Kroaci / FEI investon 32.55 milionë euro në Iniciativën e Sipërmarrjeve

04/05/2019 10:10 PM 0 komente

Fondi Europian i Investimeve (FEI) do të investojë 32.55 milionë euro në kompanitë kroate inovative nëpërmjet Fondit Fil Rouge Capital II.

Investimi u mundësua nëpërmjet Iniciativës së Sipërmarrjeve të Kapitalit kroat, e ndërmarrë nga Ministria Kroate e Zhvillimit Rajonal dhe Fondet e BE-së dhe FEI në kuadër të programit “Konkurrueshmëria dhe Kohezioni 2014-2020” për të përshpejtuar zhvillimin e tregut të sipërmarrjeve të kapitalit kroat, faktor kyç për rritjen ekonomike dhe për të pasur një ekonomi moderne.

Fondi pritet të gjenerojë një minimum prej 7 milionë eurosh shtesë nga investitorët privatë. Përfshirja e investitorëve institucionalë në këtë Fond do të kontribuojë ndjeshëm në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm të tregut të sipërmarrjeve të kapitalit kombëtar, si dhe të atij të kapitalit privat. Fondi Europian i Investimeve ka zgjedhur Fil Rouge në një proces në të cilin u përfshinë tetë aplikantë që iu përgjigjën thirrjes së CVCi për të shprehur interesin e tyre në këtë proces. E gjithë periudha e këtij procesi zgjati rreth nëntë muaj, duke i mundësuar kështu startup-eve kroate që të përfitonin nga investimet e kapitalit, menjëherë pasi njoftimit të CVCi në mes të vitit 2018.

Fondi Fil Rouge do të investojë në më shumë se 100 startup-e por edhe në kompani të cilat kanë tashmë produktet e tyre të vlefshme në treg. Për më tepër, Fil Rouge do të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të kompanive të suksesshme të portofolit kroat në Europë dhe në nivel global. CVCi është mbështetur edhe nga Programi i Investimeve për Rritjen Kroate (CROGIP) prej 70 milionë eurosh, i lançuar nga FEI në bashkëpunim me Bankën Kroate për Rindërtim dhe Zhvillim (HBOR) në janar të 2019 si pjesë e strukturës së Fondit Europian të Investimeve për bashkëpunim me institucionet kombëtare.

Ministrja e Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të BE-së, Gabrijela Žalac tha se ky fond mbështet aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Kroacisë në rritjen dhe zgjerimin e kapitalit. Komisionerja Europiane për Politikën Rajonale, Corina Cretu, tha se ky është një lajm shumë i mirë dhe mbi të gjitha, një shembull tjetër i politikës së kohezionit në punë.

Fondi, i mbështetur edhe nga politika e kohezionit, nënkupton një financim të ri për bizneset e vogla dhe të mesme kroate, gjëja për të cilën ato kanë shpeshherë nevojë për të hedhur në treg produkte të reja, për t’u integruar në procese inovative, për të hapur vende të reja pune dhe për t’u zhvilluar përtej tregut të tyre rajonal.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of