Në shtëpi nuk mungonte asnjëherë mielli e po kështu edhe vezët. Nevojiteshin për të përgatitur biskotat për mëngjes dhe taljatelet për drekë. Por, që nga vitet ’60 këto produkte pothuajse nuk gjendeshin më në shtëpi. Pastat tashmë përgatiteshin nga industria, në çdo supermarket mund të gjenden dhjetëra paketime, me ngjyra të ndryshme.
Tani, sipas një hetimi të ndërmarrë nga agjencia e kërkimeve “Swg” për llogari të “Coldiretti”, shoqata më e madhe e bujqësisë në Itali, mbi italianët ka nisur të rëndojë kriza, sepse tavolina e kuzhinës nuk është më vendi ku njerëzit mblidhen për të konsumuar vaktet, por edhe për t’i përgatitur ato, për më shumë cilësi, por edhe për të kursyer.
Për të kuptuar këtë tendencë, mjafton të shihet se si kanë ndryshuar disa numra.
Shitja e miellit është rritur me 8.3%, me 5.3% ajo e vezëve, gjalpi dhe kripa me 2.3%.
Këto të dhëna janë bërë publike nga zinxhiri i shpërndarjes “Coop Italia” dhe i përkasin 9-mujorit 2012. Rritje kanë pësuar edhe shitja e biskotave me më shumë se 6%, e kafesë me 3.3%, e mjaltit me 2%, e marmelatës me rreth 1%.
Pra, me pak fjalë, gjithçka që nevojitet për të përgatitur një mëngjes të mirë ose pastat pa qenë e nevojshme që të blihen në dyqan.
Shifra të tjera flasin për rritje me rreth 7% të tregtimit të vajit të ullirit dhe me 1.5% të verërave tipike, që tregojnë se shumë darka mes miqsh tani përgatiten në shtëpi, për të qenë të sigurt për atë që konsumohet, por edhe për ta përfunduar atë me një kafe ose amaro dhe jo me faturën për t’u paguar.
Po synohet të kursehet me çdo mënyrë. Tani blihet më shumë bukë (rritja 1.3%), makaronat gjithnjë e më shumë blihen në supermarket (3.6%), ndërsa ka rënë shitja e biftekëve (5.5%), e peshkut (1%), e ëmbëlsirave (12,1%). Në total blerjet e ushqimeve kanë rënë me 3%. Buka dhe makaronat kushtojnë më pak se produktet e tjera, prandaj edhe shumë familje po ushqehen si në periudhën e pasluftës.
Sigurimi i drekës dhe i darkës po kthehet në një problem serioz për 8% të familjeve italiane (5% vitin e kaluar). Sipas kërkimeve të agjencisë “Swg”, të ardhurat për këtë kategori nuk mjaftojnë për sigurimin e ushqimeve të domosdoshme.
Vetëm 1% e familjeve jetojnë të lumtura, rreth 40% “pa shumë mundime të mëdha”, por për 51% (në vitin 2010 kjo vlerë ishte 42%) paratë mjaftojnë vetëm për të mbuluar shpenzimet, duke harruar luksin. “Ata që përbëjnë 8 përqindëshin, thotë presidenti i ‘Coldiretti’, Sergio Marini, nuk mund të presin rritjen ekonomike. Ata duhet të dalin nga mjerimi, duhet t’u jepet ndihmë, në të kundërt nga kequshqyerja do të kenë probleme me shëndetin, me pasoja të rënda për veten dhe shoqërinë”.
Por, kriza ka sjellë edhe një sjellje pozitive, ushqimi nuk shpërdorohet më nga 24% e familjeve, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër ishte 9%. Reduktimi ka ardhur pasi tashmë njerëzit, ose rreth 67% e familjeve, blejnë ato produkte që vërtet iu nevojiten, ndërsa rreth 59% përdorin ushqimin e mbetur për vaktet e tjera, të kombinuara me receta tjera.
Tashmë blihet vetëm ku ka ulje dhe me oferta të tipit “tre për dy”. Kështu blihen rreth 53% e vajit të ullirit dhe rreth 40% e verërave tipike.