Intervistë me Ermelinda Baço, drejtore e Divizionit të Huadhënies për Ekonomitë Familjare, Alpha Bank Albania.
Ermelinda Baço, drejtore e Divizionit të Huadhënies për Ekonomitë Familjare, thotë për revistën “Monitor” se Alpha Bank Albania nuk ka ndërmarrë kritere shtrënguese në huadhënien konsumatore pas pandemisë.
Pas mbylljes së moratoriumit, Alpha Bank nuk ka konstatuar përkeqësim të cilësisë së portofolit të kredisë konsumatore dhe pritshmëritë janë pozitive edhe për vitin e ardhshëm. Sipas saj, me rigjenerimin e ekonomisë dhe me rritjen e pritshme të kredidhënies, do të krijohet hapësirë edhe më e gjerë për të ruajtur cilësinë e portofolit të kredisë.
Sa është prekur kërkesa për kredi konsumatore nga kriza ekonomike që shkaktoi pandemia? Cilat produkte janë ndikuar më shumë?
Pandemia Covid-19 ndikoi fuqishëm ekonominë globale dhe tregjet financiare, duke i vënë të gjitha vendet jo vetëm nën presionin e një krize shëndetësore, por edhe të një krize ekonomike. Sektorë të rëndësishëm si Hoteleri/Turizmi, Transporti, Tregtia, Shërbimet, u goditën rëndë nga mbyllja në fund të tremujorit të parë e cila vijoi edhe në tremujorin e dytë të këtij viti.
Sigurisht që kjo situatë ndikon në planet e afërta për investim dhe zgjerim të bizneseve, si përcaktues të ofertës, e po ashtu shkakton pasiguri në vijueshmërinë e punësimit (qëndrueshmërinë e të ardhurave) të ekonomive familjare. Kjo gjë sjell rrjedhimisht ulje të konsumit si përcaktues i kërkesës dhe rritje të tendencës për kursim.
Kërkesa për kredi konsumatore, duke pasur një natyrë prociklike dhe e ndikuar nga rënia ekonomike, sigurisht që nuk është në nivelet e pritshme dhe të parashikuara nga bankat përpara shpërthimit të pandemisë. Vihet re se tregu është shoqëruar nga një rënie prej 17% e kredisë së re të disbursuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që kemi një rritje të lehtë të balancave në nivelin 0.8% krahasuar me fundin e vitit 2019.
Keni ndërmarrë shtrëngime të ofertës, qoftë përmes kritereve të kreditimit ose rritjes së normave të interesit për kredinë konsumatore?
Politika e kreditimit në Alpha Bank Albania ka qenë e qëndrueshme dhe kriteret mbi të cilat ajo bazohet nuk kanë pësuar ndryshime. Sigurisht që situata e krijuar kërkonte një vëmendje më të rritur gjatë procesit të aprovimit të kërkesave, por ne kemi vijuar si normalisht të mbështesim Klientët tanë ekzistues, ashtu edhe ata të rinj. Për më tepër, kushtet e produktit të kredisë konsumatore, siç janë shuma maksimale e financimit apo normat e interesit, kanë mbetur të pandryshueshme e të njëjta me nivelet para gjendjes së pandemisë së Covid-19.
Prisni ndikime afatgjata në portofolin e kredisë konsumatore nga rritja e papunësisë, sidomos në produkte specifike të lidhura direkt me llogaritë e pagave, si overdraftet?
Rritja e papunësisë për vitin 2020, e konfirmuar tashmë nga instancat përkatëse (INSTAT, Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, Banka e Shqipërisë), ka ndikim në kredidhënien në përgjithësi, por sidomos në kreditë konsumatore, ku aftësia paguese përcakton shtyllën kryesore mbi të cilën bazohet kredidhënia. Pandemia e ka futur ekonominë në një rreth vicioz duke ndikuar negativisht ofertën dhe kërkesën, si përcaktues të rritjes ekonomike të vendit.
Megjithatë, të njëjtat institucione kanë një parashikim të skenarit realist për rikthim të rritjes ekonomike në vitin 2021, të shoqëruar edhe me reduktim të papunësisë. Në vitin 2022 pritet të rikthehen treguesit e rritjes ekonomike e të papunësisë minimalisht në nivelet e fundvitit 2019. Për rrjedhojë, në periudhën afatmesme pritshmëritë janë edhe për një rigjallërim të kredidhënies konsumatore, në linjë me rritjen ekonomike dhe normalizimin e niveleve të papunësisë.
A është reflektuar kriza në cilësinë e portofolit të kredisë konsumatore? Çfarë efektesh prisni deri në fund të vitit dhe në pjesën e parë të vitit 2021?
Alpha Bank Albania, sidomos në vitet e fundit, ka një cilësi shumë të mirë të portofolit të kredisë konsumatore, e cila ka vijuar të jetë e tillë edhe gjatë kësaj periudhe. Kjo ka ardhur edhe falë ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë, por edhe si pasojë e një procesi të mirorganizuar nga ana jonë për të mbështetur klientët tanë.
Në fund të muajit gusht ka përfunduar procesi i ristrukturimeve dhe ne nuk kemi vërejtur përkeqësim të cilësisë së portofolit dhe kemi të njëjtën pritshmëri edhe për vitin 2021. Edhe në periudha më afatgjata, me rigjenerimin e ekonomisë dhe me rritjen e pritshme të kredidhënies, do të krijohet hapësirë edhe më e gjerë për të ruajtur cilësinë e portofolit të kredisë.
Sa e ndiejnë bankat konkurrencën e institucioneve të mikrofinancës në produktet e kredisë konsumatore? A e ka ndikuar qasjen tuaj ndaj këtij segmenti të tregut zgjerimi i kompanive që ofrojnë kredi të shpejta? Nëse po, në ç’mënyrë?
Bankat synojnë një target grup të ndryshëm nga institucionet e mikrofinancës. Klientët, të cilët plotësojnë kriteret e financimit e që kanë të ardhura të formalizuara dhe të qëndrueshme, preferojnë të financohen përmes sistemit bankar.
Plotësimi i kritereve përkthehet në mundësi për shuma më të larta financimi, si dhe në norma më të ulëta të interesit krahasuar me institucionet e mikrofinancës. Megjithatë, nuk mund të mos vlerësojmë faktin që zgjerimi i institucioneve të mikrofinancës ka ndikuar pozitivisht te bankat e nivelit të dytë, të cilat kanë shtuar në portofolin e produkteve të kredisë konsumatore, edhe kredi të shpejta për shuma të vogla të financimit.
Kështu, në Alpha Bank Albania ofrohet kreditim i shpejtë deri në 200,000 LEK për të gjithë Klientët që janë pagamarrës në Alpha Bank, ose në bankat e tjera, në procedurë të përshpejtuar ku praktikisht kërkohet vetëm një dokument identifikimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.