EIF do të bashkojë fondet e veta me fondet e HBOR dhe të BE-së për të investuar 70 milionë euro në Prosperus Growth Fund, Adriatic Structured Equity Fund dhe Croatian Mezzanine Debt Fund. Investimi do të ngushtojë një boshllëk të konsiderueshëm të tregut për burimet alternative të financimit për NVM-të dhe kompanitë me fitime mesatare në Kroaci dhe do të zgjerojë opsionet e financimit për kompanitë vendase, ndërsa ato rimëkëmben nga pandemia Covid-19.
Operacioni buron nga Programi Kroat i Rritjes dhe Investimit (CROGIP) me vlerë 80 milionë euro, nisur nga EIF dhe HBOR në citin 2019 dhe respekton zotimin e CROGIP për të diversifikuar opsionet e financimit për NVM-të kroate dhe për të mbështetur zhvillimin e kapitalit privat kombëtar.
Madhësia mesatare e vlerës së investimit pritet të jetë midis 2 dhe 8 milionë euro.
Alain Godard, drejtuesi ekzekutiv i EIF, tha: “Është një kënaqësi e madhe që partneriteti ynë me HBOR nëpërmjet CROGIP ka zbatuar zotimin për të krijuar burime shtesë financimi për NVM-të kroate, modernizimin e mëtejshëm të tregut financiar në Kroaci dhe nivelimin e tij me standardet e BE-së.
Ky është vetëm një nga shembujt, që tregojnë se si bashkëpunimi i EIF me HBOR e ka transformuar Kroacinë në një vend edhe më të mirë për të bërë biznes, dhe unë jam krenar për rritjen e rolit të EIF-së në këtë proces. Ne shpresojmë të vazhdojmë, që të jemi një nga mbështetësit kryesorë të zhvillimit të qëndrueshëm të Kroacisë, duke mbështetur NVM-të dhe kompanitë me fitime mesatare që të rimëkëmben sa më shpejt nga pandemia Covid-19”.
Nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Europian për një Ekonomi që Punon për Njerëzit, Valdis Dombrovskis, tha: “Komisioni Europian dhe Grupi i Bankës Europiane të Investimeve, vazhdojnë të ndihmojnë kompanitë e vogla dhe të mesme të përballen me efektet shkatërruese socio-ekonomike të krizës së koronavirusit.
Sa më shumë që mbrojmë bizneset dhe vendet e punës tani, aq më e shpejtë do të jetë rimëkëmbja ekonomike. Marrëveshja e sotme do të sjellë një ndryshim të madh për shumë kompani në Kroaci, si Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, duke vënë në dispozicion të tyre më shumë se 200 milionë euro financim, në këtë kohë sfiduese”.
Tamara Perko, presidentja e bordit drejtues të HBOR-së, tha: “Jemi mjaft krenarë që HBOR mori pjesë në zhvillimin e fondeve, nëpërmjet të cilave sipërmarrësit do të kenë një formë alternative financimi. Meqenëse tregu i kapitalit privat në Kroaci është ende i pazhvilluar, HBOR nisi një sërë aktivitetesh për promovimin e zhvillimit të kësaj forme financimi. Me mbështetjen e HBOR-së, një fond i kapitalit sipërmarrës i destinuar për kompanitë start-up, filloi të funksionojë vitin e kaluar (FRC2 Croatia Partners). Me krijimin e këtyre tre fondeve, duke filluar nga kjo vjeshtë, format alternative të financimit do të bëhen të mundshme edhe për kompani më të pjekura, pavarësisht nga sektori në të cilin operojnë”.
Kjo marrëveshje do të ndihmojë gjithashtu Kroacinë të përmirësojë pozicionin e saj për sa i përket pjesës së investimeve të kapitalit privat në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
Bashkëpunimi EIF-HBOR do të përmirësojë mundësitë e financimit për NVM-të kroate dhe do të modernizojë tregun financiar vendas. Ai do të ofrojë zgjidhje alternative financimi, struktura transaksionesh dhe kohëzgjatje më elastike të shlyerjes së kredive dhe burime huadhënie për NVM-të, sipas strukturave më fleksibël të transaksioneve dhe zgjatjes së afatit të shlyerjes së kredive, me të gjitha parakushtet kryesore për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Operacioni prezanton tre fonde të reja të kapitalit privat në tregun financiar kroat dhe përfshin burime nga CROGIP, EIF dhe Fondi i Bashkimit Europian për Investime Strategjike (EFSI), thelbi i Planit të Investimeve për Europën.