Diversifikimi i prodhimit është një nga mjetet që kanë zgjedhur kompanitë fason për mbijetesën në kushtet e paqëndrueshmërisë që krijoi Covid-19 te tregu tradicional, Italia. Për këtë, disa prej tyre investuan për blerjen e makinerive të reja. Edhe disa operatorë të bimëve medicinale kanë rritur ndër vite investimet për vlerën e shtuar të produktit. Eksporttuesit thonë se për transformime tërësore të industrive duhen subvencione nga shteti, ose procesi do të mbetet vetëm në disa ndërmarrje individuale.
Nga Dorina Azo
Covid-19 nxori nga “moda” prodhimin e veshjeve dhe këpucëve për përdorim të përditshëm. Rënia e kërkesës nga tregu italian, një prej më të goditurve nga pandemia, ku shkojnë pjesa më e madhe e eksporteve shqiptare, detyroi shumë sipërmarrës, që pavarësisht krizës që po kalojnë, të investojnë për diversifikimin e prodhimit, duke e transferuar pjesërisht apo tërësisht për veshje mjekësore. Disa nga kompanitë kryesore të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve thanë për “Monitor” se diversifikimi i prodhimit i shpëtoi ata nga mbyllja e punës, pavarësisht se kostoja e investimit e kryer në kohë krize ishte e lartë.
Për një tjetër industri, si ajo e bimëve mendicinale dhe aromatike pandemia shtoi sasinë e bimëve të grumbulluara, pasi karantina e mars-prillit detyroi shumë individë të punojnë për mbledhjen e tyre në male. Për shkak të shpopullimit të zonave malore, për industrinë mbetet shqetësim gjetja e bimëve për përpunim. Eksportuesit janë të detyruar të diversifikojnë prodhimin e bimëve, duke investuar për kultivimin e tyre në zonat e populluara.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2020, eksportet e tektileve drejt Italisë, që është partneri kryesor, ranë me 13% me bazë vjetore. Në të kundërt, drejt Gjermanisë u rritën me 22%. Gjithsesi, Italia vijon të mbetet partneri kryesor i vendit për eksportet e tektileve me 66% të totalit, në rënie nga 70% një vit më parë. Në të kundërt, është rritur pesha e Gjermanisë nga 9.5% në 2019-n, në 12.5% në vitin e krizës së pandemisë.
Më e vështirë ka qenë përshtatja për industrinë e këpucëve. Eksportet e veshjeve të këmbëve ranë me 18% drejt Italisë, që zë 86% të totalit të tregjeve jashtë. Në tendencë tkurrëse ishin dhe destinacionet e tjera, si Gjermania (-12%), Hungaria (-27%), Spanja (-48%).
Si e transformuan fasonët prodhimin
Alfred Mali, i kompanisë Mali sh.p.k në Lezhë, është rasti tipik i diversifikimit total të linjës prodhuese nga këpucë në materiale njëpërdorimshme anti-Covid-19.
Pezullimi i kontratave, moszhvillimi i panaireve të modës, mbyllja e dyqaneve në Itali dhe stoqet e mëdha që u grumbulluan në periudhën e karantinës e detyruan administratorin e kompanisë të investojë rreth 100 mijë euro për ngritjen e një linje të re prodhimi.
“Prej 20 vitesh, kompania prodhonte këpucë, por për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia, kemi kaluar në rrobaqepësi, konkretisht po prodhojmë veshje njëpërdorimshme anti-Covid-19. Në këtë periudhë krize jemi detyruar të investojmë 100 mijë euro që aktiviteti të vazhdonte dhe 350 punëtorët e dy fabrikave të mos mbeteshin pa punë.
Nga shteti nuk u dha asnjë ndihmë. E nisa punën në rrobaqepësi (për qepjen e maskave, veshjeve mbrojtëse, kapuçat) pa punonjës të kualifikuar, pasi eksperienca e tyre ishte për prodhimin e këpucëve. Kërkova ndihmë nga zyrat e punësimit për zhvillimin e programit të nxitjes së punësimit, për kurse kualifikimi, por nuk mora asnjë përgjigje. Sot shikoj që ka shumë vajza të reja të cilat vijnë e bëjnë punën e rrobaqepësisë me më shumë qejf se sa te këpucët. Më vjen mirë për këtë gjë, pasi po i shërbej edhe komunitetit!”.
Kontrata për prodhimin e veshjeve njëpërdorimshme për kompaninë Mali sh.p.k do të zgjasë edhe 3 muaj. Administratori i sipërmarrjes pohon se investimi që ai diversifikoi në 2020-n do të vazhdojë. “Puna me rrobaqepësinë do të vijojë, ku këtë javë pres të nënshkruaj kontratë me një kompani italiane për prodhimin e veshjeve intimo. Jam duke u përgatitur të mbaj të hapur këtë prodhim të ri, për të vazhduar edhe pas largimit të Covid-19. Kam marrë një rrobaqepës të vjetër dhe do t’i jap drejtimin atij bashkë me vajzën time, sepse nuk e bëj dot rrobaqepësinë.”
Aktiviteti 20-vjeçar i prodhimit të këpucëve, ku një pjesë e tyre tregtoheshin nën logon “Made in Albania” edhe në tregun vendas, pavarësisht krizës nuk do të ndërpritet. Situata e pandemisë bllokoi shitjet edhe në dy dyqanet e sapongritura në Londër dhe Athinë. Z. Mali thotë se ndihma e shtetit është e domosdoshme për të kapërcyer krizën.
“Këpucët janë jeta ime dhe do të vazhdoj aktivitetin për prodhimin e tyre. Duhet të hapen rrugët, situata të normalizohet që edhe aktiviteti të nisë rimëkëmbjen. Kam dy dyqane për tregtimin e këpucëve ‘Made in Albania’, një në Londër dhe Athinë që tashmë janë investime të bllokuara nga pandemia. Covid-19 na forcoi në shumë gjëra dhe kam shpresën se sektori ynë shumë shpejt do të rimëkëmbet. Kemi nevojë të na mbështesë edhe shteti me panaire, të prezantohemi në Europë, që ky treg të njohë prodhimin “Made in Albania”.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se industria e prodhimit të veshjeve të këmbëve rinisi të marrë veten në muajin maj, pas përgjysmimit të eksporteve në muajt shkurt e mars 2020, krahasuar me një vit më parë. Në gusht, eksportet e veshjes të këmbëve shënuan rritje të lehtë krahasuar me 2019. Për periudhën janar-dhjetor 2020, eksportet ishin 19% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019. Në rënien e tyre ndikoi karantina e mars-prillit, por edhe përshtatja është më e vështirë për këtë industri për të prodhuar veshje njëpërdorimshme për Covid-19.
Transferimi i shitjeve në Europën Perëndimore
Varësia e lartë e prodhuesve tekstilë nga tregu fqinj, i cili u bllokua nga pandemia me mbyllje të panaireve dhe dyqaneve solli që shumë kompani të zhvendosin shitjet drejt Europës Perëndimore. Florian Zeka, përfaqësuesi i Shoqatës ProEksport Albania (PEA) dhe zotërues i një fabrike tekstile, thotë se faturimi i prodhimit për tregun perëndimor është i njëjtë me atë të Italisë, por duke përfshirë humbjet që u shkaktuan në karantinë nga diversifikimi, zhvillimi i aktivitetit ka shfaqur zhvillime pozitive. Për shkak të bllokimit të punës në 3 muajt e karantinës, Florian Zeka është detyruar të kryejë një investim prej 80 mijë eurosh për blerje makinerish për të prodhuar veshje njëpërdorishme kundër Covid-19.
“Më parë prodhonin rroba pune dhe veshje të modës për Italinë. Në muajin mars-prill kontratat me Italinë u ndërprenë totalisht për shkak të Covid-19. Për të mos mbyllur fabrikën u detyrova të punoj për tregun e brendshëm. Puna u fokusua në prodhimin e maskave tekstile dhe veshjet njëpërdorimshme, por ky volum pune ishte i pamjaftueshëm.
Më pas erdhi oferta nga kompania e Europës Perëndimore për prodhimin e tutave njëpërdorimshme (për ndërmarrjet farmaceutike, automobile që përdoren në repartet e bojës, forcave të policisë). Për këtë u desh që në fund të muajit qershor të investoja në blerjen e makinerive të reja (rreth 70 makineri të reja) me kosto 80 mijë euro.
Dua të theksoj se ky investim më vuri në vështirësi likuiditeti për të mbajtur punonjësit në punë, por ishte ndihmë për mua që përfitova nga Garancia Sovrane 1 fondin për të paguar pagat e punonjësve. Për të mbijetuar u detyruam të ndryshonim 100% teknologjinë, ku makineritë e mëparshme, edhe pse i kisha blerë prej një viti, u detyrova t’i shes me 1/3 e çmimit.”
Florian Zeka, si përfaqësues i shoqatës Proeksport Albania, thotë se ecuria e aktivitetit të industrisë fason për muajin shkurt pritet të jetë negative. “Nëse nuk do të ketë kontrata të reja, situata pritet të rëndohet. Presim të ulemi në diskutime me ministrin e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi, dhe zv.ministrin e Financave për hartimin e një pakete të tretë ndihme, ekskluzive për sektorin fason që është e domosdoshme”, shprehet Zekja.
Prodhuesit e veshjeve, drejt automatizimit
Kompani gjermane “Triumph”, e njohur në mbarë botën për veshjet e brendshme për femra, ka kërkuar fasonët shqiptarë për prodhimin e tyre. Gjergj Liqejza, përfaqësues i kompanisë “Madish” në Shkodër, tha se ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Triumph” dhe se prodhimi po vijon normalisht. Sfidë e sektorit në këtë periudhë pandemie, sipas tij, mbetet modernizimi i makinerive prodhuese, duke përdorur teknologji më të avancuara, madje duhet të arrihet edhe automatizimi i prodhimit. Modernizmi i makinerive pritet të ulë humbjet e krijuara në prodhim, pasi për shkak të Covid-19, fabrikat janë të detyruara të respektojnë distancimin social mes punëtorëve.
“Makineritë që përdorin kompanitë fason duhet të modernizohen. Në planin e investimit të kompanisë kemi parashikuar fondin për modernizimin e makinerive, sepse në kushtet e mungesës së fuqisë punëtore e kemi të domosdoshme, pasi respektimi i rregullit të distancimit të punonjësve nuk është shkelur asnjëherë. Në rast të kundërt, ose do të jemi të detyruar të kërkojmë treg tjetër, ose të rrisim rendimentin e prodhimit me orare të shtuara. Prandaj nevojiten makina më të përparuar nga ana teknologjike, deri në investime që do të na çojnë drejt automatizimit.
Këto kushtojnë shumë. Nëse ne do të rinovojmë tërësisht parkun e makinave duhet të investojmë mbi 1 milion euro. Por kjo nuk realizohet për disa muaj apo për 1 vit. Prandaj kemi një program afatgjatë që mendojmë se do ta zhvillojmë investimin pjesë-pjesë. Edhe po të mos duam nuk kemi zgjedhje tjetër, pasi nuk ka punëtorë”, pohon administratori i kompanisë Madish.
Në periudhë pandemie, ky operator nuk e ndryshoi tipologjinë e prodhimit, vijoi me prodhimin, edhe pse aktiviteti i tij është i orientuar 100% drejt tregut italian. Kontratat për uniforma për policinë kufitare të Italisë patën rritje për 2020. Z. Liqejza thotë se për prodhimin të uniformave, kërkesa ishte 120% më shumë se në vitin 2019.
“Ne nuk e kemi ndërprerë asnjë ditë punën. Këtë vit ka pasur rritje të kërkesës për uniformat, sepse kjo periudhë pandemie është si gjendje ‘lufte’ dhe ka më shumë nevojë për punonjës të sigurisë kufitare. Nga ana tjetër, jo çdo e keqe vjen për keq. Pandemia seleksionoi shumë prodhues apo tregtarë dhe kjo solli që ne të lidhnin kontrata me kompanitë më të mira të Italisë në prodhimin e veshjeve në fushën e sigurisë, si: “Ivi”, “Mondal” etj. Parashikojmë që edhe për këtë vit kërkesa të jetë 10-20% më shumë krahasuar me 2018.
Pavarësisht se kemi arritur të ruajmë qëndrueshmërinë e aktivitetit, kostot e prodhimit në këtë periudhë pandemie kanë qenë të larta. P.sh., na është dashur të përdorim të njëjtën sipërfaqe të fabrikës, por me gjysmën e numrit të punëtorëve. Nëse rezultonte ndonjë rast pozitiv, jemi detyruar të zbatonim izolimin edhe 3 për punonjës të tjerë që punonin afër të infektuarit. Por kjo sjell jo vetëm mungesën e prodhimit, por shton kostot”. Ndryshe nga kërkesa për prodhimin e uniformave, Gjergj Liqejza parashikon se për veshjet e brendshme për 2021 nuk do të ketë rritje krahasuar me vitin para pandemisë.
Si po diversifikohen bimët medicinale
Besnik Koçi, përfaqësuesi i kompanisë “Biobes” në Lushnjë thotë se shpopullimi i zonave malore po shton vështirësitë e mbledhjes të bimëve mjekësore në gjendje të egër. Sfida më e madhe që po përballet kjo industri është kultivimi i bimës në habitatin e saj (në zonat malore).
Por kërkesa për këto produkte është e lartë dhe eksportuesit e shohin kultivimin si të pashmangshëm. Disa operatorë janë të detyruar të investojnë edhe në rritjen e kultivimit të bimëve në zonat më të populluara (më shumë po kultivohen lulet, si: cjani, kalentula, mëllaga, sherebela, levandula dhe bimë që mbillen prej 20 vitesh) pasi nga shteti nuk ka subvencionim të qëndrueshëm.
“Kompania jonë është duke investuar në zonat më të populluara, si Tepelenë, Belsh, Gramsh, Korçë etj. Banorët janë larguar nga fshatrat drejt zonave më të populluara. Tashmë, rreth 60% e fermerëve banojnë në zonat urbane. Për këtë arsye ne po mundohemi të rrisim kultivimin e bimës të egër brenda habitatit të tyre në këto zona.
Edhe ndarja e tokës bujqësore me ligjin nr. 7501 nuk të ofron mundësinë për kultivim masiv të bimës në zonat e populluara. Sipërfaqja e tokës së fermerit është e kufizuar, nuk e kalon 1 hektar , por atij i mungojnë edhe fondet për të përdorur mekanizmat që të konkurrojë Serbinë, Poloninë (është një nga vendet me prodhimin më të lartë të bimëve medicinale në Europë) apo shtete të zhvilluara. Për këtë arsye ne po investojmë edhe te kultivimi i bimëve në zonat më të banuara, sidomos te lulet dhe disa bimë që kanë treg të qëndrueshëm, në tokën e fermerit, duke shfrytëzuar 2 apo 3 dynymë. Kultivimi ndihmon edhe fermerin të vetëpunësohet në fermën e tij dhe nuk ka nevojë të emigrojë.”
Sipas tij, e ardhmja e bimëve mjekësore është kultivimi, pasi jo vetëm Shqipëria, por edhe vende të zhvilluara po përballen me dy faktorë që po ndikojnë në reduktimin e bimëve të egra, – pamundësia ekonomike e fermerëve për të grumbulluar bimë në male dhe humbja e biodiversitetit që po zhduk shumë bimë shëruese. “Fermerit shqiptar i mungon standardi normal i jetesës, është i varfër, nuk ka komoditetin që të marrë një thes dhe të ikë në mal për të mbledhur bimë medicinale.
Për këtë arsye, ai duhet të krijojë përvojën dhe të mbështetet për rritjen e prodhimit, të fokusohet më shumë te kultivimi. Nga ana tjetër, shkatërrimi i biodiversitetit po zhduk shumë bimë në Shqipëri dhe për këtë nuk mendon askush. Fermeri që jeton në fshat nuk ka mundësi ekonomike për kultivimin, ndërsa biodiversiteti i duket si përrallë. Prandaj, ne si kompani parashikojmë projekte zhvillimore afatmesme dhe afatgjata që dëshirojmë t’i zhvillojmë për mbrojtjen e mjedisit”.
Shtimi i vlerës të produktit
Sipas të dhënave të INSTAT, eksporti për grupin “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale dhe ushqim për kafshët” u rrit me 14% në vitin 2020 krahasuar me 2019.
Operatorët shpjegojnë se kërkesa për bimë mjekësore dhe aromatike në 2020 ishte e njëjtë me atë të një viti më parë, por mbyllja e vendit për shkak të pandemisë ndikoi te rritja e grumbullimit dhe shitjeve. “Në periudhën e kompanisë, eksportet e kompanisë u rritën me 43% krahasuar me periudhë normaliteti. Kjo nuk erdhi për shkak të rritjes së konsumit për këto bimë në periudhë pandemie, por pasi u rrit grumbullimi.
Rritja e grumbullimit shtoi mundësinë për të prodhuar më shumë produkt standard dhe të certifikuar dhe për të shitur më tepër. Kërkesa e tregut nuk ka ndryshuar, vitet e fundit ka qenë gjithnjë e lartë e lartë, por ishte faktori njerëzor ai që ndikoi te rritja e eksporteve”, pohon Besnik Koçi nga kompania “Biobes”.
Eksportuesit po përballen edhe me sfidën e shtimit të vlerës së produktit të eksportuar. Bimët mjekësore në vendin tonë në dhjetëvjeçarin e fundit shiten më shumë se 80% të totalit si lëndë e parë, pa u përpunuar, duke humbur në pjesën të madhe të vlerës që mund të ngelej në ekonominë vendase. Aktualisht jo të gjitha kompanitë kanë mundësi të investojnë në teknologji për të rritur vlerën e produkteve shqiptare, ku blerja e makinerive kushton deri në 1 mln euro.
Besnik Koçi, nga kompania “Biobes”, thotë se deri në vitin 2010, Shqipëria nuk kishte investuar në përpunimin e bimëve mecidinale, por me nisjen e projekt IPARD në 2012, disa kompani filluan të investonin më tepër për përpunimin dhe vlerën e shtuar të eksportit.
Nga viti 2016 deri në vitin 2020, “Biobes” ka investuar 600 mijë dollarë për makineritë për shtimin e vlerës së produktit që eksportohet. “Në vitin 2012, ne tregtonim rigon për një kompani në Greqi, e cila e përpunonte erëzën, ndërsa paketimin e kryenin kompanitë në Shqipëri. Ne këto 4 vite, kemi rritur kapacitetin dhe kushtet e magazinimit, investuam në blerjen e makinerive në fabrika dhe tashmë e shesim direkt këtë produkt te konsumatori.
Me pak fjalë, i rritet vlera produktit brenda Shqipërisë, pa qenë e nevojshme të shpenzohen kostot e transportit dhe të përpunimit në një shtet tjetër. Me këto investime rriten edhe fitimet.” Ky operator i eksporton 40% të bimëve në Austri, 33% në Gjermani dhe pjesën tjetër në Hungari dhe Francë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.