Kriza prek luksin

28/03/2012 1:03 PM 0 komente

Rritja e të ardhurave vitet e kaluara nxiti zhvillimin e bizneseve tregtare të veshjeve e stolive të shtrenjta.

Numri i qendrave estetike e palestrave u shtua me të njëjtin ritëm sa ai i kazinove.

Por ndërsa i rezistuan efektit të krizës financiare të katër viteve më parë, tani janë prekur nga lista e shkurtuar e shpenzimeve

 

 

Mbërritjen e pranverës po e prisnin me padurim dyqanet e veshjeve (departament store), tregtarët e pijeve alkoolike e mbi të gjitha qendrat e trajtimit estetik dhe kozmetik.

Sipas menaxherëve të marketingut, fillimi i marsit do të ishte i përshtatshëm për të tërhequr vëmendjen e klientëve. Koleksionet e reja të veshjeve përcjellin shumë jetë përmes ngjyrave dhe dizajnit të përdorur,

por kjo nuk po ndihmon aq sa duhet në shitje.

Përfaqësuesit e marketingut të këtij sektori tregojnë se blerjet e sezonit të pranverës janë gati 40% më të ulëta se pranverën e kaluar,

pavarësisht se janë përpjekur të sjellin koleksione sa më të përshtatshme në çmime për kategorinë e tyre të blerësve.

Dhe jo vetëm veshjet. Duke filluar që nga orët e stolitë e shtrenjta, deri te tregtia e produkteve kozmetike, efekti i tkurrjes së shpenzimeve është bërë i prekshëm.

Të pyetur nga “Monitor”, tregtarët e këtyre produkteve flasin për ulje të konsiderueshme të shpenzimeve konsumatore në pikat e tyre të shitjes.

Në tregtimin e orëve për meshkuj nga 600-3600 euro, tregtarët raportojnë rënie vjetore të shitjeve në masën 20%. Por, kjo duket se nuk është stolia më e “sakrifikuar” nga konsumatori.

“Rënie më të madhe të shitjeve vërejmë për stolitë tradicionale prej floriri: unazë, varëse apo byzylyk”, thotë një prej argjendarëve të disa dyqaneve në Tiranë.

Sipas tij, shitja e stolive të florinjta është thuajse përgjysmuar në një vit, ndërsa gurët e çmuar po tregtohen rreth 20% më pak se një vit më parë. Sipas tij,

“blerësit kanë hequr më pak dorë nga gurët e çmuar dhe zgjedhin t’i kenë pjesë të një stolie që ka sigurisht më pak sasi floriri”.

Tregtarët e argjendarive janë bindur se nuk duhet të pretendojnë shitjet e periudhës së artë (rreth dhjetë vite më parë), kur blerësit ishin ende të etur dhe fuqia blerëse, shumë më e fuqishme se aktualisht.

Luksi i stolive duket se është tradhtuar më pak nga femrat, pasi produktet e destinuara për to janë tkurrur në shitje vetëm me 15%. Duhet theksuar që blerjet më të mëdha për femra bëhen nga partnerët,

të cilët vetë kanë hequr dorë mbi të gjitha nga varëset e byzylykët.

 

Tkurrja e shitjeve

– 40% – veshjet

– 20% – orët dhe gurët e çmuar

– 50 – varëse, byzylykë e unazë

– 15% – shitjet për femra

Burimi: Dyqanet e shitjeve

 

Vetëm më pak pije

 

Prodhuesit e tregtarët e pijeve alkoolike tregojnë se po përballen me rënie të lehtë të shitjeve.

Përfaqësuesit e rrjeteve të shitjes me pakicë shprehen se produktet me përqindje më të lartë alkooli shiten pothuajse në të njëjtat nivele të vitit të kaluar.

Për ekspertët e tregtisë nuk do të ishte çudi nëse shitjet do të ishin rritur, pasi shumë studime të bëra tregojnë se në periudha të vështira ekonomike, janë më të shumtë ata që i drejtohen alkoolit për ngushëllim.

Në tregun shqiptar, nxjerrja në pah e këtij lloj efekti është thuajse e pamundur, pasi niveli i informalitetit llogaritet të jetë në një shkallë të lartë. Sipas Edmond Zisos, prodhuesit më të madh në vend të pijeve alkoolike,

ulja e fuqisë blerëse rrezikon të rrisë informalitetin, pasi një kategori konsumatorësh janë të gatshëm të zhvendosen drejt pijeve të paregjistruara, pasi kushtojnë më lirë. Barra fiskale e pijeve alkoolike llogaritet sa 60% e vlerës së produktit.

Rënie më të madhe konsumi kohët e fundit vlerësohet të ketë pasur për pijet energjike.

Përfaqësuesit e distributorëve kryesorë të pijeve në vend tregojnë se shitjet produkteve energjike (me gjithë shtimin e shpenzimeve për marketing) kanë rënë mbi 10% krahasuar 2011-n e më shumë se 30% krahasuar me pesë vite më parë.

 

Më pak trajtime e palestër…

 

Ndërkohë që shoqatave të konsumatorëve nuk do t’u vinte keq për ndonjë ulje të mundshme në konsumit të alkoolit, shpenzimet e pakta të kujdesit për veten po kufizohen edhe më tej.

Konsumatorët shqiptarë vlerësohet të kenë në dispozicion një buxhet shumë të vogël për t’u kujdesur për veten. Nga një vlerësim i bërë nga kompanitë që tregtojnë produkte kozmetike,

çdo konsumator shqiptar shpenzon në kujdesin për veten mesatarisht 5% të të ardhurave. Sipas tregtarëve, krahasuar me vendet e tjera (qoftë edhe në rajonin e Ballkanit) vlera e shpenzimeve është më e ulët.
Por, siç vlerësojnë edhe operatorët e shërbimeve për kujdesin, efekti i tkurrjes së fuqisë blerëse ka penguar mbi të gjitha trendin e rritjes së shpenzimeve, për t’iu afruar sado pak nivelit të shpenzimeve që bëjnë konsumatorët europianë,

duke pasur gjithnjë parasysh hendekun e theksuar të të ardhurave për frymë.

Në stinën e pranverës rriten shpenzimet për trajtime. Palestrat, qendrat estetike, madje edhe ato të kirurgjisë plastike janë destinacioni i një fluksi në rritje konsumatorësh.

Një fazë përgatitore, deri-diku e domosdoshme për të pritur siç duhet sezonin e verës. Por si qendrat e trajtimit estetik edhe palestrat po frekuentohen më pak se pranverën e kaluar.

Nevila Dudaj, sipërmarrëse e “Vip Line Center”, tregon se aktiviteti i trajtimeve është pothuajse në të njëjtat nivele si një vit më parë, ndërsa priste të kishte rritje, qoftë edhe të vogël të frekuentimit.

 

Disa qendra të trajtimit estetik raportojnë rënie të theksuar të frekuentimit e shpenzimeve për trajtim. Sipas tyre, konsumatorët po kufizojnë shpenzimet vetëm në trajtimin e fytyrës,

ndërkohë që për dobësim duket se po bëjnë më shumë vrap. Një zgjidhje e shëndetshme dhe pa kosto. Sipas instruktorit të palestrës “Praktika”,

klientët që nuk kanë hequr dorë janë ata që e shikojnë si të domosdoshme palestrën dhe aktualisht i alternojnë ushtrimet në palestër me vrapin në natyrë për rezultate sa më të efektshme.

Të pyetur nga “Monitor”, rreth dhjetë palestrat më të mëdha në kryeqytet raportojnë rënie të lehtë të frekuentimit (7-8%) krahasuar me shërbime të tjera nga të cilat blerësit kanë hequr dorë.

Në këtë periudhë, bizneset ende në zhvillim të trajtimit apo kujdesit për të mbajtur trupin në formë nuk arritën t’ia hedhin pa u prerë nga gërshëra e shpenzimeve, ndryshe nga sa ndodhi në vitin 2009.

Efektet e krizës financiare ndërkombëtare në atë kohë u ndjenë pothuajse te të gjithë sektorët, por jo te qendrat e trajtimit estetik, të cilat raportuan rritje prej 30% të numrit të frekuentuesve.

 

Luhatja e shpenzimeve për trajtime

5% e buxhetit, shpenzimet për kujdesin për veten

– 8% rënia e frekuentimit të palestrave

Burimi: Operatorët në treg

 

 

Drejt çmimeve të lira

 

Duket se konsumatorët gjithnjë e më shumë po rendin drejt njësive që u ofrojnë çmime konkurruese. Drejtuesit e qendrës tregtare, Tirana East Gate thonë se kompania turke e veshjeve,

LC Waikiki, me një hapësirë prej 1400 m2 është një nga dyqanet me performancën më të mirë dhe xhiron më të lartë në qendër.

Kompania turke ka hapur tashmë disa pika në kryeqytet, ku veshjet që ofrohen janë për të gjitha moshat dhe kategori.

Ecuri të mirë ka rregjistruar edhe mega-dyqani i parë për fëmijë, “Jumbo”, i cili gjatë periudhës dhjetor-shkurt ka realizuar një xhiro prej rreth 208 milionë lekë.

“Xhiroja mujore e këtij dyqani arrin në rreth 65 milionë lekë në muaj”, thonë drejtuesit e TEG. Edhe kjo njësi tregton shumë larmi artikujsh me çmime të lira.

Ndërkohë, njësia e tregtimit të elektroshtëpiakeve Neptun po synon të rrisë me 50% peshën në kryeqytet, falë zgjerimit të pikave dhe ofertave ndaj klientëve.

Sipas të dhënave nga kompania, gjatë dhjetor-shkurtit, shitjet e Neptun në TEG arritën në 505 milionë lekë, ndërkohë që në dyqanin tjetër në QTU, shitjet për të njëjtën periudhë ishin në rreth 423 milionë lekë.

Një nga pikat e forta të rritjes ka qenë zgjerimi dhe shtimi i ofertave.

Nga ana tjetër mjaft i kërkuar nga shqiptarët për produktet kozmetike është “Rossman & Lala”, i cili rezultoin ndër dyqanet më të frekuentuara në QTU dhe City Park, sipas të dhënave që bëhen të ditura nga adminsitratorë të këtyre qendrave.

Për drejtuesit e këtyre njësive që të arrish rritje duhet medeomos që të njihen modelet e sjelljeve të klientëve si ato ekonomike, përplotësuese apo sociologjike, referemi në mënyrë konstante ndaj nevojave të tyre.

 

Tregu global i luksit, mbahet nga Kina

 

Kur bëhet fjalë për recesion, të pasurit nuk ndryshojnë shumë. Në kohë të vështira, edhe ata ndryshojnë sjelljen dhe kjo do të thotë se tregu i produkteve të luksit nuk është i përjashtuar nga efektet e një recesioni.

Sipas një studimi të bërë në tregun ndërkombëtar, periudhat më të vështira ekonomike, kanë treguar se shitjet e produkteve të luksit kanë marrë goditje më të madhe se ekonomia globale në tërësi.

Shitësit me pakicë të produkteve të luksit, të cilët u rritën 9% para recesionit të fundit, panë teksa ra pesha e tyre në shitje më shumë se 13 pikë përqindje në periudhën 2007-2009,

ndërsa prodhuesit e produkteve të luksit ranë edhe më tepër. Tashmë, kur Europa rrezikon të futet në një tjetër recesion “rajonal”, çfarë duhet të dinë bizneset e luksit?

Një studim i bërë së fundi nga instituti i kërkimeve “McKinsey” ka përfshirë më shumë se 5 mijë persona në SHBA, Kinë dhe Europë. Studimi nxori në pah pesë prirje që do të karakterizojnë të ardhmen afatshkurtër të këtij sektori:

 

Alpha

Gjueti për vlerën:

Njerëzit janë duke blerë ende orë e çanta. Ajo çfarë ndryshon tani është se po shikojnë më shumë çmimin në etiketë dhe u duket më me vlerë nga sa prisnin,

duke i çuar shpesh drejt blerjeve më të lira. 26% e grave të pyetura (të cilat kërkojnë e blejnë çanta të shtrenjta, kanë treguar se po blejnë në dyqane të markave më të lira. 38% e grave të pyetura blejnë vetëm në periudha uljesh.

Vetëm një e katërta e të pyeturve tregojnë se nuk kanë ndryshuar sjellje. Për bizneset e luksit duket pasur parasysh se kjo sjellje mund të bëhet e qëndrueshme për një pjesë të mirë të blerësve.

Më shumë se 40% e amerikanëve të pyetur dhe gati një e treta e europianëve shprehen se, edhe pas rimëkëmbjes ekonomike, ata do t’i blejnë produktet e luksit vetëm në periudhat kur janë në ulje.

 

Dëshira për të veçantën:

Për blerjet e produkteve të luksit po mendohen gjithnjë e më shumë. Por, blerësit duan më tepër produkte me porosi dhe shërbime të përshtatura me nevojat e tyre.

Ata po kërkojnë produkte që mund t’i përdorin shpesh, ndonëse me një paketim të mirë.

Rreth 30% e amerikanëve, europianëve dhe japonezëve të pyetur tregojnë se janë të gatshëm për të paguar çmimin e plotë për një artikull që është klasik.

Drejt kësaj sjelljeje janë më shumë se gjysma e kinezëve të pyetur, ndoshta për shkak se ka më pak të ngjarë të kenë blerë produkte të tilla më parë.

Ndërsa shumë blerës po blejnë në periudha uljesh, disa konsumatorë të luksit po shkojnë në një tjetër drejtim. Ata shikojnë për produkte të shtrenjta,

veçanërisht ato lloj gjërash që nuk mund të blihen në discount-e, si produkte më të vlefshme dhe investime të qëndrueshme.

Në Kinë, për shembull, më shumë se gjysma e blerësve të produkteve të luksit mendojnë se sa më i shtrenjtë të jetë produkti, aq më e mirë është cilësia.

Por kur vjen koha për të shpenzuar para, desing-i shet përjetësisht.

 

Kërkimi i kuptimit.

Ka gjithashtu një dëshirë në rritje për konsum të përgjegjshëm. Për shumë blerës të produkteve të luksit është e dhimbshme nëse u duhet të pendohen për blerjen

(më shumë se 40% e blerësve në SHBA dhe Europë dhe më shumë se gjysma e blerësve në Kinë).

Ky është një trend ende për t’u parë, pasi më pak se 20% e të pyeturve tregojnë se çështjet e dëmtimit të shëndetit apo mjedisit (si gëzofët e kafshëve) ndikojnë në atë çfarë blejnë dhe sa duhet të shpenzojnë.

 

Emigrimi online:

Shëtitësi në derë mbetet i rëndësishëm për tregtimin e produkteve të luksit, por tashmë nuk është i vetmi. Pjesa online e tregut të luksit është në rritje të shpejtë, megjithëse filloi me një bazë të ulët.

Nga 3% në vitin 2009 ishte në rreth 5% në 2011-n. Blerësit e veshjeve po shpenzojnë dy herë më shumë online, krahasuar me blerjet direkte.

Sfida për kompanitë është që të balancojnë transparencën dhe aksesin në internet, ndërsa mbrojnë pozicionimin për ekskluziven e luksozen.

 

Zhvendosja drejt tregjeve në zhvillim.

Duhet menduar për vendet në zhvillim, të quajtura vendet BRIC, por me një C të madhe. Të parët që na vijnë në mendje janë kinezët, konsumatorët e shëndetshëm,

të cilët po i drejtojnë shpatullat recesionit. Vetëm 8% e tyre kanë ndryshuar sjellje në blerjet e luksit në vitin 2009 krahasuar me 46% në Amerikë e 51% në Europë.

Aktualisht në Kinë, 44% blejnë më shumë (krahasuar me 6% të amerikanëve dhe 3% e europianëve). Vlerësimet tregojnë se 40% e rritjes globale do të vijë nga Kina për tre vitet e ardhshme.

Gati 40% e blerësve kinezë të përfshirë në studim me të ardhura prej 37 mijë dollarësh në vit, kanë blerë një produkt luksoz në 12 muajt e fundit. 85% e amerikanëve nuk e kanë bërë këtë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of