Rritet presioni për UEFA për shkak të marrëveshjeve të saj me kompaninë energjetike shtetërore ruse Gazprom, pas vendimit të Vladimir Putin për të dërguar forca ushtarake në Ukrainë.
Kriza ka detyruar organin qeverisës të futbollit europian për të marrë në konsideratë zhvendosjen e finales së Champions League të këtij sezoni në Gazprom Arena në Shën Petërburg, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi marrëveshjen me afat të gjatë të Gazprom me futbollin europian.
Kryeministri britanik, Bors Johnson, tha dje në Dhomën e Komunave se “nuk ka asnjë mundësi që të organizohen kompeticioni futbolli në një Rusi që pushton vendet sovrane”.
I të njëjtit mendim është edhe Chris Bryant, deputet laburist, i cili bën pjesë në Komitetin e Përzgjedhur të Dhomës së Komunave për çështjet e jashtme. Ai i tha Financial Times se UEFA duhet të ndërpresë lidhjet me Gazprom.
“UEFA po monitoron vazhdimisht dhe nga afër situatën dhe çdo vendim do të merret në kohën e duhur, nëse është i nevojshëm. UEFA nuk ka komente të tjera për të bërë për momentin” – përsëriti organi europian, i cili, pyetjes nëse ishte i angazhuar për partneritetin më të gjerë me Gazprom, vetëm iu përgjigj se “do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën”.
Gazprom rinovoi kontratën e sponsorizimit për Champions League në maj të vitit të kaluar. Alexander Dyukov është CEO i Gazprom Neft, dhe anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA. Sipas të dhënave të SportBusiness Sponsorship, marrëveshja për periudhën trevjeçare 2018-2021 kap vlerën e rreth 40 milionë eurove në sezon me UEFA-n.
Edhe klubi Schalke 04 në Gjermani është nën presion për t’i dhënë fund marrëveshjes me Gazprom, e cila zgjat prej vitesh. Klubi tha se po shikonte “zhvillimet e fundit në Europën Lindore me shqetësim të madh”, por shtoi se Gazprom Germania ka qenë një “partner i besueshëm” për 15 vjet dhe se zyrtarët janë “në bisedime të vazhdueshme me sponsorin tonë kryesor”.
Shevchenko: “Duhet të bashkohemi, së bashku do të fitojmë”
Janë të shumtë sportistët që kanë thënë mendimin e tyre ditët e fundit për krizën Ukrainë-Rusi. Sidomos futbollistë të njohur, si Andriy Shevchenko: “Ukraina është atdheu im – shkruan ish-sulmuesi në Instagram – kam qenë gjithmonë krenar për popullin dhe vendin tim. Kemi kaluar shumë momente të vështira dhe në 30 vitet e fundit jemi formuar si komb. Ukraina është një komb me qytetarë të sinqertë, punëtorë dhe liridashës.
Kjo është pasuria jonë më e rëndësishme. Sot është një kohë e vështirë për të gjithë ne, por duhet të bashkohemi. Së bashku do të fitojmë, lavdi Ukrainës”.