Ndryshe nga perceptimi publik dhe zhurma aktuale për rritjen e çmimeve në kontekstin e hyrjes së euros në Kroaci, dhjetori 2022 përfundoi me rënie mujore të çmimeve të konsumit.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave (CBS), në fund të vitit 2022, çmimet ishin mesatarisht 0.3% më të ulëta krahasuar me nëntorin, gjë që e uli normën vjetore të inflacionit nga 13.5% në nëntor, në 13.1% në fund të dhjetorit. Duke matur mesataren vjetore, çmimet e konsumit vitin e kaluar ishin 10.8% më të larta se një vit më parë.
Rënia e muajit të kaluar është pa dyshim rezultat i kostove më të ulëta të transportit, pra uljes së çmimit të derivateve të naftës në dhjetor. Gjithashtu, reduktimet sezonale të veshjeve dhe këpucëve, si dhe kostot disi më të ulëta të banesave dhe shërbimeve, kanë kontribuar në rënien mujore të çmimeve.
Me pak fjalë, duke qenë se kategoria e transportit përbën rreth 15% të shpenzimeve të shportës së konsumatorit, rënia e tyre me 4% ndikoi në rritjen e çmimeve në grupin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike.
Pesha e këtij grupi në shpenzimet e buxhetit mesatar familjar është dukshëm më e lartë (26%), por çmimet e ushqimeve dhe pijeve në nivel mujor, sipas CBS-së, janë rritur dukshëm me 1.2%. Kështu paraqitet gjendja sipas vlerës mesatare, por kostot e disa produkteve ushqimore, u rritën ndjeshëm në dhjetor.
Për shembull, në krahasim me nëntorin, çmimi i gjalpit në Kroaci u rrit me 11% (22.8% në bazë vjetore), vezët me 9.2% (krahasuar me dhjetorin e një viti më parë, ishin 64.5% më të shtrenjta), dhe çmimet e bukës, mishit të derrit, peshkut, qumështit dhe vajit të ullirit, u rritën më shumë se rritja mesatare mujore e çmimeve të ushqimeve etj.
Në përgjithësi, norma vjetore e inflacionit për ushqimet dhe pijet joalkoolike, shënoi vlerën 19% në fund të vitit. Nëse këtu merret parasysh vetëm ushqimi, atëherë rritja vjetore ka rënë paksa, nga 19.7 në 19.6%.