Pas rënies së Adria Airways të Sllovenisë, qeveria fqinje e Kroacisë po kërkon të shmangë një rrezik të ngjashëm për kompaninë ajrore Croatia Airlines. Kjo është arsyeja kryesore se përse janë përcaktuar kushtet për një injeksion kapitali.
Kryeministri Andrej Plenkoviç ka përcaktuar kushtet në lidhje me dhënien e një vlere fillestare prej 100 milionë kunash (14.8 milionë dollarë amerikanë), që përcaktohet si “faza e parë”, e një totali prej 250 milionë kunash.
Croatia Airlines zbuloi më 19 shtator se qeveria kishte miratuar një vendim për krijimin e parakushteve për një rikapitalizim prej 250 milionë kunash.
Z. Plenkoviç, kohët e fundit, paralajmëroi se kompania ajrore kroate duhet të ishte “financiarisht e gatshme” për fazën tjetër.
Procesi i rikapitalizimit dhe partneritetit ka për qëllim të mbështesë zgjerimin e rrjetit të linjës ajrore, të rinovojë flotën dhe të zhvillojë më tej shërbimet e saj teknike, shtoi më tej z. Plenkoviç.
Sipas tij, vendimi është marrë për të shmangur përçarjet në aktivitetet e Croatia Airlines dhe ndikimin e mundshëm në ekonominë kroate.
Ministria e Transportit ka kërkuar zyrtarisht shumën prej 100 milionë kunash nga Ministria e Financave dhe do të ketë gjithashtu për detyrë të monitorojë shpenzimet e këtij fondi të akorduar. Croatia Airlines do të jetë e detyruar t’i paraqesë Ministrisë së Transportit një raport mbi shpenzimet, i cili do të duhet të përfshijë çdo kontratë dhe të gjitha kopjet e faturave. Ndërsa kjo Ministri do t’i mundësojë më pas Ministrisë së Financave një vlerësim, nëse fondet janë shpenzuar ashtu siç duhet.
Z. Plenkoviç thotë se qeveria beson se Kroacia “ka nevojë për një kompani ajrore kombëtare” për të siguruar lidhjen me shtetet e tjera dhe për të forcuar tregtinë dhe turizmin. Stabilizimi i kompanisë synon të paraprijë një përpjekje për të siguruar fonde të mëtejshme nga shteti, si dhe “investitorë të tjerë të interesuar”, thotë qeveria. Croatia Airlines, ashtu siç ishte dhe Adria, është anëtare e Star Alliance. Flota e saj është e ngjashme me atë të Adria dhe dy aeroportet bazë të kryeqytetit janë vetëm 120 km larg.
Aktivitetet e kësaj kompanie janë kryesisht sezonale, ku më shumë se gjysma e pasagjerëve të saj transportohen në tremujorin e tretë të vitit.
Konkurrenca në sezonin e verës është e fortë me pothuajse 100 transportues që veprojnë në tregun kroat, krahasuar me rreth 15 që operojnë në dimër.
Si rezultat, gjysma e parë e këtij viti rezultoi me rreth 80 milionë kuna humbje për Croatia Airlines.
Asetet e saj afatshkurtra arritën një total prej 285 milionë kunash në krahasim me detyrimet afatshkurtra prej gati 745 milionë kunash. Adria Airways u privatizua tre vjet para kolapsit në fund të shtatorit. Sllovenia u bë pjesë e Bashkimit Europian në 2004 dhe qeveria e saj nuk kishte qenë në gjendje të ndërhynte në emër të Adria, për shkak të kufizimeve të ndihmës shtetërore të BE-së. Ndërsa Kroacia u bashkua me BE-në në vitin 2013.