Kroaci: Guvernatori aludon mbi skemën e re të garancisë për NMV-të

06/03/2016 8:01 AM 0 komente

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kroacisë, Boris Vujçiç, ka njoftuar një takim muajin e ardhshëm me qeverinë e re, bankat komerciale dhe institucionet financiare europiane në përpjekje për të krijuar një skemë të re të garancisë që synon nxitjen e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Tema e takimeve të mia bilaterale në Konferencën Euromoney synonte ngritjen e një skeme garancie për të përforcuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, problemi kryesor i të cilave është mungesa e kapitalit dhe kolateralit, ose më mirë mungesa e fondeve për të siguruar kredi” theksoi Vujçiç në konferencën e Vjenës. Ai shtoi se fondet nga Fondi Europian i Investimeve Europiane (EIF) dhe Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të mund të përfshihen në këtë.

“Këto fonde mund të shërbejnë si një garanci për një pjesë shumë të lartë të humbjeve në kredi për kompanitë e vogla dhe të mesme. Kjo skemë aktualisht mund të bëjë më shumë, në lidhje me rritjen e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, se çdo shtesë në kesh nga të cilat ne disponojmë shumë për çdo rast”, pohoi Vujçiç, duke shtuar se ai kishte siguruar reagime pozitive nga përfaqësues të institucioneve financiare europiane.

Duke folur me gazetarët pas një debati mbi politikat monetare, Vujçiç tha se kishte ende vend për konsolidimin e sektorit bankar vendas.

Gjatë debatit, Vujçiç tha se Kroacia duhej të ndalonte rritjen në pjesën e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik në PBB, si dhe të përpiqej të përmbushte kriteret e Maastricht në mënyrë që të ishte seriozisht e përgatitur për të hyrë në Eurozonë.

Gjatë fjalimit mbi efektet e sanksioneve ekonomike të vendosura nga Rusia, Vujçiç tha se kjo kishte çuar në reduktim të eksporteve të Kroacisë ndaj Rusisë, por kjo nuk ishte shqetësuese, sepse kjo pengesë është kompensuar me rritje të eksporteve drejt tregjeve të tjera.

Për sa i përket stabilitetit të kursit të këmbimit, Vujçiç theksoi se HNB duhet të ruajë stabilitetin e kunës për shkak të euroizimit të lartë. “Edhe pse kursi i këmbimit është mbajtur i qëndrueshëm, në dy vitet e fundit ka pasur një rritje të dukshme në eksportin e mallrave dhe jo vetëm në shërbime”, shtoi Vujçiç.

“Rritja më e lartë e PBB-së së Kroacisë në vitin 2015 se sa pritej fillimisht ka rezultuar nga rënia e çmimit të energjisë. Kjo rënie e çmimeve nuk është e keqe për Kroacinë, duke pasur parasysh se ne importojmë pjesën më të madhe të energjisë”, – shtoi Vujçiç.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of