Shoqata Shqiptare e Bankave ka lëshuar një deklaratë sot, duke marrë shkas nga zhvillimet në Greqi, se në emër të gjithë bankave anëtare të saj, dëshiron të sigurojë publikun dhe të gjithë depozituesit dhe klientët se zhvillimet në vendin fqinj nuk ndikojnë në stabilitetin dhe funksionimin normal të bankave në Shqipëri.
Sistemi bankar shqiptar, përfshirë edhe bankat me kapital Grek, është financiarisht dhe operacionalisht i pavarur nga sistemet bankarë në vende të tjera. Të gjitha bankat tregtare operojnë në Shqipëri si njësi të pavarua ligjore, deklaron SHSHB, nën kuadrin legjislativ e rregullator shqiptar, përfshirë kërkesat për kapital dhe mbikëqyrjen bankare.
“Asnjë nga bankat tregtare në Shqipëri nuk është degë e një banke të huaj.”- thotë më tej njoftimi.
Sikundër reflektohet në pasqyrat financiare dhe informacionet e publikuara rregullisht, sistemi bankar në Shqipëri ka nivele të larta mjaftueshmërie kapitali dhe likuiditeti, çka garanton stabilitetin e tij, funksionimin normal dhe mos-ndikimin nga zhvillimet negative në vendet fqinjë, sipas SHSHB.
Masat e marra nga qeveria apo banka qendrore Greke përkundrejt sistemit financiar grek nuk kanë asnjë efekt ligjor në Shqipëri dhe nuk mund të impaktojnë në asnjë mënyrë funksionimin normal dhe stabilitetin e sistemit bankar shqiptar, thotë në fund njoftimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.