Në Kroaci është krijuar një fshat i ri, posaçërisht për nomadët dixhitalë që duan të lënë zyrën pas. Zadari është një qytet port në qendër të Kroacisë. Me tregje të lulëzuara, plazhe piktoreske dhe prodhime deti të freskëta, ai është vendi i përsosur për një pushim relaksues veror.
Gjithashtu nuk është e nevojshme të largoheni pasi t’ju ketë mbaruar koha e pushimeve. Për shkak të pandemisë, puna në distancë kaloi nga një ide e skajshme, në një realitet, për shumë njerëz. Dhe shumë punonjës nuk duan të heqin dorë nga liritë e tyre të reja.
Jeta nomade dixhitale është një mundësi e shkëlqyer nëse keni nevojë për një pushim nga vendi juaj i zakonshëm i punës. Studimet tregojnë se puna fleksibël ka përfitime të mëdha për shëndetin mendor dhe fizik. Dhe nëse jetoni në një vend me kosto më të ulëta jetese, portofoli juaj mund të përfitojë gjithashtu.
Kroacia e përqafoi shpejt stilin e jetës nomade. Si një nga destinacionet më të mëdha të udhëtimit në Europë, vendi është mbështetur në nomadët dixhitalë për të mbajtur të qëndrueshme ekonominë gjatë gjithë pandemisë. Vendi madje ka ofruar viza të posaçme për nomadët dixhitalë jashtë BE-së, duke i lejuar ata të qëndrojnë për një vit pa paguar taksën mbi të ardhurat.
Në Bokir, një zonë pranë qendrës historike të Zadarit, ndodhet fshati i ri dixhital, i cili njihet edhe me emrin “Lugina”. Ai do të hapet zyrtarisht më 10 tetor. Lugina ofron shtëpi të vogla ku mund të jetoni vetëm ose me anëtarë të tjerë të komunitetit. Ju gjithashtu keni qasje në një hapësirë kolektive ekskluzive dhe eventet e organizuara nga fshati.
Qëndrimet fillojnë nga 130 € në javë, shumë më pak se mesatarja e qirasë së apartamenteve në pjesën më të madhe të Europës.
“Ne i dhamë emrin “Valley” (Lugina), pasi njerëzit e lidhin atë me sipërmarrjen, si Silicon Valley,” thotë Mrksa për “Euronews Travel”. “Duke qenë se shumë nomadë dixhitalë janë sipërmarrës, ne duam të krijojmë evente dhe konferenca për sipërmarrjen dhe të përfshijmë edhe komunitetin lokal. Ka shumë sipërmarrës seriozë që jetojnë një stil jetese nomade dhe ne duam t’i tërheqim ata”.
“Një nga arsyet pse donim ta bënim këtë projekt, është sepse turizmi kroat varet kryesisht nga stina e verës, ndërsa për pjesën tjetër të vitit, shumë ishuj dhe qytete janë “të vdekur”.
“Ne e konsiderojmë Zadarin si një projekt pilot, por në të vërtetë duam të krijojmë disa komunitete si ky në të gjithë vendin për të ndihmuar ekonominë e qyteteve dhe fshatrave”, thotë Mrska.
Zadari ka një histori të pasur si qyteti më i vjetër në Kroaci. Ai u bë pjesë e Republikës së Kroacisë në vitin 1991 gjatë Luftës së Jugosllavisë.