Banka Raiffeisen e Austrisë (RBA) po kërkon të bëjë blerje në Kroaci, pasi vetëm rritja organike nuk do të jetë e mjaftueshme për të rritur pjesën e saj të tregut në këtë shtet, tha në një intervistë për Reuters, CEO i Raiffeisen Bank në Kroaci, Michael Georg Mueller.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, RBA është huadhënësi i pestë më i madh në Kroaci, duke kontrolluar më pak se 8% të një tregu që dominohet kryesisht nga bankat italiane, austriake dhe hungareze.
Kroacia aktualisht ka rreth 20 banka, kryesisht të vogla, ku 5 prej bankave të saj më të mëdha kontrollojnë rreth 80% të tregut.
Banka Zagrebacka e UniCredit dhe Privredna Banka Zagreb e Intesa Sanpaolos janë dy huadhënësit kryesorë të vendit, të ndjekur nga Erste e Austrisë, OTP e Hungarisë dhe në vend të pestë renditet RBA-ja.
“Banka Raiffeisen e Austrisë po kërkon të bëjë blerje për të rritur potencialin për realizimin e një niveli të synuar të kthimit në kapital”, tha më tej z. Mueller. Banka OTP po shqyrton mundësinë për të blerë edhe dy banka në Kroaci, duke përfshirë një njësi të Raiffeisen, sipas raporteve të mediave lokale të bëra publike që muajin e kaluar, ndërkohë që ka përvetësuar një pjesë të madhe të rrjetit të Societe Generale të Francës.
Sipas një zëdhënësi të njësisë së Raiffeisen, në kohën kur ky njoftim u bë publik, huadhënësi nuk kishte aspak ndër mend që ta shiste biznesin në Kroaci.
Kroacia ka në plan ta bëjë zyrtare ofertën e saj për t’u bashkuar me Mekanizmin Europian ERM-2, deri në mes të korrikut të këtij viti. Ky është konsideruar hapi i parë në drejtim të miratimit të euros, të cilën qeveria dëshiron ta ketë realizuar deri në vitin 2024. Z. Mueller tha se ekonomia e Kroacisë do të përfitonte nga përdorimi i monedhës së vetme, ku avantazhet i kapërcejnë kostot.
“Avantazhi më i madh është heqja e riskut të kursit të këmbimit. Përveç kësaj, efekte pozitive mund të priten nga normat e ulëta të interesit dhe nga rritje në investimet dhe tregtinë ndërkombëtare”, tha ai më tej. Rreth 80% e depozitave dhe 60% e kredive në Kroaci janë në euro, por sipas disa liderëve dhe analistëve të opozitës, vendi duhet të ndjekë shembullin e Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke dhe të mbajë monedhën e vet, kunën kroate.
Në një sondazh të kryer së fundmi nga Banka Qendrore, 52% e kroatëve janë në favor të miratimit të euros, ndërsa 40% e tyre kundër, sepse i druhen rritjes së çmimeve.Z. Mueller tha se duke qenë se çmimet në Kroaci janë tashmë relativisht të larta krahasuar me mesataren e Eurozonës, frikërat e atyre që kundërshtojnë miratimin e euros, janë të pabaza. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga hyrja në zonën e euros, duke qenë se kjo nuk do të sjellë rritje të konsiderueshme të çmimeve, tha ai më tej.
“Kroacia mund të bëjë edhe më shumë për ta bërë ekonominë e saj më elastike, gjë që do ta bënte vendin të dukej më pak i rrezikshëm në sytë e huadhënësve, duke ulur edhe kostot e huamarrjes. Një mjedis më i fortë institucional dhe ligjor do të përmirësonte imazhin e Kroacisë, ndërkohë që heqja e barrierave për bizneset ekzistuese, së bashku me miratimin e euros, do të tërheqin më shumë investime në vend”, tha në fund. Mueller.