Kriza e Covid-19 e ka tkurrur tregun e fondeve të investimit. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se asetet neto në mesin e këtij viti kishin vlerën e 65.5 miliardë lekëve ose 2% më pak krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Rënia ka qenë sidomos e përqendruar në tremujorin e dytë të vitit, kur vlera e aseteve neto pësoi rënie me afërsisht 1 miliardë lekë.
Pavarësisht krizës, statistikat po tregojnë se shqiptarët kanë vijuar të rritin kursimet, edhe në periudhën pas prekjes së ekonomisë nga pandemia. Që nga fillimi i vitit deri në muajin korrik, depozitat bankare janë rritur me 36 miliardë lekë ose rreth 290 milionë euro. Fakti që për të njëjtën periudhë, asetet e fondeve të investimit kanë rënë, lë të kuptohet se ato kanë qenë një alternativë më pak e preferuar nga shqiptarët për të investuar kursimet e tyre. Në kohë krize, duket se njerëzit i janë kthyer instrumentit më klasik të kursimit, depozitës bankare.
Fondet e investimit, në fakt, janë një treg që prej vitesh ka hyrë në një fazë stanjacioni. Asetet neto të fondeve sot janë afërsisht të njëjtat nivele me pesë vite më parë, madje me një rënie të lehtë. Megjithëse në monedhën lekë fondet ofrojnë kthime më të mira se depozitat bankare, këto kthime kanë shfaqur një tendencë në rënie në vitet e fundit. Kjo i ka bërë fondet më atraktive për investitorët shqiptarë. Sot numri i anëtarëve të fondeve ka rënë në më pak se 30 mijë, nga mbi 34 mijë që ishte pesë vjet më parë.
Fondet në lekë i investojnë kuotat e anëtarëve kryesisht në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare, në mungesë të alternativave të tjera. Kjo i kufizon ndjeshëm hapësirat e diversifikimit të portofoleve dhe të përmirësimit të kthimeve për anëtarët.
Tregu i fondeve të investimit dominohet nga tre fondet e administruara nga Raiffeisen Invest, shoqëri në pronës të Raiffeisen Bank. Së bashku, fondet e Raiffeisen përbëjnë rreth 94.5% të aseteve totale të tregut.
Raiffeisen Invest ishte aktori i parë në treg dhe ka arritur të thithë pjesën dërrmuese të investimeve, madje edhe duke inkurajuar depozituesit e vet drejt zhvendosjes së parave në fonde, sidomos në periudhën e parë pas themelimit, në vitin 2011.
Fondet e tjerë ende zënë një pjesë modeste tregu. Fondi i dytë më i madh, Credins Premium, zotëron rreth 5% të aseteve neto, ndërsa fondet e tjera, WVP Top Invest dhe Albsig Standard kanë ende një vlerë tregu të papërfillshme.
Për sa i takon monedhës, pjesën dërrmuese të tregut e përbëjnë asetet e fondeve në lekë, ndërsa ato në euro përbëjnë vetëm 14% të totalit. Fondet në euro kanë një luhatshmëri më të lartë dhe aktualisht kthimet prej tyre janë në vlera negative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.