Ndonëse në periudhë krize dhe me lëvizje të kufizuara të emigrantëve drejt vendit mëmë, depozitat kanë vijuar tendencën e tyre sezonale të rritjes së fortë në gusht.
Të dhënat e bankës së Shqipërisë bënë të ditur se stoku i depozitave arriti në 1.07 trilionë lekë (8.6 miliardë euro), me rritje prej 1.3% ose 14.3 miliardë lekë më shumë sesa muaji i mëparshëm.
Efekti kryesor ka qenë nga kursimet në valutë që janë shtuar me gati 13 miliardë lekë, duke ndikuar në mbi 90% të rritjes.
Tradicionalisht në gusht dhe në dhjetor, rritja e depozitave, sidomos atyre në valutë është më e lartë sesa në muajt e tjerë për shkak të prurjeve më të mëdha të emigrantëve, që një pjesë të kursimeve i vendosin në banka.
Kjo tendencë ka vijuar edhe këtë gusht, ndonëse lëvizjet e emigrantëve kanë qenë më të kufizuara se vitet e mëparshme, për shkak të pandemisë. Madje këtë gusht, shtesa e kursimeve është gati 50% më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte +10 miliardë lekë.
Këtë vit, pavarësisht krizës, ecuria e depozitave ka qenë pozitive, teksa në kohë të pasigurta njerëzit tentojnë të kursejnë dhe të reduktojnë shpenzimet jo të domosdoshme. Në krahasim me dhjetorin 2019, kursimet në banka janë rritur me 4.1%.
Ndërsa me bazë vjetore (gusht 2020/gusht 2019) depozitat u zgjeruan me 6%.
Në fund të gusht, depozitat në valutë përbënin 54% të totalit, duke shfaqur një tendencë të qartë kursimesh drejt valutës, ndonëse normat e interesit të kursimeve në euro janë pothuajse zero.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.