet nën një parti, lideri i së cilës iu drejtua Parlamentit duke folur me një copë të madhe qymyrguri në dorë dhe duke iu referuar kësaj të fundit si një prej relikeve më të shenjta të këtij shteti.
Në Itali, Matteo Salvini, kreu i Ligës së Veriut, ka nxitur lëvizjen kundër vaksinimit. Ndërsa për z. Trump, “faktet” janë thjesht instrumente që përdoren kundër imazhit të tij, apo për të krijuar slogane të cilat do të nxisin zemërimin në popull. Edhe pse konservatorët janë të kujdesshëm ndaj ndryshimeve, veprimet e tyre të kohëve të fundit hedhin dyshime mbi një fakt të tillë. Për shembull, Theresa May loboi fort për Brexit, edhe pse ajo e dinte mirë se një Brexit pa asnjë marrëveshje mund të shkatërronte bashkimin e saj me Skocinë dhe Irlandën e Veriut.
Donald Trump prej kohësh e kërcënon botën se do të largohet nga NATO, edhe pse e di se kjo do të rrezikonte balancat e pushtetit. Konservatorët besojnë se politika ka të bëjë me një gjykim dhe arsyetim të drejtë. Ata janë skeptikë ndaj karizmës dhe kultit të personalitetit. Në Amerikë janë të shumtë republikanët që mbështesin idetë e z. Trump, edhe pse ai është akuzuar mbi 16 herë për ngacmime seksuale. Brazilianët kanë zgjedhur Jair Bolsonaro, i cili iu referua me nostalgji periudhës së sundimit ushtarak. Karizmatiku Boris Johnson është kandidati i preferuar i njerëzve për Kryeministër në Britani, pavarësisht se shihet me skepticizëm nga shumë anëtarë të Parlamentit. Konservatorët respektojnë biznesin dhe janë të kujdesshëm ndaj ekonomisë, sepse prosperiteti justifikon çdo gjë.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e përshkruan veten si një konservator ekonomik të taksave të ulëta, por thekson sundimin e ligjit nga i cili varen bizneset. Z. Trump po shkakton fillimin e luftërave të ndryshme tregtare. Mbi 60% konservatorëve janë të gatshëm t’i shkaktojnë “dëme serioze” ekonomisë së tyre, vetëm e vetëm që të përfundojnë Brexit. Në Itali, Liga e Veriut po luan me tregjet në lidhje me nxjerrjen apo jo të obligacioneve qeveritare që do të vepronin si një monedhë paralele me euron.
Në Poloni, partia “Ligj dhe Drejtësi” po bën shpenzime të pakontrolluara. Në Francë, në fushatën për zgjedhjet e Parlamentit Europian, Partia Republikane kundërshtoi më shumë çështjen e “rrënjëve judeo-krishtere” të Europës sesa me çështjen më të rëndësishme të menaxhimit të kujdesshëm ekonomik. Sot, e djathta po ndryshon konceptin me të cilin është njohur në të kaluarën. Në Hungari dhe në Poloni, e djathta po shfaqet nëpërmjet ndjenjave të theksuara nacionaliste, të cilat përjashtojnë dhe diskriminojnë. Vox, një forcë e re në Spanjë, kujton me shumë nostalgji periudhën kur të krishterët dëbuan myslimanët.
Një nacionalizëm reaksionar padyshim do të nxisë ndjesi negative si zemërimi, urrejtja dhe separatizmi. Kjo është antiteza e pikëpamjeve konservatore, të cilat përqendrohen tek e mira e kombit, rëndësia e kishës dhe e komunitetit lokal, të cilat, të gjitha së bashku, mund t’i motivojnë njerëzit për të vepruar për të mirën e përbashkët. Konservatorizmi është radikalizuar për disa arsye. Njëra prej tyre është rënia e asaj që Edmund Burke iu referua si “trupa të vogla ushtarake” në të cilat mbështetej, si feja, sindikatat ashtu edhe familja. Një tjetër arsye është se partitë e vjetra, të të dyja kaheve politike, si të majta e të djathta morën një goditje të fortë nga kriza financiare, masat shtrënguese dhe luftërat e gjata në Irak dhe Afganistan. Jashtë qyteteve, njerëzit ndihen të zhgënjyer dhe të shqetësuar nga ksenofobia e politikanëve sipërmarrës. Disa besojnë se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një prej shkaktarëve kryesorë të situatës në fjalë.
Rruga e duhur
Kjo nuk do të thotë se gjithçka po shkon sipas ideologjisë së partive të krahut të djathtë. Në Britani dhe në Amerikë, demografia është kundër tyre. Votuesit e tyre janë të bardhë dhe relativisht në moshë të madhe. Sipas një studimi të kryer së fundmi nga i Pew, 59% e votuesve të rinj amerikanë ishin me bindje demokrate, ndërsa përqindja e të rinjve republikanë shkonte vetëm në 32%. Ndërsa në mesin e atij që njihet si “gjenerata e heshtur” ku bëjnë pjesë ata që kanë lindur në vitet 1928-‘45, mbështetësit e demokratëve ishin vetëm 43% ndaj 52% të mbështetësve republikanë.
Askush nuk e ka të qartë faktin nëse të rinjtë e sotëm, me kalimin e viteve do të ndryshojnë apo jo bindjet e tyre politike, duke kaluar nga demokratë në republikanë. Po shihet qartazi se e djathta e re po e fiton luftën e saj kundër konservatorizmit iluminist, gjë që shkakton padyshim pakënaqësi për liberalët idealistë. Edhe pse konservatorët dhe liberalët nuk pajtohen mbi shumë çështje (droga si për shembull), ata shpeshherë e gjejnë veten edhe aleatë të njëri-tjetrit. Të dyja i kundërshtojnë bindje utopike se qeveria duhet të gjejë zgjidhjen për çdo problem të mundshëm dhe mbi të gjitha, të dyja i kundërshtojnë taksat e larta. Madje shpeshherë, këto dy forca nxjerrin në pah më të mirën e njëra-tjetrës, duke pranuar dobësitë dhe pikat e forta të secilës.
E kundërta ndodh me partinë e re të së djathtës, e cila është treguar shumë armiqësore ndaj liberalëve klasikë, gjë që mund të shoqërohet me përshkallëzim të situatës konfliktuale ndërmjet tyre dhe duke i lënë votuesit me dyshimin e madh se kë duhet të votojnë. Britanikët, për shembull, me dy parti të mëdha, do të duhet të zgjedhin mes Jeremy Corbyn, udhëheqësit të së majtës së ashpër të Partisë Laburiste dhe z. Johnson, konservatorit të radikalizuar. Ditët kur konservatorizmi mbështetej në arsyetimin e fortë, kur vlerësonte konkurrencën e drejtë dhe vepronte me qetësi, i përkasin së kaluarës. Fatkeqësisht edhe partitë e reja të së djathtës nuk veprojnë në mënyrë të arsyeshme, por nxitohen gjithnjë, gjë që është e rrezikshme për shoqërinë.