Shqetësimi më i madh sot është se pandemia e Covid-19 do të pengojë investimet, do të shkurtojë zinxhirët e furnizimit dhe do të nxisë izolimin. Sidomos, ndikimi do të jetë më i madh te vendet në zhvillim, që kanë ekonomi më pak të sofistikuara dhe janë të varura nga shtetet e zhvilluara për flukset e kapitalit dhe transferimin e njohurive dhe të teknologjive.
Të gjitha këto mund të pengojnë konvergjencën, që nënkupton rritjen më të shpejtë të vendeve më të varfra në krahasim me ato të pasura, në mënyrë që, për një periudhë të caktuar, të arrihet mesatarja e shteteve të zhvilluara. P.sh., Shqipëria sot ka të ardhura që janë mesatarisht sa 31% e mesatares së Bashkimit Europian, më e ulëta së bashku me Kosovën. Vendi duhet të rritet mesatarisht mbi 5% në vit, që të reduktojë këtë hendek. Vlerësimet e mëparshme të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) flisnin për të paktën një periudhë 80-vjeçare që i duhej Shqipërisë.
Me krizën, gjithçka ka ndryshuar dhe askush nuk është më në gjendje të bëjë parashikime. Disa vende po goditen më shumë, të tjera më pak, ka edhe shtete që po arrijnë të përfitojnë.
Optimizmi gjithashtu nuk mungon. Banka Botërore vlerëson se krizat, për shembull, mund të inkurajojnë reformat strukturore; mungesa e mirëmbajtjes së kapitalit të vjetruar gjatë kohërave të zymta, mund të shpejtojë zëvendësimin e tij me teknologji më të reja për rimëkëmbje.
Vendet kanë përfitime të larta nëse eksportet e tyre janë eklektike dhe ekskluzive, duke përfshirë një gamë të larmishme produktesh që pak vende të tjera i eksportojnë.
Nëse ka një element ku Shqipëria mund të bëjë diferencën dhe ta shfrytëzojë krizën si mundësi janë eksportet. Në tre dekadat e fundit, avantazhi kryesor konkurrues i vendit ka qenë shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore dhe shitja e burimeve të shumta të pasurive natyrore (nafta, kromi). Industria fason vijon të dominojë me një të tretën e totalit dhe për më tepër, e varur kryesisht nga një shtet, Italia.
Prej vitesh diskutohet që këto dobësi duhen tejkaluar, se duhet rritur vlera e shtuar, duhet investuar në teknologji, por “rehati” i importuar nga Italia i kishte “dembelosur” sipërmarrësit shqiptarë. P.sh., shumë prej tyre nuk investonin as në procesin e prerjes, pasi ai u vinte i gatshëm nga shteti fqinjë, por kjo i pengonte në diversifikimin në vende të tjera që kërkonin produkt të gatshëm. Çmimet e larta të lëndëve të para, nga ana tjetër, ishin një tjetër faktor që shpërblyen për pak kohë industrinë e rëndë në Shqipëri.
Pandemia përmbysi gjithçka dhe tashmë, duan apo nuk duan bizneset, do të duhet të përshtaten, në mënyrë që të mbijetojnë, pasi ekonomia siç e njihnin deri tani, nuk duket se do të ekzistojë më. Shumë biznese p.sh. po përshtatin teknologjinë për prodhimin e maskave apo veshjeve mjekësore. Të tjerë po shikojnë të përfitojnë nga shkurtimi i zinxhirit të prodhimit (p.sh. ikja e kompanive europiane nga Kina apo shtete të tjera të largëta), duke shfrytëzuar avantazhin gjeografik të vendit.
Shteti, nga ana e tij, ka shansin e madh që të mund të riorientojë zhvillimin ekonomik drejt një modeli më të qëndrueshëm. Sipërmarrjet kërkojnë realizimin e një programi mbështetës afatmesëm nga Buxheti i Shtetit dhe institucionet donatore, i financuar pjesërisht me grante dhe pjesërisht me kredi të butë, për sipërmarrjet e sektorit, që kanë nevojë të riformatojnë prodhimin dhe të diversifikojnë produktet, në përshtatje me kërkesat e sotme të tregut ndërkombëtar.
Topi është në fushën tonë. Nga mënyra se si do të luhet ai, do të varet nëse kriza do ta fundosë më tej ekonominë e sëmurë prej vitesh, apo kjo situatë do të shfrytëzohet si shansi i madh për të riformatuar të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.