FACC, partneri kryesor austriak dhe global i teknologjisë aktive të industrisë së aeronautikës, planifikon të ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm në strategjinë e saj të globalizimit, një investim me vlerë rreth 30 milionë euro për krijimin e një strukture të re prodhimi në Kroaci.
Planet për ndërtimin e këtij objekti u njoftuan në praninë e Andrej Plenkoviç, Kryeministrit të Republikës së Kroacisë dhe Darko Horvat, ministrit të Ekonomisë dhe Sipërmarrjes. Ndërtimi i tij është planifikuar të fillojë brenda këtij viti. Duke qenë degë e FACC, ky objekt i ri do të prodhojë komponentë dhe pajisje për avionët komercialë dhe ata të biznesit, duke përdorur teknologjinë më të avancuar të fibrave.
Sipas CEO-s së FACC, Robert Machtlinger, kjo korporatë po rritet më shpejt se tregu gjatë 30 viteve të para të ekzistencës. Në përputhje me kërkesat e përgjithshme të tregut dhe kërkesat e konsumatorëve, ne po vazhdojmë të zgjerojmë kapacitetet tona prodhuese, tha më tej z. Machtlinger.
Ne jemi shumë të lumtur që po zgjerojmë kapacitetet tona prodhuese me anë të këtij investimi strategjik në Kroaci dhe jemi të bindur se kjo njësi e re do të kontribuojë ndjeshëm në strategjinë e korporatës sonë, kryesisht në drejtim të ruajtjes së cilësisë dhe efikasitetit.
Përzgjedhja e Jakovljes në rajonin e Zagrebit në Kroaci, si vendndodhja e re për të krijuar këtë objekt të ri prodhimi, u bë pas një procesi përzgjedhës ku morën pjesë shumë vende konkurruese. Z. Machtlinger tha më tej se ata janë shumë krenarë që në ndërtimin e tij do të zbatojnë teknologjinë më të avancuar, automatizimin dhe metodat e Industrisë 4.0.
Industria e Kroacisë, afërsia me objektet austriake të FACC dhe fuqia punëtore e saj e trajnuar, ishin gjithashtu faktorë vendimtarë në përzgjedhjen e Kroacisë nga ana e FACC, si partner strategjik i rritjes së mëtejshme.
Me ndërtimin e këtij objekti të ri në një sipërfaqe prej 12,200 metrash katrorë, FACC do të përmbushë kërkesat e konsumatorëve për produkte të cilësisë së lartë.
Përveç kësaj, një projekti e vendos FACC në një pozitë të fortë për të përfituar nga rritja e mëtejshme ekonomike në industrinë e aeronautikës. Parashikohet që objekti të fillojë prodhimin në mars të 2021. Pasi të jetë plotësisht funksional, ai do të punësojë më shumë se 600 persona.
Projekti përfaqëson krijimin e një sektori të ri inovativ në industrinë e aeronautikës së Kroacisë, që mbështet ekonominë vendase dhe nën furnizuesit kroatë, si dhe forcon sasinë e eksporteve të vendit. FACC planifikon të investojë në trajnimin e stafit kroat dhe synon të krijojë një sistem të dyfishtë trajnimi për profesionet e aviacionit, së bashku me shkollat teknike, njëkohësisht duke treguar edhe angazhim ekonomik, shoqëror dhe social në rajon.