Krizës së konsumit nuk i rezistoi dot tregu i shërbimeve estetike, trajtimeve apo edhe thjesht frekuentimit të palestrave. Qendrat estetike e palestrat po frekuentohen më pak se një vit më parë. Por sipërmarrësit po i gëzohen rritjes së fluksit krahasuar me muajt e dimrit, kur aktiviteti ishte tërësisht i fjetur…
E nisën me paketat e trajtimeve estetike për zonjat në fillim të marsit, për të përfituar nga shpenzimet që femrat kishin planifikuar për 8 Marsin. Për qendrat estetike, kjo ishte “dita e verës” kur mund të rikthehej shpresa se klientët do t’u ktheheshin shpenzimeve të tyre për trajtime estetike. Shumë prej tyre raportojnë se dimri ishte tërësisht i fjetur. Ermira Elezi, sipërmarrëse e një qendre estetike në kryeqytet, tregon se, “gati po llogarisja të mbyllja aktivitetin. Kam 7 vjet që e kam hapur si biznes dhe kap punuar shumë për të krijuar klientelën, por në muajt e këtij dimri, m’u duk se edhe klientët më besnikë më braktisën”. Por, muaji mars shënoi kthesën për të, pasi klientët janë rikthyer ndonëse nxiton të kujtojë se ata janë më pak se një vit më parë. “Krahasuar me një vit më parë frekuentimi ka rënë gati 10% dhe problemi është se ka disa vite rresht që po përballemi vetëm me rënie”, thotë Elezi.
Klientelë në rënie raportojnë edhe disa qendra të tjera estetike, ndonëse pranimi i këtij fakti publikisht, sipas tyre i dëmton, pasi mund të ndikojë në largimin më tej të klientëve. Në fakt, çdo ditë, zonjat sipërmarrëse të qendrave estetike “luftojnë” për
të mbajtur afër qendrave klientët. Janë kryesisht moshat 20-45 vjeç që interesohen për trajtime të ndryshme.
Në këto kushte, estetistet tregojnë se nuk kanë guxuar të rrisin ndonjë çmim të shërbimit, edhe nëse është rritur ndonjë kosto. Madje, disa prej shërbimeve, vlerësohet të kenë pësuar ulje të çmimit
Menaxherë të disa prej qendrave estetike, thonë se prej gati një pesëvjeçari po u duhet të tolerojnë në çmime për të mbajtur pas tyre klientët e rregullt. Ndërkohë, të flasësh për klientë të rinj, është gati një luks. Një vit më parë, ulja e çmimeve ishte deri në 20%, dhe vetëm pak nga qendrat më të mëdha u rezistuan uljeve.
E kushtet e favorshme vijnë pikërisht në periudha vështirësish.
Tashmë, dhjetë seanca dobësimi kushtojnë 26 mijë lekë, në vend të 30 mijë lekëve, ashtu si dhe një abonim njëvjeçar për trajtimin mujor të fytyrës. Për këtë të fundit, kostoja luhatet mes 2-3 mijë lekë për një seancë, në varësi të produkteve të përdorura.
Kjo është zgjidhja direkte që kanë bërë një pjesë e qendrave, ndërsa jo pak të tjera po zgjedhin mënyra joshëse me paketa shërbimesh.
Trajtim plus konsulencë, vetëm për çmimin e trajtimit, ose paketë e plotë dobësimi bashkë me trajtimin e fytyrës, kur u duhet të paguani vetëm të parën. Pakot e shërbimeve po funksionojnë mes gjithë qendrave estetike. Së bashku, një trajtim specifik fytyre për 60 minuta, masazh relaksues 40 minuta dhe thonj me rimbushje, kushtojnë rreth 5 mijë lekë.
Pranvera ka ringjallur interesin për t’u përgatitur për një paraqitje sa më të mirë gjatë sezonit të ngrohtë dhe kjo vlerësohet të jetë arsyeja e rritjes së kërkesave këto ditë. E ndërsa, po përpiqen të shfrytëzojnë sa më mirë këtë periudhë, sipërmarrësit kanë filluar të mendojnë për ditët e vështira të verës, kur klientët do t’i braktisin në këmbim të bregdetit.
“Trajtimi estetik, por edhe palestrat janë kthyer në biznes sezonal, pasi klientët vijnë, shkëputen, për t’u kthyer sërish më vonë”, thotë sipërmarrësja e Vipline.
Së fundi, qendrat estetike kanë reduktuar shpenzimet në mënyrë që të mos rëndojnë shumë te klientët.
Më larg palestrës
Nuk janë shtuar ata që vrapojnë te Kodrat e Liqenit, ndërsa vazhdon të bjerë numri i atyre që frekuentojnë palestra. Më pak sport, nuk është një lajm i mirë, për një shoqëri, ndonëse me një moshë mesatare të re. Instruktorë të disa prej palestrave në kryeqytet tregojnë se niveli i frekuentimit ka rënë ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Arsyeja është ekonomike. “Mund t’u duket çudi, por sot edhe 2500 lekë në muaj, janë shumë. Ka të rinj që janë të papunë. Ka të tjerë që e duan palestrën, por kanë dalë si të papunë së fundi”, thotë Arjan Saliasi, një prej instruktorëve në kryeqytet. Por, në fakt, kjo nuk duket çudi, pasi shqiptarët vlerësohet të kenë në dispozicion një buxhet shumë të vogël për t’u kujdesur për veten. Sipas një vlerësimi të bërë nga kompanitë e kozmetikës dhe trajtimit të trupit, kujdesi për veten merrte mesatarisht 5-6% të të ardhurave. Sot, niveli i këtyre shpenzimeve llogaritet të zërë rreth 4% të totalit të shpenzimeve. Ky hap mbrapa e thellon më tej diferencën e shpenzimeve për këtë zë, krahasuar me vendet fqinje në rajon, e për më tepër me vendet e Bashkimit Europian, ndonëse edhe këto të fundit, për shkak të efekteve të krizës kanë ulur shpenzimet e luksit. Drejtuesit e disa qendrave të fitnesit tregojnë se goditja e tregut ndërpreu në mes prirjen rritëse të frekuentimit të palestrave.
Instruktori i “Fitness Gum Plus” tregon se, “efekti i tkurrjes së fuqisë blerëse ka penguar mbi të gjitha trendin e rritjes së shpenzimeve, për t’iu afruar nivelit të shpenzimeve që bëjnë konsumatorët europianë”,
Palestrat në vend janë shtuar, por sportdashësit nuk po ecin “me ritmin e duhur”. Krahasuar me muajt e dimrit, instruktorët raportojnë se ka një rritje që nuk i kalon 10%, ndërsa krahasuar me një vit më parë, frekuentimi i palestrave ka rënë 10-20%, në varësi të shërbimeve specifike që disa prej këtyre qendrave ofrojnë.
Sipas instruktorit të “Fitness Gum Plus”, mars-prill është një periudhë kur niveli i frekuentimit të palestrës arrin kulmin, pasi njerëzit përgatiten të kenë një trup sa më të mirë në sezonin e plazhit. Duke mos qenë një trajtim i qëndrueshëm, pjesa më e madhe e klientëve e frekuentojnë palestrën për një kohë të kufizuar një deri në tre muaj. “Ritmet e frekuentimit mund të fillojnë të analizohen kur të kemi klientë gjithëvjetorë”, thekson instruktori Alfred Seferi. Sipas tij, shqiptarët vazhdojnë të bëjnë palestër për t’u dukur mirë në sy të të tjerëve, dhe më pak janë ata që zhvillojnë aktivitete sportive për të qenë të shëndetshëm fizikisht.
Sipas instruktorit të palestrës “Praktika”, klientët që nuk kanë hequr dorë janë ata që e shikojnë si të domosdoshme palestrën dhe i alternojnë ushtrimet në palestër me vrapin në natyrë për rezultate më të efektshme.
Me një kërkesë të ulët, edhe sektori i trajtimeve estetike po i nënshtrohet presionit të çmimeve të ulëta, ku sipërmarrësit nuk mund të guxojnë të rrisin çmimet e shërbimeve. U bënë vite tashmë që abonimi mujor i palestrës (në pjesën më të madhe të tyre) luhatet me 2500-3500 lekë.
Madje disa prej instruktorëve theksojnë se kanë ulur çmimet, mesatarisht 500 lekë krahasuar me një apo dy vite më parë.
Alfred Seferi arriti të mbajë të njëjtin çmim shërbimi vitin e kaluar, pavarësisht rënies së frekuentimit, por këtë vit, tregon se është detyruar të ulë kostot për klientët. Frekuentimi njëmujor në palestrën e tij, për tri ditë në javë kushton 500 lekë më pak se vjet, ose 2500 lekë.
Kjo është një pasqyrë tërësisht e kundërt me atë të vërejtur pak para fillimit të krizës botërore. Në vitet 2008-2009, palestrat raportonin rritje prej 30% të numrit të frekuentuesve.
Bizneset e fokusuara në kujdesin estetik e shëndetësor, janë ndër të fundit që filluan të zhvillohen pas sipërmarrjeve tregtare, atyre të ndërtimit, e prodhimit, dhe ndër të parat që u prekën nga efektet e krizës financiare.
Të bukur vetëm në dukje
Gjatë vitit 2008, një studim i bërë në tregun ndërkombëtar, nxori në pah se produkti më i shitur kozmetik ishte i kuqi i buzëve. I lirë, por që bie në sy. E të fokusosh shpenzimet vetëm te produkte apo pjesët e dukshme të trupit, është bërë një fenomen shqiptar, i theksuar vazhdimisht në pesë fitet e fundit. Disa estetiste të pyetura në Tiranë tregojnë se gratë shqiptare fokuson më shumë te bukuria se te trajtimet estetike. Ndaj shpenzimet e para në listë janë ato për manikyr, pedikyr e make up. Masazhet e trupit, trajtimet e fytyrës, apo flokut janë një shpenzim luksi për gati 80% të grave shqiptare që frekuentojnë sallonet e estetikës. Trajtimet estetike janë më të kushtueshmet për portofolin.
Për zonjat me të ardhura mbi mesatare, të cilat sigurojnë mbi 50 mijë lekë të ardhura në muaj, prirja për trajtime është për mirëmbajtjen e lëkurës së fytyrës. Problemet e fytyrës janë prioritet edhe për vajzat adoleshente, të cilat në këtë rast me portofolin e prindërve priret të zgjidhin çështjen e akneve, apo puçrrave.
Mbipesha është gjithashtu një shqetësim për moshat e reja. “Prej më se dy vitesh, vihet re një interesim i moshave të reja mbi 20 vjeç që kërkojnë me çdo kusht të kujdesen e të parandalojnë shtime të mëdha peshë apo celulit të gradës së tretë”, thotë estetistja Viola Leshi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.