Industria e turizmit e Kroacisë, një prej shtyllave kryesore të kësaj ekonomie, i kërkoi qeverisë që të lejonte hyrjen e më shumë punëtorëve të huaj të cilët do të ndihmojnë stafin aktual në baret dhe restorantet e ndryshme gjatë pikut të sezonit, raporton Tred. Kroacia, shteti anëtar më i ri i Bashkimit Europian, është shumë i varur nga ecuria e turizmit gjatë verës, pasi kjo industri kontribuon me pothuajse 20% në Produktin e Brendshëm Bruto.
Situata nuk është aspak e mirë sa i takon fuqisë punëtore të këtij sektori, e cila ka mungesa të mëdha, duke qenë se janë hapur shumë bare dhe restorante të reja. Situata mund të ndikojë negativisht dhe ta rrezikojë këtë sezon turistik, u shprehën Shoqata e Firmave Turistike të Kroacisë (HUT) dhe Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve (HUP), në një ankesë të përbashkët drejtuar qeveritarëve.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Kroacia e rriti numrin e kontratave të punëtorëve të huaj që do të punonin në këtë shtet gjatë 2019 në 65,100 kontrata krahasuar me 38,769 kontrata të vitit të kaluar. Kuotat për punëtorët në turizëm u rritën në 15,611 nga 8,930. Sektorët që vuajnë më shumë nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar janë turizmi, ndërtimi, shitja me pakicë, prodhimi dhe transporti.
“Objektivi ynë kryesor është që fillimisht të punësojmë fuqinë punëtore vendase, por problemi qëndron në faktin se kroatët nuk janë të interesuar për të punuar në industrinë e turizmit”, u shpreh shoqata HUT.
Në muajin mars, paga mesatare mujore në Kroaci ishte 6,464 kuna (983.60 dollarë). Shkalla e papunësisë në muajin prill ishte 8.6%. Punëtorët e huaj që vijnë për të punuar gjatë sezonit turistik janë nga vendet e Rajonit të Ballkanit, por ka edhe nga vende më të largëta si Ukraina dhe ato aziatike.