Tkurrja e vazhdueshme e investimeve të bizneseve në makineri e pajisje por edhe blerjet e pakta të makinave të reja nga individët po ulin me ritme të shpejta tregun e qirasë financiare në Shqipëri. Flasin operatorët kryesorë: 2013-a, edhe më i vështirë
Nga Laura Çela
Rënia e investimeve të biznesit dhe tregut të makinave të reja ka rrudhur edhe më tej tregun e qirasë financiare në vend. Të dhënat më të fundit nga operatorët kryesorë në treg konfirmojnë rënien e sektorit deri në 30% gjatë vitit 2012.
Në bazë të përllogaritjeve, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe operatorëve rezulton se tregu i leasing-ut ka zbritur nga afro 11 miliardë lekë në 2011 në rreth 8 miliardë lekë një vit më pas.
Një nga shkaqet kryesore që po çon në reduktimin e huadhënies nga këto institucione financiare jo banka është rënia e ndjeshme e investimeve për blerjen e makinerive dhe pajisjeve nga bizneset. Klientët kryesorë të leasing-ut kanë qenë kompanitë e ndërtimit, kryesisht ato të infrastrukturës, që merrnin me qira financiare mjete të mëdha për shtrimin e rrugëve dhe punimeve të ndryshme. Me rënien e investimeve të qeverisë në punët publike, ka rënë ndjeshëm edhe volumi i punës për kompanitë e infrastrukturës dhe si pasojë edhe leasing-ut.
Arsyeja e dytë e fortë që po çon në rënie këtë treg, është ulja e tregut të makinave të reja, sidomos në vitin e fundit. Në vitin 2012 rezultojnë të jenë importuar në total 52,179 makina, me një rritje prej 143% me bazë vjetore, nga të cilat, vetëm rreth 1800 ishin të reja, ndërsa të tjerat të përdorura, sipas të dhënave nga Doganat.
Në total janë regjistruar për herë të parë rreth 47 mijë mjete, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTR), nga të cilat, më shumë se 45 mijë ishin të përdorura.
Kjo situatë, ku më pak se 2000 makina që janë regjistruar janë të reja, ka futur në krizë jo vetëm koncesionarët, por edhe operatorët e leasing-ut, të cilët e kanë këtë treg ndër burimet kryesore. Situata nuk pritet të përmirësohet në muajt në vazhdim për sa kohë në fuqi qëndron vendimi që mundëson taksë doganore 0 për çdo automjet të përdorur që hyn në doganat shqiptare.
Sipas operatorëve, tregu dominohet nga “Raiffeisen Leasing” që zë rreth 40%, ndjekur nga “LandesLease” me afro 25% të tregut.
Nuk pritet përmirësim
Operatorët e tregut të leasing-ut nuk presin përmirësime të mëtejshme gjatë këtij viti. Muajt e parë të 2013-s kanë vijuar të regjistrojnë një bilanc negativ në kushtet kur bizneset nuk po investojnë thuajse fare si pasojë e situatës parazgjedhore.
“Viti i zgjedhjeve ka ndikimin e tij në stepjen e konsumatorit për investime të paktën deri në fund të periudhës zgjedhore. Tremujori i parë i 2013-s tregon një trend në rënie për sa i përket shitjes së automjeteve të reja, me rreth 20%. Kjo të lë të kuptosh se do të jetë një vit i vështirë dhe do të ketë një rënie i gjithë tregu me rreth 20%.
Ndërkohë, nga ana tjetër, importi i makinave të përdorura mendohet të mbajë të njëjtat ritme, mbase edhe në rritje”, thotë Altin Saliasi, drejtor i përgjithshëm i “LandesLease”.
Ndikim pozitiv pritet të japë heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet që mund të çojë në investime nga disa biznese, duke rritur kështu portofolin e qirasë financiare për këtë grup.
Leasing, 37% e institucioneve financiare jo banka
Në dhjetor 2011, institucionet financiare jo banka regjistrojnë një total aktivesh prej 30 miliardë lekësh.
Institucionet financiare të kredidhënies, sikurse periudhat e mëparshme, vijojnë të dominojnë ndaj subjekteve të tjera jo banka, duke regjistruar 45.7% ndaj totalit të aktiveve, ndjekur nga subjektet e qirasë financiare me 36.7%, subjektet e shërbimit të pagesave dhe transferimit të parave (16.3%), si dhe subjektet e mikrokredisë dhe të faktoringut, të cilat përbëjnë një pjesë relativisht të vogël ndaj totalit të aktiveve të institucioneve financiare jo banka, me 1.3% dhe 0.3%.
Gjatë vitit 2011, kontributin kryesor në rritjen e totalit të aktiveve e kanë dhënë subjektet e qirasë financiare me 1.6 miliardë lekë, ndjekur nga subjektet e shërbimit të pagesave dhe transferimit të parave me 0.3 miliardë lekë, ndërkohë që institucionet e kredidhënies janë prezantuar me rënie të totalit të aktivit në masën 0.8 miliardë lekë.
Struktura e aktivit për subjektet e mësipërme dominohet nga zëri “Veprimet me klientët”, i cili përbën 62.9% të totalit të aktiveve si dhe përfaqëson veprimtarinë kryesore për subjektet e kredidhënies, qirasë financiare, mikrokredisë dhe faktoringut. Pjesa e mbetur, përbëhet kryesisht nga “Llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me afat në korporatat depozituese”, të cilat prezantojnë një rrezik të ulët krahasuar me aktivitetin e kredidhënies.
Portofoli i institucioneve financiare jo banka raportohet në vlerën 20.04 miliardë lekë (bruto), në fund të dhjetorit 2011. Pesha që zë portofoli i kredisë i institucioneve financiare jo banka ndaj portofolit total të sistemit bankar përllogaritet 3.54%, nga 3.93% në fund të vitit të kaluar.
Gjatë vitit 2011 evidentohet një rritje e lehtë e portofolit të kredisë prej 0.74 miliardë lekësh ose me rreth 3.83%, efekt i rritjes së portofolit të kredisë të institucioneve të qirasë financiare në masën 1.4 miliardë lekë, ose 17.95%. Kjo ka arritur të kompensojë edhe tkurrjen prej 0.65 miliardë lekësh të portofolit të institucioneve të kredidhënies dhe mikrokredisë.
Pavarësisht tkurrjes së portofolit, në harkun kohor të një viti, institucionet financiare jo banka të kredidhënies dhe mikrokredisë vazhdojnë të mbeten segmenti me peshën më të madhe në portofolin e kredisë me 55.4% ndaj totalit, ndjekur nga institucionet e qirasë financiare me rreth 44.5% dhe së fundmi institucionet e faktoringut me vetëm 0.13% të portofolit.
Analiza sipas monedhës evidenton se 53.9% e portofolit të IFJB-ve është orientuar drejt monedhës vendase. Brenda portofolit të kredisë së institucioneve financiare jo banka, vihet re se kreditimi i ekonomisë përmes qirasë financiare është i përqendruar në masën 98.56% në valutë, në ndryshim me portofolin e institucioneve të kredidhënies dhe mikrokredisë, 96.54% e të cilave është në monedhën vendase.
Dominojnë bizneset dhe kreditë afatmesme
Struktura e portofolit të kredisë sipas subjektit, edhe gjatë vitit 2011 vijon të dominohet nga kreditimi i “Bizneseve” (90.1%) kundrejt kreditimit të “Individëve” (9.9%). Sektorët me përqendrimin më të madh mbeten “Tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” (25.5%), ndjekur nga “Bujqësia, gjuetia dhe silvikultura” (11.4%) dhe “Ndërtimi” (11.3%).
Në dhjetor 2011, peshën kryesore në strukturën e portofolit të kredisë sipas afatit, e zë kredia afatmesme (1-5 vjet), në masën 75.2%, ndjekur nga kredia afatshkurtër (deri në 12 muaj) dhe ajo afatgjatë (mbi 5 vjet), të cilat paraqiten pothuajse në nivele të njëjta, përkatësisht 12.6 dhe 12.2%.
Për vitin 2011, teprica e kredisë me probleme bruto është rritur me 0.3 miliardë lekë, reflektuar edhe në rritjen e treguesit të kredisë me probleme bruto, i cili është rritur me 1.21 pikë përqindje. Kontributi kryesor është gjeneruar nga rritja e klasës “Të humbura” me rreth 0.15 miliardë lekë.
Gjatë vitit 2011, subjektet financiare jo banka paraqiten të mirëkapitalizuara, në përputhje me natyrën e aktivitetit që ato ushtrojnë. Në harkun kohor prej një viti, në disa prej institucioneve të kredidhënies dhe mikrokredisë u vërejtën tejkalime të disa prej normave rregullative, si për shembull në kuadër të administrimit të rrezikut të kredisë, ekspozimit maksimal të lejuar, si dhe
normave të lejueshme për pozicionet e hapura valutore.
Për sa më sipër, situata është monitoruar në mënyrë të vazhdueshme nga Banka e Shqipërisë dhe janë rekomanduar masat e nevojshme në mënyrë që aktiviteti i subjekteve të kthehet brenda normave të lejuara mbikëqyrëse për periudha sa më të shkurtra kohore.
Gjatë vitit 2011, institucionet financiare jo banka kanë gjeneruar rezultat neto pozitiv në vlerën 0.88 miliardë lekë, duke ruajtur të njëjtin nivel fitimi krahasuar me një vit më parë. Për periudhën e marrë në analizë, rezulton se 13 nga 19 subjekte e kanë mbyllur periudhën ushtrimore me fitim.
Sipas BSH-së, rreth 71% e fitimit vjetor është realizuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011. Kontributin kryesor në fitim e kanë institucionet e shërbimit të pagesave/transfertave me 0.62 miliardë lekë, ndjekur nga institucionet e qirasë financiare me 0.23 miliardë lekësh, si dhe institucionet e kredidhënies dhe mikrokredisë me 0.03 miliardë lekë.
INTERVISTA/Flet Ida Shehu, CEO, Raiffeisen Leasing.
“Heqja e TVSH-së për makineritë po gjallëron tregun”
Si ka qenë ecuria e kompanisë “Raiffeisen Leasing” gjatë vitit 2012 dhe muajve të parë të 2013-s? Sa pjesë të tregut zini?
Viti 2012 ka qenë një tjetër vit i suksesshëm për “Raiffeisen Leasing”, gjë që është treguar në arritjen e të gjithë objektivave tanë, si dhe në rritjen e numrit të klientëve. Megjithëse një vit i vështirë, ne vazhdojmë që të jemi kompania numër një e leasing-ut në Shqipëri me një pjesë të tregut me më shumë se 40%. Muajt e parë të vitit, si zakonisht, kanë pasur kërkesë të ulët.
Po ecuria e tregut në tërësi, si ka qenë?
Tregu, sidomos ai i makinave të reja, ka pasur rënie të konsiderueshme me më shumë se 30%. Ajo që është më e dukshme është kërkesa shumë e ulët nga individët. Gjithsesi aktiviteti i dhënies së makinave me qira ka vazhdimësi të qëndrueshme.
Sa është thelluar efekti negativ i krizës dhe uljes së investimeve e konsumit? Sa po rëndon rritja tepër e madhe e numrit të makinave të vjetra dhe ulja drastike e tregut të automjeteve të reja?
Mungesa e investimeve në makineri të reja dhe linja prodhimi ka qenë e ndjeshme edhe këtë vit. Raporti midis makinave të vjetra dhe të reja është shumë i madh, që siç e thashë edhe më sipër reflektohet shumë në uljen e kërkesës nga ana e personave individë.
Si e parashikoni ecurinë deri në fund të vitit?
Iniciativa për heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet ka sjellë disa sinjale pozitive për sa i përket kërkesës në këtë drejtim, që eventualisht do të ndikojë në mundësitë e financimit me leasing, sidomos në teknologjitë e reja.
Në fillim të tremujorit të dytë do të financohet nëpërmjet “Raiffeisen Leasing”, rinovimi i linjave urbane në kryeqytet me mjete të reja sipas standardeve europiane.
INTERVISTA/Flet Altin Saliasi, CEO, LandesLease
“Situata zgjedhore po rrudh investimet dhe tregun”
Si ka qenë ecuria e kompanisë “LandesLease” gjatë vitit 2012 dhe muajve të parë të 2013-s? Sa pjesë të tregut zini?
Kompania “LandesLease” sh.a, gjatë vitit 2012, ka mbajtur pozicionin e saj solid në tregun e financimeve leasing. Market share i saj është rreth 25%, duke marrë parasysh numrin e financimeve dhe vlerën e tyre.
Po ecuria e tregut në tërësi, si ka qenë?
Gjatë vitit 2012, tregu ka rënë me rreth 25% krahasuar me vitin 2011. Kjo si efekt i rënies së kërkesës dhe fuqisë blerëse, sidomos nga klientët individë.
Sa është thelluar efekti negativ i krizës dhe uljes së investimeve e konsumit? Sa po rëndon rritja tepër e madhe e numrit të makinave të vjetra dhe ulja drastike e tregut të automjeteve të reja?
Numri i makinave të përdorura është shtuar gjatë 2012-s me rreth 85% ose konvertuar në shifra, rreth 54,000 mjete të importuara.
Ndërkohë, numri i makinave të reja ka rënë me rreth 25% ose konvertuar në numra, rreth 2,300 mjete. Ajo pjesë e klientëve që drejtohej tek makinat e reja me çmime relativisht të ulëta, u orientua drejt mjeteve të përdorura.
Situata e vështirë ekonomike ka çuar gjithashtu në uljen e investimeve nga klientët korporatë dhe bizneset e vogla.
Si e parashikoni ecurinë deri në fund të vitit?
Viti 2013 ka nisur me ritme edhe më të ulëta. Viti i zgjedhjeve ka ndikimin e tij në stepjen e konsumatorit për investime të paktën deri në fund të periudhës zgjedhore. Tremujori i parë i 2013-s tregon një trend në rënie për sa i përket shitjes së automjeteve të reja me rreth 20%. Kjo të lë të kuptosh se do të jetë një vit i vështirë dhe do të ketë një rënie i gjithë tregu me rreth 20%. Ndërkohë, nga ana tjetër, importi i makinave të përdorura mendohet të mbajë të njëjtat ritme mbase edhe në rritje. Këtij fakti i qëndrojmë duke marrë parasysh edhe deklaratat e qeverisë se do të ketë përgjysmim të taksave vjetore. Kjo politikë taksash automatikisht do të ketë ndikimin e saj në frenimin e tregut të makinave të reja.
INTERVISTA/Flet Elion Martini, CEO i Credins Leasing
“Rënie e ndjeshme në makineri e pajisje”
Si ka qenë ecuria e kompanisë “Credins Leasing” gjatë vitit 2012 dhe muajve të parë të 2013-s? Sa pjesë të tregut zini?
Fundviti 2012 paraqitet në raport 40% linja e pajisje dhe 60% automjete. Për “Credins Leasing”, tremujori i parë i vitit 2013 është në të njëjtin volum disbursimi si tremujori i një viti më parë. Pjesa e tregut që “Credins Leasing” zë është në masën 10% të tij.
Po ecuria e tregut në tërësi, si ka qenë?
Nga informacionet që kemi, ecuria e tregut të leasing ka rënie në këtë tremujor të 2013-s.
Sa është thelluar efekti negativ i krizës dhe uljes së investimeve e konsumit? Sa po rëndon rritja tepër e madhe e makinave të vjetra dhe ulja drastike e tregut të automjeteve të reja?
Sipas informacioneve edhe nga koncesionarët e makinave, hyrja e makinave të vjetra ka devijuar kërkesën e konsumatorëve kryesisht individë në blerjen e makinave të reja.
Sa po ndikon edhe situata politike në këtë drejtim? A ka stepje biznesi apo individët për të investuar në këtë situatë?
Pavarësisht nivelit të disbursimeve të deritanishme, situata politike ka ndikimin e saj në investime dhe veçanërisht në makineri e pajisje, ku ky treg ka rënie drastike nga vitet e kaluara.
Si e parashikoni ecurinë deri në fund të vitit?
Duke konsideruar dy elementët negativë të uljes së konsumit si pasojë e krizës dhe atë të situatës politike, mendojmë se ky vit do të regjistrojë rënie të tregut leasing.
Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2011 ka kryer kontrolle te pesë subjekte financiare jo banka, tre prej të cilave ushtrojnë aktivitetin e qirasë financiare, subjekti i katërt ushtron aktivitetin e kredidhënies, dhe subjekti i fundit ushtron veprimtarinë e ofrimit të shërbimit të pagesave dhe arkëtimeve e ndërmjetësimin e transaksioneve monetare.
Problemet:
• Përmirësimi i procesit kredidhënës: Në këtë kuadër është rekomanduar përmirësimi i analizave të aftësisë paguese të kredimarrësve deri në klasifikimin e saktë të portofolit të kredisë, dhe krijimin e fondeve të nevojshme rezervë në përputhje me rregulloren “Për administrimin e
rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jo banka”.
• Rishikimi i kuadrit të brendshëm rregullativ: Kuadri i brendshëm rregullativ është kërkuar të rishikohet dhe të plotësohet në përshtatje të zhvillimeve të brendshme strukturore të vetë subjekteve, si dhe në përputhje me të gjitha kërkesat rregullative në fuqi. Përmirësimet e tij janë kërkuar kryesisht në drejtim të përcaktimit të kritereve për identifikimin e palëve të lidhura dhe procedurave për monitorimin e kredisë dhe rishikimin e pasqyrave financiare të kredimarrrësit. Ndërkohë, është kërkuar edhe hartimi i procedurave për transparencën me publikun lidhur me ankesat e klientëve. Mosrespektimi i kufijve rregullativë lidhur me ekspozimet e mëdha në investimet jorezidente dhe tejkalime të ekspozimit ndaj rrezikut të
kredisë. Subjekteve iu është kërkuar një plan për sjelljen brenda kufijve të të gjitha normave mbikëqyrëse të thyera, me qëllim sigurimin e një veprimtarie të qëndrueshme.
• Mosrespektimi i kërkesave të rregullores “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jo banka” në lidhje me shkeljen e kufirit për pozicionet e hapura valutore. Për rastet e evidentuara është kërkuar të merren masa për sjelljen në normë të ekspozimit.
• Mosraportimin pranë Bankës së Shqipërisë në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe standardet ndërkombëtare të kontabilitetit.
• Transparencë jo e plotë me publikun lidhur me plotësimin e kontratave me elementin e NEI (Norma Efektive e Interesit), përfshirjen e planit të shlyerjes së kredisë si pjesë e kontratës së qiradhënies/kredisë, informacion jo i plotë referuar rrezikut të huamarrjes në valutë, metodologjisë së llogaritjes së normave të interesit dhe njoftimit të ndryshimit të tyre. Mangësi shfaqen edhe në publikimin e normave të interesit të kredive, si dhe komisioneve për produktet dhe shërbimet që ofrohen.
• Përputhshmëria jo e plotë me kërkesat rregullative për parandalimin e pastrimit të parave. Është evidentuar nevoja e krijimit të profilit ekonomik të klientit, si dhe e kategorizimit të tyre sipas rrezikut, përmirësimi i mëtejshëm i politikave në kuadër të udhëzimit “Si të njohim klientin, dhe zbatimin praktik të tyre, caktimi i personit përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave në nivele administratorësh, si dhe hartimi i planeve vjetore të trajnimeve dhe rritja e nivelit të tyre”.
• Teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe rreziku operacional: Subjektet kanë pasur mangësi në drejtim të kontrollit të TIK-së të subjektit nga struktura të pavarura nga ato të përfshira në proceset operacionale, nevojën e rishikimit të profileve të përdoruesve dhe
ndarjen e detyrave midis proceseve, si dhe hartimin e strategjisë në lidhje me mbështetjen që teknologjia e informacionit do të japë në vitet në vazhdim. Lidhur me rrezikun operacional nevojitet të krijohen strukturat e nevojshme të menaxhimit të këtij rreziku si dhe hartimi i
procedurave përkatëse për këtë rrezik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.