Flet Elton Korbi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese Albsig Invest
Elton Korbi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese Albsig Invest, thotë se pas pandemisë, vërehet një rënie e interesit të investitorëve për të blerë kuota në format e investimit.
Sipas tij, pasiguria e krizës i ka bërë individët të orientohen drejt mbajtjes së kursimeve në formë sa më likuide, në cash apo llogari rrjedhëse, ku mund t’i tërheqin në çdo moment. Megjithatë, ai nënvizon se kuotat e fondeve të investimit janë një instrument mjaft likuid dhe klientët mund të dalin nga investimi në çdo moment dhe të marrin paratë brenda shtatë ditësh.
Si është ndikuar tregu i fondeve të investimit nga kriza e lidhur me pandeminë e COVID-19?
Pandemia e COVID-19 ka përkeqësuar të gjitha ekonomitë botërore. Ajo erdhi si një ngjarje e papritur, e cila shkaktoi një panik të madh në tregjet financiare globale. Pothuajse të gjitha instrumentet financiare, por kryesisht aksionet dhe obligacionet, pësuan rënie drastike.
Pandemia ka ndikuar edhe mbi ekonominë shqiptare, ku tregu i fondeve të investimit, duke qenë treg i cili mirëfunksionon në bazë të besimit (që klientët kanë ndaj institucioneve financiare), pësoi tronditje relativisht të vogël gjatë përhapjes së pandemisë. Gjatë kësaj periudhe u vunë re tërheqje në disa prej fondeve të investimit. Në vlerë absolute, por edhe në përqindje të totalit të fondeve, këto tërheqje ishin jo domethënëse, por shumë shpejt situata u stabilizua dhe fondet e investimit vijuan të shtojnë investitorët dhe fondet e tyre.
Cila ka qenë ecuria e vlerës së aseteve neto të fondeve nga muaji mars e në vazhdim? Keni pasur rënie të blerjes së kuotave dhe/ose rritje të shitjes së tyre nga anëtarët?
Në Fondin e Investimit Albsig Standard, që administrohet nga shoqëria Albsig Invest, në periudhën e pandemisë, vlera e aseteve neto nuk ka shfaqur luhatshmëri të madhe. Kjo për faktin se ky fond investon kryesisht në bono dhe obligacione të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe, është vënë re rënie e kërkesës për blerje të kuotave sesa rritje të shitjes së tyre.
Si e ka prekur situata e krijuar kthimin mesatar nga investimi në fondet tuaja?
Siç është theksuar edhe më lart, Fondi i Investimit Albsig Standard investon kryesisht në bono dhe obligacione të Republikës së Shqipërisë. Vështirësitë dhe pritshmëritë për përkeqësimet ekonomike nuk u reflektuan plotësisht dhe nuk po reflektohen në një rritje jonormale të normave të interesit.
Gjatë periudhës mars – korrik 2020, normat e interesit pësuan ulje, ndërsa aktualisht, po vërehet tendencë në rritje, dhe këto cikle kanë shoqëruar në kushte normale ecurinë e normave të interesit për bonot dhe obligacionet e Republikës së Shqipërisë.
Fondi i Investimit Albsig Standard e ka filluar aktivitetin në shkurt 2020. Në këtë kuptim nuk ka mbushur ende periudhën njëvjeçare të aktivitetit për të publikuar një normë kthimi vjetore.
A keni ndërmarrë ndryshime domethënëse në politikat e investimit pas shpërthimit të krizës?
Në vlerësimet tona, por edhe duke ndjekur situatën e krijuar në treg, Albsig Invest nuk i ka ndryshuar politikat e investimit për Fondin e Investimit Albsig Standard. Pavarësisht kësaj, janë marrë masa dhe po monitorohet më me kujdes situata e likuiditetit të fondit, si dhe janë marrë të gjitha masat dhe është krijuar një plan për vijueshmërinë e biznesit.
Si do t’i ndikojë kjo krizë perspektivat e zhvillimit të tregut të fondeve të investimit në Shqipëri? Mund të sugjeroni ndërhyrje në nivel ligjor dhe rregullator që do t’i bënin fondet një alternativë më atraktive investimi për publikun shqiptar?
Pandemia ka sjellë rënie të kërkesës për investime nga ana e investitorëve (individual dhe institucional) të rinj. Pasiguria që pandemia krijoi ndikon negativisht në tendencën e investitorëve për të investuar në sipërmarrje që marrin sadopak risk. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, investitorët kanë prirje për të mos marrë nisma investimi, por paratë e akumuluara preferojnë t’i mbajnë në formë likuide “cash”, në mënyrë që t’i përdorin në çdo rast emergjent që mund të krijohet për ta.
Megjithatë, ajo që aktualisht po u vihet në dukje investitorëve është fakti se fondet e investimit, ato të cilat investojnë në bono dhe obligacione të Republikës së Shqipërisë, janë një alternativë më e mirë se depozita në shumë drejtime, ku më kryesorja është norma e interesit që synohet të jetë më e lartë. Gjithashtu, fondet u vihen në dispozicion investitorëve jo më shumë së shtatë ditë nga data që ata kërkojnë t’i tërheqin. Në këtë mënyrë, ata do të kenë në çdo moment likuiditetin e nevojshëm.
Për sa u përket ndryshimeve ligjore apo nënligjore, duhet theksuar fakti që së fundi, është miratuar ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, nr. 56/2020, datë 30.04.2020 dhe aktualisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po hartohen të gjitha aktet nënligjore.
Ligji i ri për investimet kolektive është një përafrim i mirë i dy direktivave të BE-së. Kemi bindjen se zbatimi i plotë dhe i duhur i këtij ligji, si plotësimi i tij me aktet e nevojshme nënligjore, do të sjellë një hov të ri në fushën e fondeve të investimit në tituj apo edhe fondeve të investimit alternativ.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.