Qeveria kroate tha se do të garantojë një kredi deri në 150 milionë kuna (23 milionë dollarë amerikanë) për të mos lejuar mbylljen e kantierit më të madh detar të anijeve në vend dhe t’i jepte atij kohë që të gjente një partner strategjik afatgjatë.
Kantieri detar “3.Maj”, që ndodhet në portin e Rijekës, në veri të Adriatikut, është në pronësi të grupit Uljanik, një prej më të mëdhenjve në sektorin e ndërtimit të anijeve në Kroaci. Kantieri tjetër detar, në pronësi të po këtij grupi, ai në Portin e Pulës, ka nisur tashmë procedurat e falimentimit.
Sipas rregullave të ndihmës shtetërore të Bashkimit Europian, qeveria nuk mund të sigurojë mbështetje financiare për kantierin detar të anijeve, por mund të garantojë për të kredi nga palë të tjera.
“Garancia shërben për marrjen e një kredie në bankën shtetërore të Kroacisë HBOR ose bankat e tjera tregtare. “Synimi ynë është të sigurojmë vazhdimin e punës në këtë kantier dhe të minimizojmë dëmet për arkat e shtetit”, tha ministri i Ekonomisë, Darko Horvat, në një seancë të kabinetit parlamentar.
Kryeministri Andrej Plenkoviç tha se qëllimi i qeverisë kroate ishte që t’i siguronte kantierit detar “3 Maj” një partner strategjik afatgjatë, që do ta ndihmonte atë të zhvillonte një biznes të qëndrueshëm në të ardhmen dhe që mund të përfshijë edhe zhvendosjen e një pjese të këtij biznesi në Portin e Pulës.
Në dy vitet e fundit, qeverisë kroate i është dashur të paguajë 4.5 miliardë kuna ndaj huadhënësve (për të dy kantieret e mëdha në zotërim të grupit Uljanikut), sepse anijet e porositura nuk u përfunduan dhe nuk u dorëzuan kurrë. Por kjo nuk ndikoi që financat publike të Kroacisë të mos ishin sërish në suficit vitin e kaluar. Kroacia ka ende një buxhet primar, në përpjekjet për të adoptuar euron në 4-5 vitet e ardhshme.
Për këtë vit, qeveria kroate pret një deficit të vogël buxhetor prej 0.3% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke iu rikthyer një suficiti deri në 1% të PBB-së në tre vitet e ardhshme.