Java e kaluar ishte vërtet stresuese për krerët e Financave shqiptare. Në kohën kur ekspertët e ministrisë hartonin projektbuxhetin për vitin 2012, lajmet nga Eurozona raportonin për një situatë financiare tejet dramatike në Greqi, dhe më pas në Itali, me pasojë dorëheqjen e kryeministrave, Papandreu dhe Berluskoni. Të hartosh buxhetin duke pasur mendjen te këto dy vende, partnere tregtare të ngushta të Shqipërisë, nuk ka qenë e lehtë për ministrin tonë të Financave, Ridvan Bode. Kryefjala e problemit qëndron te borxhi dhe aftësia e vendit tonë për ta shlyer atë, në kushtet kur kostot sa vijnë dhe rriten.
Dy ishin sfidat e Bodes: të ndërtonte një buxhet që kënaq sadopak nevojat e vendit dhe të bindte Kryeministrin për uljen e deficitit. Ky i fundit ishte një mision tejet i vështirë, pasi të bindësh Kryeministrin se rritja ekonomike nuk do të jetë 5.5%, sikurse kishte deklaruar, por 4.3%, apo se deficiti duhej ulur nën 3%, nga 3.5%, nuk ishte diçka e lehtë. Megjithatë ia doli, për të dytën herë, ndonëse për “misionin i parë” mbeten ende kohë për të parë rezultatet.
“Buxhetin e hartuam, duke u nisur nga disa faktorë: të ardhurat, jo në nivelin e duhur, rritja ekonomike e deritanishme, e cila nuk rezultoi sipas parashikimeve, niveli i borxhit, dhe mbi të gjitha duke u nisur nga situata e vendeve të rajonit dhe të Eurozonës”, u shpreh ministri, kur prezantonte projektbuxhetin në Komisionin Parlamentar për Ekonominë. Ndryshe nga herët e kaluara, Bode u tregua më i matur, duke pranuar se “buxhetin e kemi më realist, më konservator”. Edhe pse nuk e fshihte dot, meraku i tij kryesor ishte situata me vendet e euros dhe borxhet që rriten. Shqipëria mban një borxh nën 60% të PBB-së dhe është shumë larg niveleve kritike të vendeve të BE-së, por interesat gjithnjë e në rritje e bëjnë ministrin të jetë i kujdesshëm.
“Përpjekjet tona kanë qenë ekstreme”, tha Bode kur diskutimi ishte në pjesën e shpenzimeve, ndërsa, si për të qetësuar opozitën dhe opinion publik, shtoi se, “është marrë miratimi i Fondit Monetar”.
Ndryshe nga sa është deklaruar, buxheti i vitit të ardhshëm parashikon një total shpenzimesh, me vlerë rreth 397 miliardë lekësh, ose vetëm 1.5% më tepër se buxheti i këtij viti (para ndryshimeve). Duke e krahasuar me projektin e korrikut, ku qeveria shkurtoi 18 miliardë lekë, drafti i 2012-s nuk shkon më tepër se njw rritje prej 5%. Sa i takon investimeve, nuk parashikohet rritje e tyre, duke i mbajtur të njëjta, si me 2011-n, rreth 70 miliardë lekë.
Borxhi, rreziku potencial
Kemi borxh të lartë, në raport me vendet e rajonit, por me cilësi të mirë, sikurse kemi borxh më të ulët në raport me vendet e BE-së, por me rrezikun e rritjes së kostos për shërbimet. Këto dy anë këndvështrimi mes mazhorancës dhe opozitës kanë pështjelluar edhe më shumë ambientin ekonomik në vend. Askush nga palët nuk jep një tezë të saktë, por diskutojnë rreth nivelit të borxhit, sa larg dhe afër qëndron kuotës së shumëdebatuar, 60%. Nëse FMN jep një parashikim të zymtë për rritje të borxhit deri në 64%, Ministria e Financave zotohet se do ta mbajë nën 60%, të paktën deri në vitin 2014.
Nëse deri në fund të këtij viti, borxhi pritet të arrijë në 780 miliardë lekë, në 2012-n skenarët e qeverisë flasin për një nivel afër 838 miliardë lekë, me rritje gati 7%, ose nga 58.2% e PBB-së, të jetë pranë 59%. Megjithatë, në këtë pikë hidhen shumë dyshime lidhur me kursin e këmbimit dhe llogaritjes së borxhit në valutë, pasi vetë ministria ka tendencën ta masë me kursin e fundvitit, ku leku pëson vlerësim dhe ku norma e borxhit në shifër zbutet.
Po nga se u krijua ky borxh?
Ministria thotë se “politika e financimit të deficitit buxhetor ka qenë në funksion të menaxhimit të cash-it, nisur nga trendi i të ardhurave në buxhet, si dhe ecuria e shpejtë e shpenzimeve, e cila ka bërë që të plotësohen nevojat për huamarrje në tregun e brendshëm në një pjesë të konsiderueshme në 6-mujorin e parë të vitit 2011”. Goditja më e madhe ndaj huasë u ndërmor në vitet 2008-2009, kur investimet u realizuan gati 100% me borxh, ndërsa vitin e ardhshëm, raporti do të jetë 50 me 50.
Ajo që shqetëson më tepër ekspertët dhe politikëbërësit ka të bëjë me kostot e shërbimeve, pikë me të cilët kapet opozita.
“Qeveria krenohet për borxhin nën kontroll dhe poshtë 60%, por harron se interesat për shlyerjen e detyrimeve vijnë duke u rritur. Situata po bëhet më alarmante në kushtet kur Greqia dhe tani së fundmi edhe Italia, po përballen me kosto të rritura disafish, dhe kjo tendencë prek të gjitha vendet përreth”, thotë Arben Malaj, anëtar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ish-zv/ministër i Financave, kur qeverisnin socialistët.
Si parashikohen shërbimet ndaj tij?
“Për borxhin e brendshëm ka një gjendje në rritje të shpenzimeve për interesa, si rezultat i rritjes së peshës që zënë instrumentet afatgjatë në stokun e borxhit, por kemi parashikuar gjithashtu edhe rezerva për ndryshimet e strukturës së borxhit dhe financimit të tij”, bën të ditur Ministria e Financave. Në mënyrë më analitike nga analiza e interesave të borxhit të brendshëm rezulton se këto interesa rriten me rreth 2,3 miliardë lekë nga obligacionet, ku ndikimin më të madh e ka shtesa e obligacioneve 2 dhe 5-vjeçare me 1,9 miliardë lekë, ndërsa obligacionet 3-vjeçare rriten më pak, me rreth 400 milionë lekë
Bode:
Ministri i Financave pranon se gjendja e borxhit ka ardhur në përkeqësim dhe natyrisht, niveli aktual i tij është ndikuar edhe nga situatat e mëparshme. “Borxhi ka ardhur në rritje vit pas viti. Në 2005-n e gjetëm 80% të PBB-së, ndërsa tani është 59%”, thotë ministri.
Kriza anashkalon prioritetet
Pothuajse të gjithë sektorët prioritarë të ekonomisë, sipas institucioneve që i menaxhojnë ato, kanë rënie të shpenzimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Duke parë me vëmendje tabelat e buxhetit, duket se Ministria e Mbrojtjes nuk do të prekë as këtë vit normën e lejuar të NATO-s, për shpenzimet afër 2% të PBB, por ulet në 0.9%, duke i zbritur shpenzimet me efekte sociale. Edhe Ministria e Bujqësisë preket nga faktori “konservatorizëm”, pasi shpenzimet për të nuk shkojnë më tepër se 0.5% e PBB-së.
Ky fakt i ka rënë në sy zëvendëskryetares së Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, sipas së cilës, në raport me PBB-në, shpenzimet dhe të ardhurat kanë pësuar rënie.
“Shpenzime, të cilat në raport me GDP-në, nga viti 2010 në 2011 janë në ulje. çfarë është në ulje? Në ulje, në raport relativ janë investimet dhe shpenzimet sociale të popullsisë. Padyshim janë në rritje të interesave të borxhit. çfarë ndodh me të ardhurat? Të ardhurat në raport me GDP-në janë në ulje: 25.8% në vitin 2010 dhe 25.6% për vitin 2011”, thotë Kodheli.
Kodheli:
“Të ardhurat në raport me GDP-në janë në ulje: 25.8% në vitin 2010 dhe 25.6% për vitin 2011”, thotë Kodheli.
Të ardhurat, sipas zërave
Plani për vitin tjetër, parashikon një nivel 355.8 miliardë lekë, me një rritje prej 7.9% kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2011, ose në nivelin 25.6% të PBB, nga ku:
• Të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohet të jenë 251.2 miliardë lekë, me një rritje prej 8.2% krahasuar me të pritshmin për vitin 2011, ose rreth 18.1% të PBB.
• Të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, parashikohen në 59.5 miliardë lekë, me një rritje prej 5.6% krahasuar me të pritshmin për vitin 2011, ose rreth 4.3% e PBB-së.
• Parashikimi për të ardhurat nga pushteti lokal për vitin 2012 është 14.6 miliardë lekë, me një rritje 16.2% kundrejt të pritshmit për vitin 2011, ose rreth 1.1% e PBB.
• Te ardhurat jotatimore parashikohen në masën 20.6 miliardë lekë ose rreth ose rreth 1.5% të PBB.
• Të ardhurat nga ndihmat parashikohen në masën 9.8 miliardë lekë, ose rreth 0.7% e PBB
Kostoja e euros
Shpenzimet për interesa të borxhit të jashtëm parashikohen me rritje për arsye të parashikimeve në rritje të normës së interesit Euribor, ndikim i cili vlerësohet në rreth 1.1 miliardë lekë, si dhe shtesës së disbursimeve për implementimin e projekteve të huaja, ndikimi i të cilave në shërbimin e borxhit është rreth 200 milionë lekë
Anastas Angjeli, ish/ministër i Financave
Buxhetin e komprometon rritja ekonomike joreale
Pavarësisht rritjes së kostos së borxhit, qeveria ka pranuar ta mbajë serish pranë kufirit 60% të PBB nivelin publik. Sa shqetësues për ekonominë tonë është kjo masë dhe çfarë mund të ishte bërë ndryshe?
Mbajtja e kufirit të borxhit në nivelin 60% është shndërruar në një kusht të domosdoshëm për mbajtjen larg të financave publike nga zona e rrezikut. Borxhit publik, që përbëhet nga borxhi i brendshëm dhe i jashtëm, po t´i shtojmë edhe “borxhe” të tjera, që të gjitha së bashku shndërrohen në borxhin ekonomik, e kthejnë këtë borxh në mjaft problematik. Këtu është fjala edhe për detyrimet buxhetore për punët publike, që janë kryer dhe nuk janë paguar, për masën e rimbursimit të TVSH-së, për detyrimet që qeveria qendrore, ato vendore dhe entet shtetërore, i detyrohen CEZ, shoqërive të telefonisë, ujësjellësve etj. Detyrimet reciproke që këto kompani i kanë njëra-tjetrës, vendimet gjyqësore të papaguara nga buxheti i shtetit. Kreditë e pashlyera në bankat e nivelit të dytë, që kanë arritur në 1 miliard dollarë. Duke mos lënë pa përmendur edhe zinxhirin e gjatë të borxhit në sektorin e ndërtimit, ku likuiditeti është shndërruar në klering. Atëherë duhet të shqetësohemi sepse çështja dhe problemi i borxhit janë shumë më të rënduara sesa duken.
Ndryshe nga të tjerat, qeveria pretendon se buxheti është më konservator. A ndani dhe ju këtë qëndrim?
Në dukje, buxheti është më konservator se vitet e tjera por kjo vetëm në një pikë, në atë të parashikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe e dëshirës për të mbajtur nën kontroll sidomos deficitin dhe borxhin publik. Ajo që e komprometon dëshirën që ky buxhet të jetë konservator është që përsëri projektimi i rritjes ekonomike ka doza të theksuar jorealiste. Sepse për të njëjtën periudhë, institucione të tilla të rëndësishme, si FMN dhe BERZH, por edhe institucione të tjera parashikojnë rritje ekonomike jo më të madhe se 1-2 për qind. Kjo si pasojë e zhvillimeve të brendshme ekonomike, rënies së kërkesës konsumatore nga njëra anë dhe ndikimeve të krizës së Eurozonës, veçanërisht të asaj greke dhe italiane nga ana tjetër. Në projektbuxhetin e vitit 2012, pa u prezantuar politikat dhe instrumentet që do të përdoren dhe pa asnjë argument, na jepet një rritje prej 4.3%. Kjo jo vetëm që nuk është realiste dhe komprometon konservatorizmin e pretenduar në këtë buxhet, por e lë të riskuar kontrollin e paralajmëruar për mbajtjen në kufi të 60% të borxhit. Pra e theksoj dhe një herë, mbajtja nën kontroll në vlerën 60% të borxhit përmes rritjes së pretenduar prej 4,3% është bërë duke u nisur mbrapsht për llogaritjen e treguesve. Është përdorur një aritmetike e thjeshtë dhe naive në të kundërtën. Meqë niveli i borxhit duhet të jetë në masën 60% të PBB atëherë dhe rritjen ekonomike duhet ta kemi 4.3%, por kjo është thjesht absurde.
Realisht, a i kemi kapacitetet për një rritje ekonomike, të parashikuar në 4.3%, në një kohë kur treguesit janë në rënie?
Situata e brendshme dhe faktorët e jashtëm tregojnë se 2012-a do të jetë një vit i vështirë me rënie të theksuar të kërkesës konsumatore dhe që nga ana tjetër, ne nuk shohim politika të reja që të mund të bëjmë një vlerësim të ndryshëm të situatës nga ai që kemi sot. Mendoj që do të ishte e domosdoshme në këtë stinë krizash që po kalojmë, një vlerësim më realist i situatave dhe transparencë më e madhe për veprimet që do të ndërmerren për të shmangur keqinterpretimet
Qeveria parashikon rritje ekonomike 4.3%, me nivel deflatori 1%! Shpresa, tek eksportet
Flluska e rritjes ekonomike
Përveç borxhit publik, tjetër debat i rëndësishëm ka të bëjë me rritjen ekonomike të parashikuar nga qeveria për vitin tjetër, e cila mund të jetë 4.3%. Por sa realist është ky vlerësim? Ekspertët tregohen skeptikë, duke u nisur nga mungesa e të ardhurave dhe rënia e konsumit, ndërsa Ministria e Financave bazohet te rritja e eksporteve.
“I kemi të gjitha burimet për të pasur një rritje ekonomike 3.4%”, tha ministri, duke përmendur vetëm eksportet, ndërsa shtoi se politika fiskale dhe plani për të mos rritur taksat (debati për taksën e sheshtë). Plani i PBB ishte për rritje 6%, pastaj u rishikua në 5.5% dhe në dokumentin final është vendosur rritja 4.3%, me insistimin e ekspertëve të Ministrisë së Financave, pasi Kryeministri, mësohet se ishte shprehur kundër.
Ajo që e bën dyshues rritjen e vërtetë të PBB-së lidhet me nivelin e inflacionit. Nëse për vitet e kaluara norma e deflatorit ishte rreth 3%, në 2012-n, papritur është paraqitur me rreth 1%, nga ku del një rritje reale, sipas qeverisë, 4.3%. Dihet që interpretimi i shifrave i jep të drejtë cilitdo që di të luajë me to, por eksperienca ka treguar se manovra të tilla, duke fshehur nominalin me realin kanë qenë të rrezikshme. Për këtë vit, rritja pritet të jetë 3.9%, nga 5% që pretendonte qeveria, kurse institucionet e huaja financiare paraqesin vlerësime edhe më negative.
Bell:
Optimizëm i tepruar!
Shefi i misionit të FMN-së ka deklaruar nga SHBA se projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 përmban elementë tepër optimistë, duke vërejtur me dyshim nivelin e deflatorit
Ilir Hebovija, nëndrejtor i Shoqatës së Ndërtuesve
Buxheti fut në grackë biznesin e ndërtimit
Edhe këtë vit janë planifikuar investime të konsiderueshme, por me vlera të vogla, kryesisht te rrugët. çfarë ndikimi mund të sjellë te ndërtuesit kjo “manovër” e qeverisë?
Së pari, ne duhet të shohim situatën e krijuar me një sy më të thjeshtë, për të kuptuar se ç´po ndodh realisht me investimet publike, pavarësisht deklaratave. Rëndom familjeve shqiptare i ndodh që paratë që përftojnë nga pagat, pakësohen ndjeshëm ditën e 20 të muajit. Pas kësaj, çdo shpenzim fokusohet tek ushqimet bazike. Në këtë situatë, askush nuk mendon më për të kursyer, por sesi të mbijetojë dhe pak ditë, deri sa të vijë paga tjetër. Dhe me këtë rast, rifillon procesi.
Qeveria, sot që flasim, ka mbyllur të gjitha shpenzimet për investime publike, duke u thelluar edhe në shpenzimet operative dhe pagat që nga muaji maj. Investimet publike në infrastrukturë nuk i shërbejnë vetëm kompanive, por efektet janë kapilare për të gjithë ekonominë.
Situata, tashmë është e qartë për të gjithë ne, nuk jemi në krizë por të gjitha sjelljet administrative janë si për kohë krize. Qeveria vendos për shkak të pamundësisë që për më shumë se 12 muaj, të mos ketë fonde për investime publike të reja.
Nga ana tjetër, qeveria trashëgon një borxh ndaj kompanive private, të cilin nuk po arrin ta shlyejë. Nëse në fund të vitit që shkoi, detyrimi ishte rreth 70 milionë, me një situatë buxhetore jo kaq problematike sa sot, detyrimi i këtij viti për shkak dhe të fushatës elektorale, e kalon këtë shumë. Presioni për të mbajtur nën kontroll deklarimin e detyrimit është i lartë por në fund të muajit nëntor, do të kemi një pasqyrë të saktë të detyrimeve ndaj kompanive të infrastrukturës për vitin 2011. Situatë, e cila nuk do të jetë më problematike, por kërcënuese për ekonominë e vendit, meqenëse dhe mjetet për ta përmirësuar bilancin negativ janë tepër të pakta.
Në projektbuxhet nuk është parashikuar asnjë faturë për likuidimin e detyrimeve që ka Ministria e Transporteve ndaj jush. Si paraqitet situata dhe çfarë masash parashikon shoqata për ta zgjidhur këtë ngërç 3-vjeçar?
Për shkak të presioneve të ndryshme, qeveria do të duhet të mbajë premtimet për investime në infrastrukturë. Për të përmbushur detyrimin e mbajtjes së premtimeve u “shpikën baby” tenderët. Formalisht bëhet prokurimi për rrugën, vetëm për një fazë të saj me një vlerë prej 10 milionësh, shumë e cila vlen vetëm për ngritjen e kantierit. Pjesa tjetër e investimit mbetet pezull në pritje të fondeve për të bërë prokurimin. Kompanitë futen në grackë dhe detyrohen të vazhdojnë punimet, nga ana tjetër zyrtarët deklarojnë se kanë shlyer detyrimin dhe kompanitë nuk duhet të vazhdojnë punimet, pa u prokuruar fondet. Humbësit janë kompanitë që kanë ngritur kantierin dhe duhet ta mbajnë në punë për të mbrojtur investimin e bërë, infrastruktura e prokuruar që nuk dihet se kur do të përfundojë dhe buxheti i shtetit, që në këtë kohë të vështirë, bën shpenzime jo efektive dhe që zhduken pa kriter.
Prof. Gjokë Uldedaj, deputet i PD-së, ish-kryetar i Dhomës së Tregtisë, komenton projektbuxhetin 2012
Jo rritjes së taksës, pavarësisht krizës
Nga vështrimi paraprak i buxhetit, cili do të ishte gjykimi juaj, rreth parametrave të tij dhe çfarë mund të bënte më tepër qeveria në favor të biznesit?
Buxheti i shtetit 2012, një dokument tashmë i miratuar në qeveri dhe që është në fazën e diskutimeve në Kuvend, është ligji më i rëndësishëm i vitit. Ai është një projekt progresi, i cili çon më përpara objektivat e mazhorancës. Qeveria “Berisha” ka sjellë për miratim një dokument të konsoliduar, i cili i ruan të gjithë parametrat e zhvillimit të vendit. I programuar mbi rritje ekonomike 4,3% dhe me një deficit në kufijtë e 3 përqindëshit të PBB, buxheti i vitit të ardhshëm është një program realist pune.
Të mos harrojmë se ky buxhet është hartuar në kushtet kur ekonomia shqiptare si në shumë pak vende të Europës dhe rajonit vijon të jetë një ekonomi me rritje të konsiderueshme. Vendet e BE-së e veçanërisht ata të Eurozonës, janë përfshirë nga një krizë ndër më të rëndat që kanë njohur më parë. Duke qenë se ata janë edhe partnerë kryesorë të vendit tonë në tregti e më gjerë, do të ishte jo realiste të mendohej se nuk do të kishin ndikim edhe në ekonominë tonë. Kjo është e pasqyruar edhe në buxhet, i cili nuk ka të njëjtat ritme të rritjes si buxhetet e viteve më parë.
Ndaj do ta konsideroja buxhetin si shumë realist, por dhe pak konservator në rrethanat që po kalon ekonomia globale dhe ajo rajonale në veçanti. Një buxhet i progresuar mbi bazën e programeve buxhetore afatmesme, duke vlerësuar dhe marrë në konsideratë zhvillimet konkrete të viteve të fundit. Në këto rrethana, duke vlerësuar edhe reformat strukturore të pritshme, të lidhura me politikat inkurajuese ashtu dhe me nxitjen e investimeve, të shoqëruara me një administrim fiskal të niveleve bashkëkohore, do të bëjnë të mundur që realizimi i pritshëm të jetë në një linjë me maturin e politikave ekonomike të qeverisë.
Lidhur me pjesën e fundit të kësaj pyetjeje, do desha të theksoja faktin se shërbimin më të madh kjo qeveri ia ka bërë biznesit, nëpërmjet reformave të realizuara, të cilat kanë bërë të mundur që biznesi shqiptar të mos përfshihet në vorbullën e krizës financiare globale. Në këtë kuadër, deklarimi i Kryeministrit që nuk do ketë rritje taksash për biznesin, është një sinjal shumë pozitiv, i cili shkon në një linjë edhe me kërkesën për uljen e informalitetit në ekonomi.
Ky buxhet nuk parashikon paketë fiskale, ndërkohë që së fundmi është hedhur debati për rikthimin e taksës progresive. A është e drejtë kjo nismë?
Me të drejtë, buxheti nuk parashikon ndërhyrje në taksa apo ndonjë paketë të re fiskale. Ndërkohë, nga ana tjetër, hidhet poshtë dhe ideja e fundit e opozitës për rikthimin e taksave progresive. Fillimisht opozita kërkoi heqjen e TVSH për produktet agroushqimore, duke marrë një përgjigje të merituar dhe të argumentuar nga vetë biznesi. Kjo kërkesë e opozitës vjen në një kohë kur po punohet në drejtim të politikave nxitëse dhe subvencionuese për sektorin e bujqësisë, efektet e të cilave kanë filluar të duken tashmë edhe në këtë kategori tregu.
Në rrethanat e zhvillimeve në ekonominë e Eurozonës dhe të rajonit, të kërkosh taksë progresive është e papranueshme dhe me pasoja frenuese. Më mirë se kushdo, këtë e kuptojnë bizneset shqiptare që kanë realizuar investime të fuqishme në vend, dhe të rrisësh taksat për to është t´u sabotosh punën. Në këtë kuadër opozita duhet të jetë koherente dhe të kontribuojë në drejtim të stabilitet ekonomik të vendit. Duhet të jetë e angazhuar sinqerisht kur bëhet fjalë për reforma në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe jo të përfshihet në parulla populiste dhe debate ideologjike, të cilat, aktualisht, janë jashtë kohe.
Mistritë kryesore
Arsimi
Buxheti, 38.93 miliardë lekë. Synohet modernizimi i arsimit parashkollor, përmes trajnimit të mësuesve (15-20% në vit), rikonstruksionit dhe ndërtimit (150 -200 klasa në vit) të kopshteve përmirësimin e metodave të mësimdhënies, rritjen e numrit te pedagogeve me 400, rritjen e numrit të laboratorëve shkencorë dhe/ose përmirësimin dhe zgjerimin e tyre, etj
Shëndetësia
Buxheti i rritet me 339 milionë lekë. Synohet përmirësimi i ofrimit të shërbimit parësor nëpërmjet zgjerimit të skemës së medikamenteve nga 420 në vitin 2011 në 430 në vitin 2012, mbulim 84% i nevojës për shërbim spitalor në vitin 2012 krahasuar me 82% që janë plotësuar në 2011, plotësim 70% i nevojave të spitaleve të distriktit me pajisjet e domosdoshme për shërbimin e imazherisë në vitin 2011, referuar 65% që plotësohen aktualisht, etj.
Bujqësia
Buxheti, 6.78 miliardë lekë. Synohet, ofrimi i shërbimeve ekonomike, të qëndrueshme dhe te besueshme të kullimit, mbrojtje nga përmbytjet, ofrimi për fermerët i 16 paketave / kartave teknologjike dhe rekomandimeve të dala nga studimet e kryera nga QTTB, krijimi i Sistemit te Informacionit mbi token bujqësore, integrimi në GIS (30000 ha), dixhitalizimi i Regjistrit të Tokës Bujqësore në 50 komuna/bashki, etj
Punët Publike
Buxheti, 42.4 miliardë lekë, ku rreth 38 miliardë lekë janë investime, ose sa gjysma e atyre që do shpinohen në total. Synohet ndërtimi dhe rehabilitim i 80 km rrugë të rrjetit kombëtar, sistemim asfaltim dhe riveshje e 27 km rruge të rrjetit kombëtar, e vlefshme me 0.7% të rrjetit total, përmirësimi i gjendjes se infrastrukturës hekurudhore nëpërmjet zëvendësimit te traversave në 0.3 km linje, sigurimi i kushteve për rreth 17% të familjeve që kanë aplikuar pranë bashkive, etj
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.