Nga 30 metra, sa ishte niveli i ujit në Pendën e Përlepnicës së Gjilanit, prej nga furnizohen me ujë qytetarët, tani këtu niveli ka rënë në 16 metra. Kjo shkaku i thatësisë së madhe nga mungesa e reshjeve atmosferike muajve të fundit. Një situatë e tillë ka bërë që ditëve të fundit qytetarët të përballen me reduktime të mëdha të ujit.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një takim me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, për të diskutuar për modalitetet e tejkalimit të situatës emergjente me ujin e pijshëm për qytetin e Gjilanit.
Gjilani ka shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm, pasi niveli i pendës së Përlepnicës në Gjilan, nga ku furnizohen me ujë qytetarët, ka rënë në 16 metra, nga 30 sa ishte niveli. Thatësia e madhe nga mungesa e reshjeve atmosferike muajve të fundit, ka bërë që niveli i ulët i ujit në këtë pendë të jetë në gjendjen më të ulët në 63 vjetët e fundit.
Haradinaj në Facebook ka thënë se ekzistojnë dy alternativa për furnizimin e rregullt të qytetarëve me ujë të pijes, investimin në mbushjen e ujëmbledhësit të Përlepnicës nga lumi Krivareka ose nga lumi Llapushnik.
“Me zëvendësmininistrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriun, diskutuam sot për modalitetet e tejkalimit të situatës emergjente me ujin e pijshëm për qytetin e Gjilanit. Për furnizimin e rregullt të qytetarëve me ujë të pijes, ekzistojnë dy alternativa, investimin në mbushjen e ujëmbledhësit të Përlepnicës nga lumi Krivareka ose nga lumi Llapushnik. Qeveria e vendit me marrjen e mandatit ka investuar në rindërtimin e Pendës së Përlepnicës, rrjetin shpërndarës si dhe impiantin e ujërave të zeza dhe do të vazhdojë të jetë e fokusuar për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme sa i përket ujit të pijes për komunën e Gjilanit”.
Komuna e Gjilanit tashmë ka shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm.
Sipas zyrtarëve të kësaj komune, është formuar një task forcë dhe inspektorati është 24 orë në terren për t’i parandaluar keqpërdorimet e mundshme.
Ditë më parë kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina”, Ilir Abdullahu, ka bërë apel për kursim maksimal të ujit derisa Ujësjellësi po bën çmos në zgjerim të furnizimit me ujë dhe ka shumë plane dhe projekte të tjera.
Sipas tij Ujësjellësi nuk do ndalet me kaq por vazhdon edhe me investime të tjera në infrastrukturë të rrjetit të ujësjellësit, mbrojtje të burimeve ujore, shërbime efikase në pagesa ndaj këtij shërbimi dhe shumë risi të tjera që ndërlidhen me sektorin e ujit dhe kanalizimit.
“Nëse ne si konsumatorë abuzojmë me ujin e pijshëm duke i zbrazë tërësisht rezervat ujore, nëse nuk i lajmërojmë me kohë abuzuesit e ujit, nëse e përdorim ujin e pijshëm për destinacione të gabuara, atëherë do të ketë shumë vështirësi në realizimin e planeve tona konkrete që ndërlidhen me ngritjen e shërbimeve ndaj çdo qytetari. Na ndihmoni, që të gjithë të kemi një jetë më të lehtë e më të dinjitetshme”.
Ai ka njoftuar se tani nivelet e Liqeneve janë: Batllava minus 4.1 metër nga niveli maksimal, ndërsa Badovci, minus 5.5 metër nga niveli maksimal. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.