Kriza godet Uber, pushohen 3 mijë punonjës

25/05/2020 12:20 PM 0 komente

Njoftohen pushime të tjera nga puna, pas 3700 punonjësve në fillim të majit. Uber do të mbyllë 45 zyra në të gjithë botën. Masat vijnë për shkak të emergjencës së COVID-19

 

Emergjenca e koronavirusit ka goditur në mënyrë të ashpër një shoqëri si Uber dhe pasojat po ndihen. Në një email, CEO i kompanisë, Dara Khosrowshahi njoftoi pushimin nga puna të 3000 punonjësve, që u shtohen 3700 të tjerëve në fillim të majit. Kjo është një ulje e përgjithshme me një të katërtën e fuqisë punëtore të kompanisë që sot numëron 20 mijë persona. Kompania shpreson se me këto masa, kursimet do të rriten në 1 miliard në vit.

Khosrowshahi bëri të qartë se do të mbyllen edhe 45 zyra në të gjithë botën dhe kompania do të përqendrohet gjithnjë e më shumë te biznesi i transportit dhe shërbimi i delivery, duke racionalizuar kostot. Do të mbyllet edhe inkubatori i projekteve dhe divizionet që merren me Inteligjencë Artificiale, ndërkohë do të kërkohen alternativa për platformën UberWork, një shërbim i kohëve të fundit për të bashkuar kërkesën dhe ofertën për punë. Pritet një reduktim edhe në investimet për makina me vetëdrejtim dhe për shërbimin e transportit të mallrave Uber Freight.

 

Sytë tek ushqimi dhe rimëkëmbja nga makinat me qira

Uber do ta përqendrojë vëmendjen te shërbimi delivery i ushqimit, një sektor që ka parë një zhvillim të madh që nga fillimi i pandemisë. Në tremujorin e parë të 2020, shitjet në Uber Eats u rritën më shumë se 50% krahasuar me një vit më parë, edhe pse vetë Khosrowshahi kujtoi që ky divizion nuk sjell fitime. Gjithsesi mbetet dëshira për t’u zgjeruar, siç dëshmojnë edhe bisedimet për blerjen e GrubHub, një ndër kundërshtarët kryesorë të Eats.

Sektori që e ka ndier më shumë krizën ekonomike të shkaktuar nga COVID-19 është sigurisht ai i dhënies me qira të makinave me drejtues, divizioni që i sjell më shumë të ardhura shoqërisë, i cili shënoi menjëherë një rënie me 80%. CEO i kompanisë theksoi se rimëkëmbja do të vijë prej këtu, edhe pse për momentin nuk mund të bëhen parashikime. Për të garantuar sigurinë maksimale, Uber, nëpërmjet teknologjisë së re Mask Verificationverifikon me një selfie që shoferët dhe korrierët e vënë maskën në fillim të shërbimit.

 Burimi: Corriere della Sera

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of