Krizë tek industria e tullave, në rënie edhe çimento

15/01/2019 2:23 PM 0 komente

Viti 2018 regjistroi rënie të shitjeve me 20% për industrinë e tullave. Paralelisht me këtë, kostoja e energjisë gati u dyfishua ndërkohë që rënia e euros duket se dha goditjen finale për operatorët e tregut. Kompanitë presin që viti 2019 të jetë disi më pozitiv, duke qenë se është një vit elektoral. Në të njëjtën tendencë ka qenë edhe industria e çimentos. Kompanitë raportuan rënie të konsumit të çimentos në vend dhe për ta balancuar këtë, sytë i kanë drejtuar tek eksportet. Rritja këtë vit do të varet shumë nëse do të ketë vullnet për të zbatuar projektet që janë shpallur

 

2018-a duket të jetë një vit kontrastesh të theksuara të paktën për disa sektorë. Ndërsa ndërtimi raportohet në lulëzim, krejt e kundërta duket tek industria e tullave dhe çimentos, çka ngre si për ironi pyetjen: me çfarë po ndërtohet?

Asllan Baraj, administrator i fabrikës KID-ALB, thotë se viti 2018 u mbyll me një rënie prej 20% në prodhim. “2018-a ishte një vit me rënie të theksuar, që na detyroi të mbyllnim fabrikën për ca muaj. Nëse në vitet e mëparshme, mbylleshim vetëm një muaj e gjysmë maksimumi, këtë vit u detyruam që ta mbanim mbyllur tre muaj. Me përjashtim të Tiranës, që ka pasur aktivitet, qytetet e tjera kanë qenë në rënie, kryesisht në zonën e Jugut dhe në Durrës”, – shprehet Baraj.

Edhe eksportet drejt Kosovës, sipas tij, kanë pësuar rënie pasi kanë nisur punë disa fabrika në vend, por edhe për shkak të taksës së Rrugës së Kombit që nisi zbatimin muajt e fundit. Masa e fundit që mori Kosova, duke vënë taksa ndaj produkteve serbe, sipas Barajt, ndoshta mund të ketë ndonjë efekt, por deri më tani, nuk ka lëvizur asgjë. Një efekt të mundshëm, nëse do të ketë, ai e pret nga pranvera.

Të njëjtën përshtypje jep edhe Artur Dafa, i fabrikës së tullave Qeramika Apollon, në zonën e Fierit. “Vitin 2018 e mbyllëm më keq se viti 2017, kurse për 2019 shpresojmë që ndoshta do të ketë ndonjë zhvillim, duke pasur parasysh që do të ketë zgjedhje dhe zakonisht vitet elektorale kanë më shumë aktivitet”, – shprehet Dafa. Ai thekson se, nëse nuk do të eksportonte drejt Maqedonisë, do të kishte falimentuar, pasi tregu në vend ka tërhequr vetëm 20% të prodhimit total.

 

Energjia, rënia e euros, koncesioni i skanimit rëndojnë barrën

KID Alb është e lidhur në 35 dhe 220 kilovolt dhe si fabrikë me këtë nivel tensioni, iu desh të dilte në treg të lirë për të gjetur energji. Duke nënshkruar një kontratë afatgjatë, ia doli që të merrte një çmim disi të mirë për energjinë, por diferencat sigurisht që do t’i mbulojë me energjinë që siguron OSHEE si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Asllan Baraj nënvizon se energjia dhe gazi kanë dhënë ndikim të jashtëzakonshëm dhe në raport me vitin 2017, kostoja e prodhimit në 2018 u rrit dukshëm.

“Nuk duhet të harrojmë që rritja e çmimit të energjisë reflektohet direkt te kostoja e prodhimit për njësi, sepse ne jemi konsumatorë që kemi sasi të konsiderueshme. Vetëm për këtë vit, nga energjia kemi pasur rritje të përgjithshme të kostos me 8%. Ndikimin më të madh e kemi pasur nga rënia e euros, e cila shkon nga 10-15% për këtë vit dhe ne kemi 50-60% eksport, çka do të thotë që të ardhurat në euro i kemi të konsiderueshme. Sigurisht që nuk mund të luajmë me çmimet, sepse ato janë fundore dhe humbja totale llogaritet në 10-12%. Po nuk kemi vetëm këto.

Kemi dhe tarifat që i paguajmë koncesionit të skanimit që, në fakt, nuk skanon asgjë. Kaloj çdo ditë 15 kamionë në pika doganore që eksportoj. Vetëm te Hani i Hotit paguaj 2400 euro çdo muaj, ndërsa në total, për gjithë pikat, kostoja e skanimit shkon 3-4 mijë euro. Ironike është që skanim paguaj e skanim nuk bëhet. Kalojnë pa u skanuar dhe nuk e kuptoj si është e mundur. Ky koncesion praktikisht është një vjedhje”, – shprehet Baraj.

Kompania tjetër Qeramika Apollon po shihte mundësitë të dilte në treg të lirë në tetor dhe kjo në kushtet kur situata hidrike nuk paraqitej aspak e mirë dhe çmimet e energjisë nuk ishin të favorshme. Duke qenë se gjetja e furnizuesit ka rezultuar një mision i pamundur, një pjesë e kompanive kanë vendosur të qëndrojnë “nën ombrellën” e OSHEE, por me çmimin e energjisë që caktohet nga ERE.

“Në nëntor, çmimi i energjisë ishte 16 lekë/kwh. Më parë, ne furnizoheshim me 9.5 lekë, tani jemi gati dyfish, kështu që mund ta keni parasysh koston që kemi. E kam thënë shpesh që dalja jonë në treg të lirë është e parakohshme. Por këto janë vendime që merren dhe na paraqiten si fakt. Ne harxhojmë çdo muaj 400 mijë kwh dhe me çmimin sot, paguajmë 9.5 milionë lekë çdo muaj, nga 5.6 milionë që paguanim më herët. Kemi dhe barra të tjera, siç është skanimi që paguajmë në pikat doganore. Gjithsesi peshën kryesore të rritjes së kostos së prodhimit për njësi e zë energjia. Vetëm nga energjia, për çdo njësi na është rritur kostoja 15-18%”, – tregon Artur Dafa, i fabrikës së tullave Qeramika Apollon.

 

 

Pse është tkurrur industria e çimentos?

Viti 2018 nuk ka qenë një vit rritjeje as për industrinë e çimentos. Sipas drejtuesve të ANTEA Cement, një prej prodhuesve kryesorë të industrisë së çimentos në Shqipëri, vitin e kaluar, konsumi i çimentos në tregun vendas pësoi rënie në krahasim me vitin paraardhës. “Rënia ka ardhur si pasojë e disa faktorëve, si përfundimi i një sërë investimeve/projekteve të mëdha dhe mosfillimi në kohë i disa projekteve të tjera, si dhe ulja e ritmeve të ndërtesave rezidenciale krahasuar me një vit më parë, si në zonat e banuara ashtu dhe në zonat rurale”, vlerësojnë përfaqësuesit e ANTEA.
Për të balancuar situatën në tregun vendas, duket se tendenca ka qenë drejt eksporteve, ku kompania ka vijuar të jetë e pranishme në tregje si Italia, Mali i Zi, Malta dhe Kosova.

Industria e çimentos ashtu si disa të tjera, vijon të hasë ngërçe që lidhen ngushtë me infrastrukturën apo barrën e taksave. “Pavarësisht ndërgjegjësimit në dukje nga administrata në vend lidhur me faktin se eksportet janë dhe do të jenë gjithmonë një pjesë vitale e ekonomisë shqiptare në tërësi, si dhe faktit se industria e çimentos është nga eksportuesit kryesorë në vend, vlen për t’u theksuar se mungesa e infrastrukturës së nevojshme si rrugore dhe asaj portuale, por edhe efekti rëndues i taksave indirekte mbi lëndët djegëse të ngurta të përdorura në këtë industri, jo vetëm që nuk ka krijuar kushtet e përshtatshme por, nga ana tjetër, ka penguar këtë industri dhe produktet vendase të saj të zhvillohen si produkte konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

Sa më lart, duhet thënë se taksat indirekte të vendosura mbi lëndët djegëse të përdorura në industri, krijojnë disavantazh të madh midis prodhuesve vendas dhe atyre të huaj, të cilët nuk rëndohen me taksa të tilla në vendet e tyre. Ky disavantazh ndihet në mënyrë të konsiderueshme si në eksport, ashtu dhe brenda vendit në raport me mallrat e importit”, – theksojnë përfaqësuesit e shoqërisë.
Një ndër problematikat e ngritura vit pas viti dhe që duket se nuk po gjen zgjidhje lidhet me Portin e Durrësit. Një pjesë e mirë e eksportit kryhet në rrugë detare dhe mungesa e kushteve në këtë port shkakton jo pak “dhimbje” koke për industrinë.

“Shqipëria, duke pasur akses të lirë në eksportet detare, ka një avantazh të madh krahasuar me vendet e rajonit, i cili nuk arrin të shfrytëzohet plotësisht pasi Porti kryesor në vend (Porti i Durrësit) sot mund të përpunojë vetëm anije të tonazhit të ulët si pasojë e cektësisë së tij. Ky faktor eliminon mundësinë për të depërtuar në tregje fitimprurëse si: Afrika Perëndimore dhe/ose ShBA. Në të njëjtën kohë, edhe kostot operacionale të portit janë shumë të larta, çka e vështirëson situatën.

Edhe pse është premtuar që porti do të thellohet për të mundësuar përpunimin e anijeve të tonazhit të lartë, sikurse dhe kostot operacionale do të rishikohen, nuk ka ndodhur ende asgjë”, vlerësojnë përfaqësuesit e ANTEA-s. Lidhur me vitin aktual dhe nëse e shohin atë si një vit mundësish dhe me rritje për sektorin, ata shprehen se kjo perspektivë do të jetë e lidhur ngushtë me ritmet që do të shfaqë ekonomia vendase “si dhe ecurinë e projekteve publike të prezantuara deri tani nga autoritetet shtetërore, sikurse dhe nga vullneti i qeverisë për të zbatuar reforma, të cilat do të mund të shërbenin si lehtësi apo mjete lehtësuese në përballjen e suksesshme me sfidat dhe problematikën e hasur nga komuniteti i biznesit, sikurse dhe me zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of