Kriza ul pagat e sektorit privat; paguhen më pak dhe IT e sektori bankar në tremujorin e tretë

10/12/2020 1:30 PM 0 komente

Kriza e shkaktuar në ekonomi nga Covid-19 ka ndikuar në uljen e pagave në tremujorin e tretë të vitit, që ka qenë e dukshme në sektorin privat ndërsa pagat në shtet kanë vijuar rritjen. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2020, është 52.815 lekë, duke rënë me 2.5% në krahasim me tremujorin e dytë 2020, ndërsa në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë është 1.8% më e lartë.

Rënia e pagave në tremujorin e tretë në raport më të dytin është konstatuar vetëm në sektorin privat. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin privat ishte 47,486 lekë, duke rënë me 3.6% në krahasim me tremujorin e dytë. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, paga mesatare në privat është rritur me 2.1%.

Në sektorin shtetëror, paga në tremujorin e tretë ishte 64,334 lekë, me rritje prej 1.5% në raport me prill-maj dhe 0.7% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Dy sektorët që kanë shënuar rënien më të lartë të pagave në tremujorin e tretë të vitit, në raport me të dytin janë “Informacioni dhe komunikacioni”, paga mesatare mujore e të cilit zbriti në 76.7 mijë lekë, nga 84.5 mijë lekë në tremujorin e mëparshëm (-9%). Për sektorin financiar, paga ra nga 117.9 mijë lekë, në 102.6 mijë lekë (-13.3%). Në fakt, këto dy aktivitete kishin shënuar dhe rritjen më të lartë të pagave në tremujorin e dytë, kur edhe kulmoi pandemia. Sidomos për sektorin e IT, kërkesa ishte e lartë për shërbime, gjatë periudhës së izolimit, kur puna u orientua online dhe bizneset kaluan në shitjet online.

Sektorët e vetëm që panë rritje page në tremujorin e tretë, krahasuar me të dytin ishin ai shtetëror (+1.14%) dhe ndërtimi (+0.8%).

Bankat dhe sigurimet mbeten bizneset që paguajnë më shumë punonjësit e tyre, të ndjekura nga teknologjia e informacionit dhe më pas sektori shtetëror (shiko grafikun).

Sipas INSTAT, Gjatë  tremujorit  të tretë 2020,  paga mesatare  mujore  bruto për  një  të  punësuar  me  pagë  në  sektorin  e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 93,6% më e lartë se sa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 36,6% më e ulët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of